Albspirit

Media/News/Publishing

Fatmire Duraku: Mozaik me copëza veçantie (3)

Fatmire Duraku

 

Ulqini mijëvjeçar nuk ka humbur asgjë nga vlerat e veta të lashta. Me përkushtim të entuziastëve do të botohen shumë libra që kanë për tematikë të theksuar heroizmat e piratëve ulqinakë dhe legjendat e shumta, të cilat edhe sot jetojnë në rrëfimet e njerëzve të Ulqinit.

Ky qytet, me histori të bujshme e me lashtësinë e vet dhe njerëzit patriotë që ka, do të krijonin mrekullinë e shtatë të botës. Një ndër këto rrëfime është “Vetëtima e shpatës” i realizuar në bazë të rrëfimit autentik nga kohët e ikura. Botuesi Gazmend Çitaku shprehet për librin “Vetëtima e shpatës” se bëhet fjalë për trimin e shquar shqiptar në luftërat detare shqiptaro-turke, Likacenin, ku përveç gojëdhënave për të, e njeh mirë edhe historia. Në përballje detare me kusarin e pa trembshëm grek Karallampo del fitues, fitorja e Likacenit, detarit ulqinak rrëfehet për breza e breza në të gjitha kohët.

“Trëndafili me zemër” bën fjalë për dy fëmijë të cilët shkojnë në shitoren e luleve që t’i blejnë një dhuratë nënës për festën e saj dhe aty kërkojnë lulet më të bukura që ka në dyqan, ato në aromën e luleve rikujtojnë Ulqinin dhe pushimet në det.

Dy  libra me drama për fëmijë, të cilat kanë tematikë detin, Ulqinin dhe aventurat verore të fëmijëve nga autori i mirënjohur Nexhat Halimi, të botuara në Mal të Zi. Veç pse drama, si gjini në letërsinë shqipe është deficitare e posaçërisht ajo për fëmijë, lexuesi do t’i mirëpres. Pa u thelluar në përmbajtjen dhe vlerat artistike që kanë… Me këto dy drama synohet zbutja e mungesës së librave të tillë si dhe pasurimi i bibliotekave të fëmijëve shkollorë me botime të reja dedikuar atyre”.

Përurimi i librave ishte në  gjysmën e  majit, me ç’rast u organizua një orë letrare me nxënësit e shkollave fillore nga Ulqini dhe me prani të autorit, kjo orë letrare do të mbahet mend për kohë të gjatë.

Në kuadër të botimeve shqipe në Mal të Zi, në bibliotekën e qytetit në Ulqin u bë përurimi i librit me poezi “Kërcimi i Drenushës”, të  Nexhat Halimi.

Libri  përmban poezi kushtuar Ulqinit, disa janë për fëmijë dhe të rinj, ndërsa të tjerat për lexuesin më serioz. Për librin folën dr. Rrustem Berisha, Ali Gjeçbritaj dhe Fatmire Duraku. Me këtë rast nga aktori Shefqet Luca u deklamuan edhe disa poezi nga libri, ndërsa pikë e veçantë e mbrëmjes ishte deklamimi i poezisë “Libri” nga Dea Halimi.

Libri “Kërcimi i drenushës”, i botuar nga “Diti & Oli” në Ulqin, nën përkujdesjen e botuesit entuziast Gazmend Çitaku,  ka dy cikle me poezi kushtuar Ulqinit, qytetit perlë bregdetar, me një histori të madhe e të stuhishme gjatë mijëvjeçarëve të frymëmarrjes së vet epiko-lirike në këtë hapësirë.

E veçantë e librit është ajo se të gjitha poezitë i kushtohen detit, Kalasë, ullirit e njeriut të këtushëm me të përditshmen e vet, me hallet, ngashërimet, me dhembjet e dashuritë dhe në kuptimin e vet paraqet urë bashkëpunimi, forcim të lidhjeve të gjithanshme dhe sidomos të atyre kulturore, në mes të Ulqinit e të Kosovës. Nën logon e Ulqinit, “Kërcimi i drenushës” është libri i tretë i Nexhat Halimit, pas dramave për fëmijë “Trëndafili me zemër” dhe “Vetëtima e shpatës”, u theksua me këtë rast.

Libri, i botuar nën përkujdesjen e Gazmend Çitakut, me realizim të shkëlqyeshëm teknik, me dy punime – piktura, në ballinë të Salih Lutollit, në mënyrë të shkëlqyeshme e paraqet atmosferën e ambientit, për të cilin bëhet fjalë.

 

Kurora e poezive për Ulqinin

 

Fjalë për librin e Nexhat Halimi “Kërcimi i drenushës” botuar në Ulqin nga “Diti &Oli”, thekson Dr. Rrustem Berisha

 

“Poeti që po e prezantojmë është krijues i suksesshëm, i cili prirjet shkrimore i ka shprehur në shumë gjini letrare. Ndjeshmëria dhe humaniteti i tij komunikojnë me fëmijët dhe me të rriturit përmes vlerave që ky poet i dha artit letrar.

Do theksuar këtu se ai është krijues me stil të veçantë dhe krejt origjinal për çka vepra e tij do analizë serioze. Duhet parë dhe qartësuar mundësitë e veprës për të komunikuar me masën lexuese, sepse shkrimtari me stil të tillë i shkakton lexuesit mund më të madh si  në kuptimin e përmbajtjeve ashtu në përcjelljen e porosive.

Mosha e Nexhatit, i lindur më 1949, deri këtu radhitë në krijimtari afër 40 vepra. Këto vepra i shquajnë karakteristikat e tyre specifike: zgjedhja e tematikës, format e reja shprehëse, zgjedhja dhe krijimi i figurave stilistike, tërë leksiku poetik i freskuar me fjalë e krijime të reja.

Sintaksa e gjuhës së Nexhatit është vetëm sintaksë e ligjërimit të tij dhe asnjë krijuesi tjetër. Me disa konstatime dhe vlerësime do t’i afrohemi librit poetik “kërcimi i drenushës”. Përmbajtja e librit e vërshon lexuesin me dhimbje e herë-herë me qëndresë, fitore e humbje, por është plot forcë e rezistencë kundër padrejtësive që ia bëri barrë historia popullit dhe atdheut të poetit. Në këtë drejtim është i mobilizuar ligjërimi i veprës që të kundërshtojë dhe të rezistojë derisa të ekzistojë e folmja jonë, sepse është rrëfim epik më tepër dhe është e tëra qëndresë e luftë. Këtë jehonë e sjell leximi i “Kërcimi i drenushës”. Libri ka marrë rrugën që t’i pavdekësojë këta njerëz dhe këto vise. Ngrehinës krenare, bukuroshe të Ulqinit, i turren katastrofat natyrore, por edhe ato të lakmuesve armiq, që janë me përmasa biblike, por konstrukti i ndërtimit të tij, shpirti i banorëve të tij, e kanë ruajtur imazhin konstant qinda mijëra vjet. Një fizionomi me tipin e feniksit është krijuar në vepër dhe e bën të vlefshëm mundin e përmbajtjen që autori e ka investuar këtu. Tematika e librit, të shumtën, është luftë kundër të këqijave që me shekuj i vrasin njerëzit dhe e vrasin vendin, të cilët ishin të pajisur me famë nga lashtësia, por koha i shtriu mjerueshëm.

Libri është për Ulqinin dhe gjymtyrët e tij: për njerëzit, detin, fshatrat, çdo fjalë, çdo varg e çdo poezi me zërat e tyre poetik sjellin dhembje e dashuri. Këto zëra kanë forcë të çuditshme, sepse pikin gjak dhe prodhojnë gjak.

Porositë e librit janë të qarta për breznitë, kuptimet e tyre lidhen me realitetet historike gati ashtu si i  ndodh në rend kronologjia e ngjarjeve.

Vepra është hartim modern artistik.

Diçka do të përmendim shkurt nga këto ligjërime duke i shquar vende-vende vlerat e tij.

Ato që do të mbesin pa u thënë, mbesin hise e të tjerëve.

Hyrja në këtë ligjërim, poezia e parë, përkufizon pozitën e qytetit dhe shpreh mallëngjim, një lloj nostalgjie, që përngjan  më vonë në mbishkrim varri për ata që nuk marrin frymë në Ulqin. Pra, një është madhështia e qytetit dhe dy, pikëllimi për të larguarit qoftë me mërgim e qoftë me rrugën që kanë marr në botën e amshuar. Pra, kjo poezi  është një pjesë himn, një pjesë epitaf, është një konceptim i poetit që vërtetë ka dhunti shkrimi.

Në vijim radhiten poezi që e përshkruajnë Ulqinin herë me petka të vjetra antike, herë të mbushur me frute të cilat i gëzojnë banorët. Në përgjithësi Ulqini merr pamje të qytetit të begatshëm. Ai duket i varfër e i mjerë atëherë kur e rrahin dridhjet e termeteve apo e sulmojnë armiqtë. Por, nga ato kataklizma del dhe gjallëron me njerëzit e vet, natyrisht duke i bartur gjatë lëndimet e atyre plagëve. Po, ringjallet.

Pamja përshkruese e sjell qytetin midis pjesëve të natyrës – të  qiellit, yjeve, hënës, diellit; midis objekteve të arkitekturës, kalasë, urave, shtëpive me dritare me qemer; midis frutave, ullinjve shegëve, fikqve, hardhive. Të gjitha këto e stolisin  Ulqinin.

Vërtetë dukja e tij është pamje e qytetit mbretëror. Këto tabllo i zgjojnë poetit asociacione për viset e Toplicës dhe tëÇamërisë, sepse ai atje  e ndien gjëmën e tyre të mbytur. Simbolika e Mollës së Kuqe pikë e coptuar në gur, për poetin do të thotë se viset e jeta atje janë shuar. Ky emocion i vjen me afrimin midis plagëve që bartë trupi i atdheut.

Nëpër endje të pa ndalshme poeti familjarizohet me Ulqinin. Udhëton nëpër rrugët e tij me vajzën e vogël Dea. I vjelin kënaqësitë që ka qyteti. Ndërkaq, te ankorimi i barkave e tret shikimin dhe pret letër nga vajza tjetër në mërgim Zana. Krijohet rrjedhje  e nostalgjisë me pikëllimet në familje dhe për copat e humbura të atdheut.

Toplica, Çamëria, Ymer Prizreni, Isa Boletini, Zana… janë ndërthurje dhe afrim i historisë që nga mbretëresha Teuta, kujtim për  tërësinë e dramës që është luajtur mbi atdheun. Shikojmë vende fatprera e personazhe tragjike. Këtyre pikëllimeve u jep zë poezia e Nexhatit.

Kur t’i themi këto, do të pohojmë se “Kërcimi i drenushës” ka simbolikë tjetër fare, jo atë të qenies së bukur. Drenusha në lëvizje fizike kalon mbi ylberin. Kjo është qëndresë dhe fitore. Drenusha është personazh shprese.

Kompleksiteti poetik e bën veprën me infrastrukturorë origjinale të ligjërimit që është një cilësi e shkrimit modern të autorit.

Oqeani fle, ti larg gjithësisë i prek yjtë.

Njëri yll është ëndrra jote syri yt,

Është pika e ujit nga të ik nëpër fyt.

Ja përmbi pemën e kroit sesi bën dritë.

Edhe pas ndonjë episodi lirik në poezi siç është shembulli i cituar, autori kthehet tek kujtimet e rënda për fatin e qytetit, sepse edhe vonë, bajlozat hedhin topuzat mbi kokat e banorëve, prandaj breznitë vazhdojnë të lagen nga shiu, nga lotët, nga gjaku. Kjo është brengë e pakëputur në shpirtin e poetit.

Ka edhe poezi që na befasojnë, si fjala vjen, “një lule për nënën” është poezi  gjerdan i çmuar që flet se nuk duhet nëna me puthje e përqafime tradicionale, por me pajisjen e saj me cilësi e gjymtyrë të natyrës, të kozmosit dhe të fuqive të lashta legjendare. Flet për dashuri të madhe për një nënë të gurtë në themelet e Rozafatit. Nuk është dashuri me lule, por me jehonën e hapave të historisë dhe të legjendës që nëna të bëhet monument-përmendore:

“trëndafil në flakë amshimi të Rozafatit”

Disa poezi japin përfytyrim të ngjarjeve kaotike, të apokalipsit, të hapësirës kohore prej lashtësisë deri sot dhe përjetime në forma të ndryshme për fenomenin e rëndë. Dhe këto kataklizma mbyllin në vete dhimbje.

Nyjësimi  (hermetizëm) në të kuptuar paraqet edhe poezia “sonte veç ty”. Fantazia që e orienton poetin midis botës së gjallë dhe asaj të vdekur, kthen kah optimizmi:

“ja sonte kthehet edhe ajo që ra

Me ritëm të pikës së gjakut në hi”.

Po “kërcimi i drenushës” mund të konsiderohet përsonifikim i shtojzovalleve apo i zanave të mira që dalin pranë ujërave apo në fushë të logut dhe krijojnë ambient të gëzueshëm. Kërcimi i krijesës mbi ylberin është forcë simbolike që personazhin dhe poetin i bënë ngadhënjimtarë:

“apo pylli i fjalës së pa Thënë

Në syrin tënd zgjon Ulqinin”.

Atributi që mund t’i jepet këtij ligjërimi të vargjeve do të ishte i drejtë të kuptohet forcim i ekzistencës së qytetit, i cili gjallëron me banorët dhe me reliev të fortë të gurit. Ndoshta mund të jepet edhe supozim tjetër, por i forcuar gjithsesi me optimizëm. Stili i plot-figurshëm i veprës mundëson supozime e zgjedhje të situatave e të ngjarjeve në më shumë mënyra, kështu forcohet bindja për seriozitetin dhe kualitetet krijuese të autorit. Është e sigurt se ëndërrimi i poetëve është liri e tyre ashtu sikurse është edhe zgjimi i tyre. Ata me imagjinatë e fantazi i qasen realitetit, i takojnë kategorisë së të sakrifikuarve, por e prodhojnë amshimin. Krijimtaria e Nexhat Halimit sajohet nga përvoja e gjatë dhe përpjekjet e pakursyera.

Leximi i kujdesshëm na e forcon bindjen se vepra është kryekëput modern “gjarpri pa sy rikthehet mëngjesin detit ia pi”. Shihet këtu se kjo krijesë nuk vjen si mik i vatrës me respektin e totemit qysh e konsideron tradita jonë.

Probleme të rënda ende na sjell historia, sepse pas gjarprit shfaqet Gjergj ElezAlia i vdekur e i nevojshëm për ta forcuar traditën për mbrojtjen e nderit dhe të  vendit. Autori plotëson vakume duke hipur e zbritur ëndrrës, po qëllimi i tij është që pikat e rëndësishme historike t’i bëjë pjesë të idealit e të përpjekjeve të sotme.

Në nismën e qëllimeve për ta mbajtur të fortë qytetin ka krahë fshatarin, zejtarin, fëmijët, madje e ka edhe mikun poet nga Ulqini. Lyp qartësuar se nga uniteti kronologjik i përmbajtjes së librit temat e vogla bashkohen me atë për Ulqinin dhe na japin poemën e gjerë kushtuar qytetit.  Nuk do mend se dashuria e shprehur dendur në poezi e krijon me arealin artistik mburojën e Ulqinit. Këndohen gjërat që i kanë dhënë jetë Ulqinit: gurtë, uji,kripa,rrënjët e gjaku.

Pjesë defilimi është vrasja në pabesi e Isa Boletinit, figurës shembull të historisë sonë dhe të zëshmërisë fatlume nga taborri i atyre personaliteteve që erdhën me çelësat e pavarësisë së Shqipërisë. Na freskohet kështu kujtesa për sakrificat  e personaliteteve të çështjes kombëtare.

Bashkë me këto qëllime vendeve të molisura në aspektin ekzistencë, autori u jep eliksir shëndeti përqendrim në trojet e stërgjyshërve.  Në ato fshatra e sheh se po pakësohet popullsia. Autorin e ngacmojnë frymëzimet për detin , për barkat që hepohen mbi dallgët e rrezikshme, për drejtuesit e tyre, për kthimet e gëzueshme në brigje. Ai dëshiron fotografi të përbashkët me detin që arsenalin e tij ta ruaj në shpirt. E i dalin përpara kafkat e ndryshkura mbi gjakun e derdhur,  mbi ëndrrat e  librat e ndaluar. Poezia e Nexhatit lufton t’i mposhtë kotësitë, sepse butësia e zemrës sjell lule në çdo kohë e çdo vend që do të thotë jeta nuk shuhet. E nuk janë të gjitha frymëzimet pa dëshpërim. Rruga e pa shënuar, e pa rrahur, e pa gjetur për njëqind vjet është ulërimë e ligjërimit pas gjurmëve të Ymer Paçarizit. Këto fotografi  do gjenden e ruhen në brendi të maleve dhe në thellësinë e detit të shënuara me pika gjaku.

Poeti hulumton, ecën e frenohet,po nuk le pa e thënë atë që ia thotë zemra me guxim fizik e moral në çastin e kërkesës së historisë :

Deti dhe dhembja kosovar mbesin njëjtë yje

Fatit i rëndojnë bredhjet mërgimtare që ngjajnë me bredhjet dhe brengat e Odiseut. I kthyeri flet në gjuhë të huaj në vendin e vet, sepse ikja ia kishte rrëmbyer të gjitha dashuritë.

Bredhjet e poetit prodhojnë shumë pikëllim. Në takimin me Risanin, në rrugën Ulqin- Shkodër sheh lot, shi, pika gjaku ashtu si të ishin krua mijëvjeçar.

Kudo e gjen forcën poeti për t’i mundur kotësitë.

Poezia kumton me fjalor të pasur. Fjalët: gjak, djegie, ujë, lot, gur, kështjellë, kala, bedena, dallgë, deti, perdet e hekurta, pulëbardhat, zogu, gjarpëri, kali, hardhia, ulliri, fiku, shega, rrufeja, ëndrrat, flaka, pylli, kambanat, shpatat, atdheu, zoti im, thikat, fanarët, antika, kumria, verbëria, robëria e shumë të tjera poetizohen në mënyrën më artistike duke shprehur konotacione të forta, janë të figurshme , domethënëse me vlerë dhe mendime solide. Personazhet e kësaj lirike, një pjesë janë epike që përdorin ose e nxisin poetin që të flet me narracion interesant dhe origjinal.

Porosia e poezisë është porosi humane :shprehet dashuri e thellë për vendet dhe njerëzit. Shprehet respekt për figurat e ndritshme e të përjetshme në historinë e kombit. Ai na e freskon kujtesën dhe na e forcon adhurimin për te gjitha ato që populli i deshi dhe i çmoi.

Prandaj, jehona e tyre në poezi na vjen e dhimbshme, na vjen edhe dashuri forcuese.

Poeti na shkruan, pra, edhe pjesë të jetës dhe pjesë të historisë.

Llojllojshmëria e rimave e strofave, teknikat e tjera të vargërimit, fjalët e vendosura jo me rëndomësi ligjërimi por në vendin me kuptim të ri,  na bindin për talentin e pa kontestueshëm të Nexhatit.

Përmendja e shpeshtë e pikave të gjakut vjen si refren që prodhon qëndresë. Vetëm kështu mund të kuptohet, kurrsesi dështim dhe kurrsesi pesimizëm. Forcën e tillë e tregon lidhja e poetit me këtë vend dhe, fundi,dëshira e tij aq e shpeshtë që e përmendë varrin e tij këtu.

Unë nuk heq dorë nga ti Ulqin deti

Pa rënë nga unë çdo gjë deri në hi.

Dashurinë e Nexhatit për këtë trevë nuk ka kurrkush të drejtë ta mohoj, sepse vargjet e cituara janë betimi  i tij i shenjtë.

Ai i këndon gjerësisht Ulqinit dhe detit dhe bukurive të tij të florinjëta. Ai i këndon Ulqini e detit dhe plagëve që bartin me shekuj.

Ashtu si iu bashkangjit Tomorrit Cajupi dhe e bëri front të përëndisë, apo sikurse Naimi që   bekoi male e fusha të Shqipërisë, apo më vonë Lasgushi që u tret në ujin dritëshkëllyes  të liqenit të tij, e ngjajshëm edhe Nexhat Halimi njëjsohet me Ulqinin dhe gjymtyrët e tij. Kjo pjesë e viseve është  personifikuar e bërë bashkëligjëruese e poetit.

Besoj, është e drejtë të thuhet se këto poezi e ndërtojnë një monument të dashurisë së tij për Ulqinin dhe për njerëzit që jetuan e për ju qe jetoni këtu.

Ta themi një urim ngjashëm me thënien e popullit:

Ulqin, me shëndet të qoftë ky gjerdan margaritarësh!

 

Ulqini në artin e Nexhat Halimit

 

Shkrimtari Nexhat Halimi për lexuesin shqiptar në Mal të Zi (dhe jo vetëm ai) nuk është i panjohur, përkundrazi veprat e tij i njohin jo vetëm brezi im, por edhe brezat më të rinj, të cilët kanë patur rastin që të njihen me shkrimet e tij falë edhe botuesve tanë, sidomos Asociacionit Ulqini, gjegjësisht librarisë “Art” thekson Ali Gjeçbritaj. Kjo falë edhe veprimtarisë së tij krijuese në të gjitha zhanret e letrave shqipe. (poezi për fëmijë, 6 vëllime,  poezi për të rritur 20 vëllime kjo e sotmja është e njëzetë e njëta, tregime 3 vëllime, katër romane, katër drama për fëmijë, një dramë për të rritur etj.) “Kërcimi i drenushës” është përmbledhja e 21 me poezi ndërsa si vepër letrare e 39 – ta. Pra një thesar i artë krijimtarie letrare..

Përmbledhja “Kërcimi i drenushës”, i cili në vete përmban 41 poezi për fëmijë dhe të rinj dhe 67 poezi për të rritur (që gjithsej bëjnë 108 poezi botuar nga botuesi “Diti-Oli” në Ulqin me pronar Gazmend Çitakun) në shumë rrjedha dallon nga librat paraprak me poezi të autorit. Ky dallim shihet nga se 41 poezitë për fëmijë janë përfshirë në kapitullin e parë “A ka deti zemër” dhe 67 të tjerat në kapitullin e dytë “Zogu sjell lajmin në liman”.

Nga ana tjetër dallim thelbësor se si në kapitullin e parë poashtu edhe në të dytin poezitë i kushtohen terësisht Ulqinit gjë që për një poet që rrenjët i ka nga Toplica, nga Molla e kuqe e që reflekton me vargjet e tij  përmes kërcimit të sorkadhës, shijën e mollës, vrapin e drenushës  në valët e detit, bedemet e Kalasë kernare mbi 25 shekuj të vjetër e shkon deri tek Mbretëresha Teutë, pra gjithandej kah frymojnë trojet iliro –arbënore.

Tematika është e lidhur me truallin e njeriut  të këtushëm, me traditën me ullirin, detin, lashtësinë, vaporin, me vyrtytet me njerzore të popullit të cilit i takon.

Mbase mund ta kem gabim por s’mund të lë pa thënë se me ikjen  nga mesi jonë i disa shkrimtarëve shqiptarë për fëmijë si Vehbi Kikaj, RifatKukaj, Agim Deva, Ymer Elshani, Gani Xhafolli letërsia për fëmijë sidomos në Mal të Zi për një kohë të gjatë mbeti e varfëruar me botime cilësore. Ky libër menoj unë me pjesën e parë të saj s’do mend se e pasuron lëtersinë për fëmijë dhe të rinj në Mal të Zi.

Shkrimtari Nexhat Halimi është njëri ndër zërat më të fuqishëm të poezisë bashkëkohore, poezisë moderne në Kosovë dhe jo vetëm.

Krijimtaria poetike e Halimit ka ngacmuar vetëdijën kritike me veçantinë unike  të ligjërimit poetik e cila sipas Sabri Hamitit “është ligjërim i ashpër  dhe i dhëmbëshëm në të njëjtën kohë, i kapur për ashti të fjalës dhe ligjërimit, poezi që përmban në vete ethet e kohës”, ndërsa MensurRaifi thekson se “poezitë e NexhatHaimit janë margaritarë të vertetë poezie- kurorë e gërshetuar në formë funkcionale në shkallëzimin në gradacionin e një  dhëmbje intime”. Edhe poezitë e “Kërcimit të drenushës” s’kanë si të jenë ndryshe por xhevahirë që vijnë e derdhën në Ulqin. Kur e them këtë kam parasysh se vepra që po përurojmë sonte këtu është pa dyshim libri më i kompletuar me poezi që një autor i kushton qytetit tonë. Kjo përmbledhje – mozaik me harmoni ngjyrash me tone të gjalla, aktuale e historike poeti e ka realizaur me përkushtim me dashuri të madhe për këtë qytet, perlë e Adriatikut. Krijuesit ulqinakë duhet t’ia kenë zili, unë si një krijues modest e admiroj për këtë.

Se sa e do detin poeti dhe sa e admiron ate në një poezi poeti shprehet:

Për çdo vit nga deti një tufë lulesh deti

E marrin nga Ulqini ilaç me veti

E sjellin të gjelbër  në qytet në shtëpi

Në dritare të frymojë kaltërsi.

(poezia “Një algë deti”)

Ose

Befas në dritarën e kalasë me qemer

Dea heton Teutën, mbretëreshën mitike

Flet diçka me ngashërim nën ylber

Shiu tashmë është ndalë pikë pas pike.

Poezitë  në “Kërcimin e drenushës” i ngjasin qiellit me plot yje e flutura, me pulëbardhat në fluturim, qielli i kaltër me hënën në sfondin e pafund të imagjinatës por ndihën edhe ngjyrime të dhimbjes.

Me një bri të thyer-hije një buallicë

Shkelë arat me grurë të ndezur në Toplicë

E – Korriku, me plagën time në gji

Digjet nga malli i gjakut për Çamëri

E pikë mollë e kuqe në gurë e pelcet

E pikë në gurë të vjetër fiku kaq vjet!

Lexuesi përveç kënaqësisë që do të përjetoj  duke e lexuar librin do të kapërcej dhe mbi copëzat e lumturisë së jetës dhe vështirësit e saj. Do të mësoj përmes vargjeve rrjedhën e moteve në këtë qytet, historinë e tij mbi 2500 vjeçare, të shkuarën, të sotmën, baticat dhe zbaticat, gëzimet dhe hidhërimet, dashurin për jetën, bukurinë që ofron ky qytet, detin , valët, pulëbardhat, vaporët, ullinjtë etj, simbolika këto me tipare të veçanta.

Në poezinë “Hija e fatit” poeti mes tjerash në strofen e dytë shprehet:

E unë kurrë t’a dalloj është kurmi a hija

Ec, udhës dy mijë vjet mes ullinjësh

Ik kopshtit të edenit me ty për dore

A po vjen prap i njëjtmjekerbardhë

Vëllimi poetik “Kërcimi i drenushës” sot po i shtorhet në sofrën e dijës lexuesit, dashamirësëve të fjalës së shkruar për ta patur ushqim të shpirtit. Në këtë sofër të madhe që sot na e shtroi këtu në Ulqin shkrimtari Naxhat Halimi ka ushqim të bollshëm jo vetëm për ulqinakët por për të gjithë dashamirët e artit  të të gjitha moshave.

Këtë dhuratë sonte e tutje  s’do mend se lexuesi e ka dhuratë që buron nga mendja e ndritur dhe penda e artë e shkrimtarit Nexhat Halimi

Në fund më lejoni t’ua lexoj vargjet e poezisë “Kërcimi i drenushës”, emrin të cilit e mban edhe përmbledhja:

 gjakshkrimi im është veç syri yt

kërcimi i drenushës mbi ylber

 

ja sesi gjeli i përgjakur ik nga hëna

e unë sodis i pushtuar nga liqeni

me guacë të zemrës së çelur në ty

 

veç fjalën e paThënë të ujit

e end vrimës së gjilpërës

 

unë dhe varka dhe lulja e bukur

e hëna në perin e gjakut të ëndrrës

në udhëtim rreth vetvetes

 

zot cili është bregu e cila zemra

 

ja pik veç tambël dhe pema digjet

pik veç gjak dhe çel agu yt i rrënjës

si  kërcim i drenushës mbi ujë

 

e unë digjem fjalës së paThënë

 

Poezi për Ulqinin 

 

Libri më i ri me poezi për Ulqinin, “Kërcimi i drenushës”, botimet “Diti & Oli” në Ulqin, nën përkujdesjen e botuesit entuziast Gazmend Çitaku, ka dy cikle, thekson Kaltërina Meka.  “A ka deti zemër”, me poezi për fëmijë dhe “Zogu sjell lajmin në liman”, me poezi për të rritur, të gjitha kushtuar Ulqinit, qytetit perlë bregdetar, me një histori të madhe e të stuhishme gjatë mijëvjeçarëve të frymëmarrjes së vet epiko-lirike. Në këtë frymë, botuesi i ka mbledhur dhe poezitë, të shkruara  me përkushtim dhe stil joshës në unaza të caktuara të kohës dhe me përjetim të veçantë  për njerëzit që lidhin jetën  e tyre me të tashmen e të kaluarën e bujshme në këtë hapësirë. Gjithnjë dominon ajo që e shquan këtë histori të begatë – Deti, Kështjella, Ulliri, etj.,  si dhe zemra, gjaku-shpirti i njeriut, me  dhembjen e dashurinë e pambarim për çdo gjë që frymon këtu tash e përherë.

Librit i prin poezia ‘Amshimi’, e cila me ndërtimin e vet të jashtëm e të brendshëm, me mendimin e muzikën, me syzheun  e fshehtë e përherë të shpërfaqur me figura e metafora, po dhe drejtpërdrejt ndonjë herë, bën që fuqishëm të rrah zemra, ta vizojë ndjeshmërinë, t`i thellojë përjetimet me të tashmen e të kaluarën e pashmangshme, e cila në çdo trung, në çdo gur e shtëpi, në Kështjellë, nën ullinjtë e kudo ndjehet  në gërshet me qëndresën , i lidh  dy  botë – të vjetrën me të renë, në mënyrë që të qëndrojnë e të ecin krah më krah shtegut   të së nesërmes,  rrjedhës së  dritës.  Natyrisht, gjithnjë, duke i kujtuar dhe ata që ishin këtu e tashmë nuk janë, ata, të cilët nuk kursyen jetën për të krijuar dhe mbajtur gjallë  shpirtin dhe  shkronjën shqipe  në këtë udhëtim të gjatë e të mundimshëm, me plot sakrifica e flijime.

E veçantë e librit është ajo se  të gjitha poezitë i kushtohen detit, Kalasë, ullirit e njeriut të këtushëm me të përditshmen e vet, me hallet, ngashërimet, me dhembjet e dashuritë. Këtë botim e mundësoi Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi dhe në kuptimin e vet paraqet urë bashkëpunimi, forcim të lidhjeve të gjithanshme dhe sidomos të atyre kulturore, si sinonim të detit, në mes të Ulqinit e të Kosovës. Nën logon e Ulqinit,  Kërcimi i drenushës është libri i tretë i NexhatHalimit, pas dramave për fëmijë Trëndafili me zemër dhe Vetëtima e shpatës.

Ajo çfarë të lidh me këtë libër është angazhimi i pakursyer i autorit, i botuesit  etj. që ky libër në çdo aspekt të jetë i afërt, qoftë me shkrimin kaq të gdhendur, qoftë me anën vizuale të mrekullueshme, në mënyrë që lexuesi ta përjetojë, ta ndiejë të lidhur me kërkesat e veta.

Libri ka 128 faqe. Botohet nën përkujdesjen e Gazmend Çitakut, me realizim të shkëlqyeshëm teknik, me dy punime – piktura, në ballinë të SalihLutollit, të cilat në mënyrë të shkëlqyeshme e kapin atmosferën e ambientit, për të cilin bëhet fjalë  në 108 poezitë e librit, i cili ka dy cikle.

 

Shpirti digjet gjithherë pa ty

 

Poezia e Nexhat Halimit, kjo e librit më të ri “Ulli mbi det”, botimet “Diti & Oli” në Ulqin, është një tërësi unike dhe ti ke përshtypjen e udhëtimit të pandërprerë ndër valë të ashpra, ndër det të qetë dhe të pafund për të arritur deri te një kështjellë mijëvjeçare dhe prapë  – i përgjakur, me  mendime, me ndjenja e pikëpamje, nisesh larg  në kohë për të arritur përmes fjalësh deri te vetja e vjetër e lidhur me gurin, me ullirin, e botën e robëruar të vetes. Etja e pandërprerë e shpirtit, i cili arrin në Ulqin me  galerën e vet e megjithatë nuk arrin te liria e vet e përshkruar bukur përmes degëzimit të vetëtimës e cila çilet mbi det, thekson Fatmire Duraku në shkrimin  për librin “Ulli mbi det”.

Gjatë udhëtimit dhe kthimit të njëjtë nga largësia e kohës së ikur prapë në Ulqin, shpirti poetik i shoqërohet me burimet që derdhen nëpër morinë e ujit të pastër, në lumenj, në liqene e dete, duke rrjedhur nëpër gurë e gjak e rrënjë për të ruajtur gjithnjë tërësinë e vet, gjuhën dhe këngën e bukur shqipe. E i bie fyellit, të zgjohen shpendët nga vaji dhe ritmi  shpirtëror i këngës, që zgjohet ushtimë e zjarrtë apo Ulli mbi det / gjithnjë me fytyrë zoti me frymë guri Ulk / në dritaren me qemer në xhamin nën avull / ta vizatoj galerën detit në flakë / ta zgjoj etjen e fjetur kaq vjet në gjak / ja fedorë pse ulliri mbi det i ka sytë tu / e ka moshën e gurit e flokët e thinjur në kala / lulen e vetëtimës të gjallë në hi / lirinë brenda robërisë flutur në gji… /  kaq vjet tash pres kthimin e e përjetoj robërinë / pashprehshëm shtrirë rrënjës së gjakut / ulqini të lidh me ullirin mijëvjeçar të ngrirë /  ndihesh i lumtur pse je rob i zjarrit mbi hi…/

Aty, në kala, përhitet shfaqja e Uliksit, me tërë historinë e humbjes në det dhe peripecitë e rënda ndër sipërfaqet e panjohura. Vjen hije e Pnelopës, veç nuk është Esa. Kot e pret poeti dhe shpirti i tij i vetmuar dhe natyrisht bie jehona mbi gurin e valët e ullirin e kohën e ikur / ah sa rëndë e bart kujtimin  për ty / mbyllur në arkivol as vdekur as gjallë / te koka me një trëndafil të zi/

…Ndërmjet radhiten stacionet e vdekjes në hapësirë. Radhiten insertet e jetës, ngashërimet, dhembjet dhe çdo gjë që ngel kujtim për brezat, duke e kujtuar maestron e poezisë.  /Ja,koha eci e s`u kthye më e ti ike në këtë lojë / s` mbeti asgjë e paprekur mirko g as te unë / ja tash për inat dëgjova të ketë vdekur rb / me emrin e të cilit i kushtonim libra njëri tjetrit/

(tim shok tim poet e tim njeri

nxënës të profesorit tim të nderuar

dhe të tij Riza Bicajt)

fund botës qenka ndalur  nën yllin e agut

Natyrisht, jeta vdekje ka, e humbi dhe udha e kaq e mundshme qe ta gjeja… Poezia është diçka e paprekshme. E ndien dhe ngashërehesh, qan dhe të ndjek vetmia. Veç pse secili send kot e kërkon dritën e gjakut të vet.

Poeti me përvojë Nexhat Halimi i ka ofruar lexuesit një libër, i cili përveç çasteve, datave, ngjarjeve, lidhur me qytetin margaritar të jugut të detit Adriatik, Ulqinit, duke theksuar, siç thotë dhe dr. Rrustem Berisha “Sintaksa e gjuhës së Nexhatit është vetëm sintaksë e ligjërimit të tij dhe e asnjë krijuesi tjetër. “ Përmbajtja e librit e vërshon lexuesin me dhimbje e herë-herë me qëndresë, fitore e humbje, por është plot forcë e rezistencë kundër padrejtësive që ia bëri barrë historia popullit dhe atdheut të poetit. Në këtë drejtim është i mobilizuar ligjërimi i veprës që të kundërshtojë dhe të rezistojë derisa të ekzistojë e folmja jonë, sepse është rrëfim epik më tepër dhe  qëndresë… “Ulli mbi Det”, siç thekson dhe botuesi Gazmend Çitaku, është libër që shkruhet rrallë. Libri është i ndarë në dy cikle të mëdha dhe ka 128 faqe. Libri, duke iu afruar përmbylljes së shkrimit, buhet gjithnjë e më i rendë. Në këtë mënyrë autori dëshmon dhe njëherë e gjithnjë se poezia e shpirti janë një dhe të pandarë!

Ja, pse.

tashmë kam humbur dhe shpresën për ty

s`do të vish të më ngushëllosh për vdekjen e iLirisë

e në tokën e robëruar nga e kaluara bie shi në varre

stepur shikoj në një pikë një dhi pa një bri në qiell

 

kullot në yrtin e vogël mes kullës dhe kullës

aty ku robi servantes ka mbjellë lule për liri…”

“ka shumë shi këtu në varre ku miti lidhet me histori

e shpirti digjet gjithherë në përralla të njohura nga ti”.

 

Rrëfimi meditativ lirik

 

Ky botimi i autorit të frytshëm Nexhat Halimi “Kërcimi i drenushës” është komponuar  nga dy tërësi “A ka deti zemër” me krijime poetike për fëmijë dhe “Zogu sjell lajmin në liman” me poezi për të rritur, shkruan Veli Veliu. Pjesa dërmuese e poezisë është e ndërlidhur me Ulqinin, me  jetën  e njeriut, i cili kornizën të përditshmen e vet këtu, me baticat e zbaticat e të sotmes , por dhe me momente, data e ngjarje të së kaluarës. Të dy njësitë karakterizohen me një gjuhë të zgjedhur, me gjetje të suksesshme  shprehjesh, me përkushtim të theksuar të autorit në gdhendjen sa më të mirë të vargut, në realizimin ritmik-muzikal të jashtëm e të brendshëm, gjithherë të përshkuar dhe me mendim, çfarë e bën poezinë të përjetohet natyrshëm dhe thellë, në shumë aspekte.

Poezia për fëmijë

Vite më parë kam shkruar për shkrimet për fëmijë të NexhatHalimi.  Dhe, meqë disa nga ato shkrime-poezi për fëmijë, kanë zënë vend dhe në këtë libër,  do t`i përtërijë pjesërisht konstatimet  e hershme, për  tonet , ngjyrën dhe mendimin karakteristik të poezisë së autorit, qoftë ajo për fëmijë apo për të rritur. Një poezi me shumëçka të veçantë . Temat, idetë e problemet e trajtuara  në vargjet e tij janë  nga çaste, data e ngjarje të nxjerra nga përjetime të thella, nga loja në “skenën” e përhershme e plot emocione të fëmijës. Derisa në disa nga vargjet është e pranishme fëmijëria e autorit, në pjesën tjetër  përmes fëmijës jepen pikëpamje, mendime e vështrime karakteristike për jetën. Në shumë vjersha është i pranishëm edhe elementi përrallor, i cili gërshetohet me sukses me ato të jetës reale. Në këtë sferë shpalosen  fshehtësi e fenomene përzër me rrjedha të ndryshme të së përditshmes,në të cilën ka bimë, zogj, flutura, ngjyra  ylberi  e drerë e lule në erë. Ndoshta kjo pse shumë fëmijë në rrethanat e sotme jetësore shumë pak ose fare pak e njohin florën e faunën e këtij nënqielli.  Për krijimet poetike – të hershme e të tashme të autorit, mund të thuhet lirisht se janë lirika meditative, por dhe lirika përshkruese. Këtu, sa herë është fjala te lirika përshkruese, autori falë imagjinatës së bujshme, asnjëherë nuk bën vetëm fotografimin e pjesëve të natyrës, apo të ndonjë dukurie që ndërlidhet drejtpërdrejt me natyrën. Kjo gjë, në këtë mënyrë, nuk jepet asnjëherë e zhveshur,pa  emocion, pa figurë apo metaforë. Të ndërtuara kështu-me përkushtim, të gjitha vargjet vijnë me muzikën e vet të jashtme e të brendshme,  e fuqizojnë dinamikën  e ligjërimit,  e thellojnë ndjeshmërinë dhe zgjojnë përjetime të caktuara. Për mbresat, përjetimet e thella dhe ndjeshmërinë e vet do cekur “Në shëti me Artën”, “Bie shi në Gërmi”, “Dy lule në erë”, “Mbrëmje në Ulqin”, e sidomos pesë krijimet kushtuar detit, të cilat  shquhen për nga thellësia kuptimore, ashtu edhe për nga ritmi e muzikaliteti i tyre. Për këtë arsye vjershat e N. Halimit janë tërheqëse dhe mjaft interesante për lexuesit e të gjitha moshave.

Ja një pjesë nga poezia që i paraprin dy ciklet, atë për fëmijë dhe për të rritur –

Dhe ja, arritëm, vogëlushe.

Ky është Ulqini mes ujit e qiellit,

Mes pulëbardhës e kalasë,

Mes ulliri, e fiku, e pjeshke…

Rrënja i arrin prej amshimi

Te lulja bedençe, te ylli agon!

– Pagëzoje lindjen tënde,

– shkruama emrin, ëndrrën

e gjatë,

vogëlushe!

 

Poezia për të rritur

Vepra poetike e krijuesit të njohur Nexhat Halimi  është rrëfim meditativ lirik; shquhet për shprehjet e pasura figurative – në rrafshin e gjerë të ideve, pot dhe në atë tematik. Metafora dhe simboli janë  dy elemente kryesore që e karakterizojnë ligjëratën e tij poetike. Rrëfimi lirik- meditativ me strukturën komplekse ka bërë që vargu i tij, për nga natyra  kuptimisht të jetë i thellë deri në atë shkallë sa ndonjëherë duket i pakapshëm. Temat dhe motivet e trajtuara nga realiteti konkret objektiv marrin shtrirje më të gjerë në kohë dhe në hapësirë dhe kjo strukturë e pasur figurative shpjegohet më së miri me zbërthimin e fjalorit poetik. Fjalët – çelës Vetmia, Zjarri, Qiriri, Trëndafili, Gjarpri, Ulliri, Kalaja, Deti janë figurat më frekuentuese që e bëjnë vargun e tij të gjallë e dinamik. Perceptimi nga këndi vetjak i problemeve dhe ngjarjeve të ndryshme nga realiteti aktual gjithnjë në lëvizje, deri te e kaluara e afërt dhe e largët,  për ta transferuar lëndën poetike në mënyrën më të figurshme. Poetizmi i situatave jetësore merr një dimension më të gjerë në thellësinë e qenies poetike, si një rrjedhë e përjetësuar shpirtërisht. Kjo shihet dhe te tingëllima, si një nga poezitë lirike, e cila është një nga format më të vështira të hartimit poetik, (Me katër strofa, dy të parat me nga katër vargje, dy të fundit me nga tri vargje) – me një sistem standard rimash  të ndryshme, me rrokje të caktuara. Krahasuar me poezitë me varg të lirë, tingëllima zë një vend të gjerë te opusi i këtij krijuesi. Duke i lexuar këto perla në vargje të përfytyrohen krijuesit  që e kultivuan tingëllimën, siç janë krijuesit e traditës NikollaFilia (i pari që e shkroi tingëllimën), pastaj Zef Serembe, Ndre Mjedja etj. Libri në përgjithësi e dëshmon edhe një herë talentin e poetit të frytshëm Nexhat Halimi, të poetit me energji të madhe krijuese.

Please follow and like us: