Saimir Z. Kadiu: “BOMBERI” I FUTBOLLIT SHQIPTAR ILIR PERNASKA MBUSH SOT 71 VJEÇ…
Padyshim një nga sportistët më të mëdhenj dhe më emocionues të historisë së futbollit shqiptar.
Përnaska mbahet mend si një lojtar bukurosh, i fortë si hekuri, i shpejtë si era dhe finalizues goli si ai…
“Aventura” futbollistike e “bomberit” të ardhshem fillon që fëmijë 13 vjeçar me ekipin e Tiranës (17 Nëntori). Këtu qëndroi pak kohe, pasi traineri Xhavit Demneri nuk e aktivizoi duke mos besuar në treguesit e tij fizikë…
Ndoshta është “gabimi” i vetëm i seleksionuesit të njohur të talenteve të futbollit shqiptar.
Imagjinoni sikur Përnaska të qëndronte te Tirana…
Skuadra kryeqytetase me Përnasken në fushë nuk do të kishte për të paktën 10 vjet të tjera rivalë për titullin…
Përnaska i ri me shumë besim në kapacitetet e tij kalon tek skuadra e para të rinjve të Dinamos me trainer Leonidha Dashi. Një vit më vonë bën pjesë në ekipin e të rinjve dinamovitë me trainer Skënder Begeja, që pëlqeu shumë veçori sportive të tij.
I madhi Begeja kishte “nuhatje” kampionësh… 20 vjet më parë kishte zbuluar legjendën Skënder Jareci… dhe pas 20 vjetësh i dorëzon vetë Skënder Jarecit, legjendën e ardhshme dinamovite ILIR PERNASKA…
“Guardiola” shqiptar i asaj kohe, Skënder Jareci besoi tek dinamizmi dhe talenti i këtij djaloshi simpatik dhe nuk gaboi…
Përnaska u bë pjesë e ekipit të të rriturve të Dinamos qysh në moshën 16-vjeçare.
Debutoi në vitin 1967 kundër Traktorit të Lushnjës në transfertë, duke ndihmuar Dinamon në fitoren 3-1 me dy gola që mbajnë nënshkrimin e tij.
Përnaska u bë simboli i golit në futbollin shqiptar për më se një dekadë duke fituar me Dinamon më të madhe të historisë së saj 5 kampionate kombëtare (1972–73, 1974–75, 1975–76, 1976–77, 1979–80), tri Kupa Republike (1970–71, 1973–74, 1977–78), dy Spartakiada Kombëtare (1974, 1979), 6 herë rradhazi golshënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar (1972- 1977).
Përnaska bashkë me Iliaz Çeçon, Shyqyri Ballgjinin, Vasillaq Zërin, Faruk Sejdinin, Gani Xhafën, Frederik Gjinalin, Jani Ramën, Ahmet Ahmedanin, Ilir Luarasin, Rifat Ibërshimin, Haxhi Mërgjyshin, Taip Çutrën, Ibrahim Kodrën, Torez Çirakun, Kujtim Çoçolin, Muhedin Targaj, Andrea Markon, Artur Çobanin, Aleko Bregun, Halit Gegën, Agron Dautaj etj, ishin emblemat e ‘Dinamos’ të madhe të viteve 70′.
Përnaska-Zëri-Ballgjini mbetet trinomi më i madh dhe i papërsëritshëm i futbollit shqiptar.
Luajtën në një kohë kur nuk fituan asgjë materiale. Luajtën me ndershmëri dhe talent për gëzimin tonë në kohë të vështira dhe mbetën idhujt tanë…që kurrë nuk i harruam.
Kurrë nuk mund të harroj parrullën e madhe në tribunën karshi të stadiumit “Qemal Stafa”: “Përnaska Gol”, sepse Përnaska ishte sinonim i golit.
Mbreti i golit ka edhe një rekord tjetër…
4 gola në një ndëshje zyrtare ndërkombëtare në vitin 1975 (Kupa Ballkanike) në rradhët e Tiranës (kundër skuadrës greke Panionios 6-0).
Asnjë tjetër futbollist shqiptar nuk ka shënuar 4 gola në një ndeshje ndërkombëtare zyrtare.
Ai ishte një Myler në realizimin e golave (shënoi rreth 265 gola në karrierën e tij) dhe një Kevin Kigan në lojën e shpejtë, luftën për top të parë apo goditjet me kokë.
Nëse Zhega dhe Murati ishin “mbretër” të ajrit, Përnaska ishte luftëtari më i shquar në shënimin e golave me kokë. Jo në pak raste fuste kokën atje ku nuk guxohej të futej këmba…
“Guerin Sportivo”, revista shekullore sportive italiane, duke iu referuar IFFHS-së, bazuar në statistikat ë regjistruara, arkivit e saj, bashkë me shkrimin informues, ka publikuar edhe listën e golshënuesve më të mirë të kampionateve evropiane në rang klubesh të shekullit XX.
Emri i Ilir Përnaskës është në vendin e 4-të. Renditjen e kryeson suedezi Nordalh me 9 herë golashënues radhazi (në dy kampionate, atë suedez katër herë me Norrkoping dhe 5 herë në atë italian me Milanin).
Me 8 herë vijnë Sotiris Kajafos (Qipro), Ferenc Puskas (4 Hungari, 4 Spanjë). Në kuotën e 7 herë shënues radhazi është hungarezi Imre Schlosser dhe gjiganti Gerd Muller i Bayern Munich. Pastaj Përnaska ynë 6 herë në një grup me legjendën Eusebio, anglezin Jimy Grivs, baskun e famshëm Telmo Zarra, etj.. Duke lënë pas, në kuotën e pesë herëve, Krankl, Di Stefanon dhe ukrainasin Oleg Blohin.
Në një intervistë të dhënë disa kohë para se të ndërronte jetë “rivali” i tij në fushë, Safet Berisha është shprehur se “Përnaska mund të luante në kohën e tij më të mirë në çdo ekip të Serisë A si lojtar titullar”.
Kushtet politike të Shqipërisë së kohës së diktaturës nuk e lejonin shpërthimin e talenteve shqiptare për të luajtur jashtë vendit.
Për më tepër, për arsye që sot janë absurde, ekipet tona dënoheshin me të drejtë nga UEFA apo FIFA, kur nuk luanin kundër skuadrave, shtetet e të cilave konsideroheshin armike për PPSH.
Imagjinoni sot sikur në ekipin shqiptar të luanin talente si Panojot Pano, Skënder Halili, Skënder Jareci, Refik Resmja, Gani Merja, Ali Mema, Sabah Bizi, Iliaz Çeço, Medin Zhega, Mexhit Haxhiu, Ilir Përnaska, Vasillaq Zëri, Shyqyri Ballgjini, Sefedin Braho, Hysen Zmijani, Sulejman Demollari, Agustin Kola, Shkëlqim Muça, Arben Minga e shumë të tjerë…
Do të kishim një kombëtare të “tmerrshme”, pasi talentet nuk kanë munguar…
Ilir Përnaska luajti 15 ndeshje me ekipin përfaqesues ku shënoi 5 gola. Përnaska bëri debutimin e tij me kombëtaren shqiptare më 26 maj 1971 në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e lojërave olimpike kundër Rumanisë. Me 14 nëntor 1971 në ndeshjen kundër Turqisë në Tiranë shënon 2 gola në fitoren 3-0.
Ndeshja e fundit me përfaqësuesen e luajti në Finlandë më 2 shtator 1981…
Lamtumira e futbollit erdhi më 6 qershor 1982…në ndeshjen e dytë finale për Kupën e Shqipërisë: Dinamo -17 Nëntori.
Dinamo e përshëndeti me fitoren e Kupës së Shqipërisë ditën e fundit të Përnaskës në futbollin e luajtur, (2-3; 1-0).
Përnaska i jep fanellën talentit Demollari që do të bëhej një tjetër legjendë e madhe e Dinamos…
Nuk e kam parë Loro Boriçin, as Skënder Jarecin, Refik Resmen dhe as Skënder Halilin… Panon e kam parë në vitet e fundit të karrierës, Bizin e kam parë vetëm kur luante me Vllazninë…
Kam parë live në të gjithë karrierën e tij lojtarin më të talentuar të futbollit shqiptar Sulejman Demollarin… por po të me pyesin për më të madhin që kam parë në futbollin shqiptar do të thoja menjëherë: ILIR PËRNASKA…
Jetë të gjatë Ilir Përnaskës, kampionit të madh shqiptar të golit…