Fatmire Duraku: Tingujt e zgjuar të vetmisë
Tingujt e zgjuar të vetmisë
Trioleta
I
Copëz e dritës bie në dritare
Unë lëviz fjalës dhe gjithësisë
Ajo pikë shiu e panjohur fare
Copëz e dritës bie në dritare
E ngushëlloj etjen me zamare
Me tingujt e zgjuar të vetmisë
Copëz e dritës bie në dritare
Unë lëviz fjalës dhe gjithësisë
II
Çfarë mund të besoj përsëri
Ndërsa i kam vetëm kujtimet
Ja ik mes tyre me mjeshtëri
Çfarë mund të besoj përsëri
Dal në çardak prek në hapësi’
Ikin rrugët, vijnë mashtrimet
Çfarë mund të besoj përsëri
Ndërsa i kam vetëm kujtimet
III
Ik në dhomë e perdet i mbylli
Frymoj në vete pa askënd aty
Besoj në kujtime a veç te ylli
Ik në dhomë e perdet i mbylli
Diku larg jehon melodi fyelli
Gjithçka sonte do të vdes me ty
Ik në dhomë e perdet i mbylli
Frymoj në vete pa askënd aty
Lulja ndalë aktine çeljes
Trioleta
I
Qielli kishte kaq ngjyrë të kaltër
Aty ja gjysma e hënës së verdhë
Figurën tënde zgjoi ylli mbi vatër
Qielli kishte kaq ngjyrë të kaltër
Në sytë tu shkrepi dritë me hatër
Në mua pikin lotët çurkë derdhë
Qielli kishte kaq ngjyrë të kaltër
Aty ja gjysma e hënës së verdhë
II
E trishtuar e kaq e errët kjo natë
E sa mistershëm bie mjegullnajë
Larg – larg dëgjohet një serenatë
E trishtuar e kaq e errët kjo natë
Kush i gjymtoi pemët me sëpatë
Kush e preu rrapin në këtë lisnajë
E trishtuar e kaq e errët kjo natë
E sa mistershëm bie mjegullnajë
III
I shpalli luftim të ashpër vdekjes
Apo vetëtimat më prekin në zemër
Shndrit qielli gishtat ikin prekjes
I shpalli luftim të ashpër vdekjes
Shkëputet lulja ndalet akti i çeljes
Ngel vetëm gjurma e zezë qemër
I shpalli luftim të ashpër vdekjes
Apo vetëtimat më prekin në zemër
Gjurmë në zall
Trioleta
I
Era fryn, bien ndër pemë gjethet
Eci, e ndjej vdekjen nën këmbë
Ky është fundi i ditës ikin rrezet
Era fryn, bien ndër pemë gjethet
Ç’ më kaplojnë në këtë natë ethet
S’ të shoh me sy, të ndiej për gjëmë
Era fryn, bien ndër pemë gjethet
Eci, e ndjej vdekjen nën këmbë
II
Këmbëzbathur iki fillikat vetmisë
Arrij e hutuar te shelgu degë gjatë
Vala rrjedh, uji përmbytet qetësisë
Këmbëzbathur iki fillikat vetmisë
Prisja vetmuar e humbur largësisë
Silueta e hënës nga shfaqet në natë
Këmbëzbathur iki fillikat vetmisë
Arrij e hutuar te shelgu degë gjatë
III
Në degë shndrisin dy mollë të kuqe
Me orë të tëra i shikoja gjithë mall
Sesi vajti koha, e u rriten këto lluqe
Në degë shndrisin dy mollë të kuqe
Vij e vogël në fustan lule-burbuqe
Iku me veten lë veç gjurmë në zall
Në degë shndrisin dy mollë të kuqe
Me orë të tëra i shikoja gjithë mall
Vetëm fjalët
Trioleta
I
Sa keq, s ‘më fale asnjë trëndafil
Ta mbaj në dorë deri sa të ngel hi
Tash eci mezhdën e arës me tërfil
Sa keq, s ‘më fale asnjë trëndafil
Në kavak ja si këndon një bilbil
Cicëron vajton ka rënë në vetmi
Sa keq, s ‘më fale asnjë trëndafil
Ta mbaj në dorë deri sa të ngel hi
II
Pengë na mbetën fjalët mua e ty
The mbylli sytë, i mbylla sa çudi
Pengë na mbeti shikimi ndër sy
Pengë na mbetën fjalët mua e ty
Ta ndjej aromën nga derdhet aty
Në udhët mitike ik heshtja përsëri
Pengë na mbetën fjalët mua e ty
The mbylli sytë, i mbylla sa çudi
III
Sonte vetëm ty të ndjej në largësi
Sonte vetëm ti je shpendi me larë
Ma jep dorën në ëndërr të arrij te ti
Sonte vetëm ty të ndjej në largësi
Lulja e ka bukurinë e vet në gjithësi
Pres zogun qiellit të errtë e të vrarë
Sonte vetëm ty të ndjej në largësi
Sonte vetëm ti je shpendi me larë