Albspirit

Media/News/Publishing

Ibrahim Vasjari: Rrugës për në BE

Aty rreth 20 vjet më parë, nipi dhe mbesa (atëhere 4-5-vjeçarë) ma bënë të qartë:
– O gjysh, ti rri në kohën tënde! Ne jemi kohë tjetër, do nisemi për në BE.
– Eh, ç’kohë të reja, – mendova – sa të zhvilluar fëmijët e sotëm!
Pastaj u kujtova:
– Vetëm do ikni? – u thashë i shqetësuar.
– Jo, – më thanë, – bashkë me Shqipërinë.
– Epo, mirë! Sidoqoftë, qenkan të shoqëruar, qetësova veten.
Dhe nuk e bënë fjalën dy, ia hipën motorit dhe u nisën për udhë.
– Do lidhemi me telefon, – më thanë,- mirupafshim!
… Ka rreth 20 vjet që udhëtojnë për në BE. Udhës janë akoma. Shqipëria – e lodhur, e plakur, e zhgënjyer. Ata rritur e zbukuruar goxha. Më dërguan ca foto të tyre. M’u bë zemra mal e u përlota kur i pashë. Herë pas here më telefonojnë. Por. aty pardje seç më cimbisën ca merake pleqërie kur më thanë:
– Akoma gjallë je, o gjysh? Ne rrugës jemi, ja edhe pak sa të kapërcejmë ‘’ylberin’’ dhe sosemi. Me motorin kemi patur ca probleme, tani jemi bllokuar edhe nga karburanti, se na erdhi si bombë kjo rritja e çmimeve.
– Po Shqipëria? – iu thashë, – Bashkë jeni apo u ndatë? Kujdes, se ju mori lumi!
Ndieva që u përtypën pak, pastaj më thanë me gjysmë zëri:
– Eh, ai lumi… ai lumi… o gjysh… Shqipëria duket se eci kuturu, hipur një autobuzi të firmës difektoze ‘’Lali & Co’’ mori yrysh të verbër, po s’ia doli dot dhe ngeci; tani as kthehet dot pas, as bën dot përpara. Aty pas nesh e lamë, më duket se është nisur më këmbë.
– Bëhuni bashkë, – iu thashë, – mos u ndani!
– Pa merak, o gjysh, bashkë do vemi! Tani rrugës për Atje jemi, ja edhe pak sa të kapërcejmë ‘’ylberin’’ dhe sosemi.
Nuk desha t’i mërzisja as t’i dekurajoja. Por thellë-thellë më theri brenga e vjetër: ‘’Ah, ai ‘’ylberi’’ i pakapërcyeshëm i fatit tonë, i jetimërisë sonë historike! U lodhëm… kur do ta kapërcejmë”?!
Please follow and like us: