Albspirit

Media/News/Publishing

Shea: Vuçiç s’mund të qëndrojë ulur në dy karrige, duhet të vendosë mes Perëndimit e Rusisë

 Zagreb, 8 maj 2022 – Ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, ka thënë se Serbia duhet të vendosë nëse dëshiron të rreshtohet në krah të Bashkimit Evropian apo në krah të Rusisë. Ai ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk mund të vazhdojë të qëndrojë ulur në dy karrige.

“Serbia së fundi ka mbajtur zgjedhje dhe ka fituar bindshëm presidenti Vuçiq. Serbia ka lidhje shumë të forta ekonomike me BE-në, ndërsa me Rusinë ka një histori të gjatë të bazuar në idenë e pansllavizmit. Pushtimi i Ukrainës nga Putini ndryshoi gjërat. Vuçiq duhet të kuptojë se Perëndimi dhe Rusia do të largohen gjithnjë e më shumë për shkak të luftës në Ukrainë dhe nuk do të jetë më e mundur të ulesh në dy karrige. Ai do të duhet të zgjedhë. Vuçiqi thuhet se do të vendosë këtë në gjashtë javët e ardhshme. I takon atij të vendosë. Besoj se Serbia duhet të vendosë për BE-në, e cila ofron një të ardhme më të mirë ekonomike dhe zhvillim demokratik”, ka thënë Shea, në një intervistë për Index.hr.

Shea, i cili ka qenë zëdhënës i NATO-s gjatë Luftës në Kosovë, ka thënë se Bashkimi Evropian tani e ka kuptuar rrezikun e ndikimit rus në Ballkan Perëndimor dhe se tashmë po shihet një angazhim më i madh i BE-së në rajon.

“BE-ja më në fund e ka kuptuar se kjo është një temë e rëndësishme. Politika e kaluar ishte e keqe, e vuri të gjithë përgjegjësinë për anëtarësimin mbi kurrizin e vendeve të rajonit, BE-ja duhej të ndihmonte këtu më shumë dhe të ishte më aktive për të ndihmuar transformimin. Tash kemi sërish më shumë aktivitet, shohim që kancelari gjerman Olaf Scholz organizoi një takim mes Vuçiqit dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock, pati një turne të madh në rajon. I dërguari i SHBA-së, Gabriel Escobar, është gjithashtu aktiv. Perëndimi tregon se Ballkani është sërish i rëndësishëm. BE-ja duhet të zhvillojë një qasje më fleksibile dhe t’u sigurojë disa vendeve kandidate disa përfitime nga anëtarësimi, veçanërisht në aspektin ekonomik. Pra, procesi i anëtarësimit do të ishte gradual, për të shkuar në atë rrugë drejt integrimit. Disa në Bruksel mendojnë se është e nevojshme të ndryshohen traktatet bazë të BE-së”, ka  thënë Shea.

Please follow and like us: