Albspirit

Media/News/Publishing

Fuqia e Kosovës përballë armiqve: 14 mijë pjesëtarë të armatosur dhe mbi 53 mijë veteranë

Sulmimi i Ukrainës dhe tentativa e Rusisë për pushtimin e saj ka shfaqur frikën për përshkallëzim të situatës edhe në Ballkanin Perëndimor.

Shërbime të huaja kanë dhënë paralajmërimin se këto tensione mund të arrijnë edhe në Kosovë, Mal të Zi e Bosnjë e Hercegovinë.

Lufta në Ukrainë dhe tensionet në Evropë, si pasojë e kësaj lufte kanë shtyrë edhe institucionet e Kosovës që të mendojnë më seriozisht për forcimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Qeveria e Kosovës ka themeluar Fondin e Sigurisë, ku u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të kontribuojnë me para për të blerë armatime të reja dhe për të forcuar ushtrinë.

Demokracia.com ka pyetur në institucionet e sigurisë rreth kapaciteteve ushtarake e policore. Forca e Sigurisë së Kosovës numëron mbi 2.500 anëtarë të rregullt dhe 800 rezervistë. Por, nga Zyra për Komunikim Strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes në FSK, nuk e kanë treguar numrin e saktë të pjesëtarëve të kësaj force.

Në një përgjigje për Demokracia.com ata kanë thënë se FSK-ja disponon resurse humane (personel ushtarak) të komponentës aktive në përputhje me dinamiken e realizimit të planit të tranzicionit.

Ndërkaq, sipas strukturës gjinore, Forca e Sigurisë së Kosovës, ka 88% meshkuj dhe 12% gra e vajza.

“Aktualisht, FSK-ja disponon resurse humane (personel ushtarak) të komponentës rezervë në përputhje me dinamiken e realizimit te planit të tranzicionit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes për Demokracia.com.

Se a është e trajnuar FSK-ja për të marrë pjesë në luftëra, në përgjigjen e tyre thuhet se ajo disponon komponentë të forcave luftarake të cilat janë ngritur në përputhje me dinamiken e paraparë të realizimit të planit të tranzicionit.

“FSK-ja disponon komponentë të forcave luftarake dhe mbështetjes me shërbime të cilat janë ngritur në përputhje me dinamiken e paraparë të realizimit të planit të tranzicionit”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndërsa, nëse është e pajisur FSK-ja me armë të reja e të sofistikuara, nga Ministria e Mbrojtjes thonë se aktualisht FSK-ja disponon sisteme të mbrojtjes, teknikës e makinerisë ushtarake në përputhje me dinamikën e paraparë të realizimit të planit të tranzicionit.

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) u formua zyrtarisht më 21 janar të vitit 2009, pas shpërbërjes së Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), e cila ishte formuar në vitin 1999 si pasardhëse e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Kuvendi i Kosovës, më 14 dhjetor të vitit 2018, miratoi ligjet që e transformojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës në ushtri të rregullt.

Demokracia.com ka pyetur edhe Policinë e Kosovës për kapacitetet e saj, por ata nuk janë përgjigjur. Llogaritet se Policia e Kosovës ka rreth 9 mijë pjesëtarë të uniformuar.

Në anën tjetër, Zyra për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së, kanë bërë të ditur për Demokracia.com se sipas listave elektronike që posedojnë, numri i veteranëve luftëtarë është 53 188.

“Zyra për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së, ju informon se sipas listave elektronike që posedojmë ne si ZÇKDL e UÇK-së, numri i veteranëve luftëtarë është 53 188, invalidë 6168, dëshmorë 2808, pjesëtarë 8167 dhe pjesëmarrës 5596″, thuhet në përgjigjën e tyre për Demokracia.com.

Kjo zyrë nuk kanë listë të veçanta bazuar në gjininë e tyre.

Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, ka 3 mijë e 746 trupa në Kosovë, që vijnë nga 28 vende.

Please follow and like us: