Albspirit

Media/News/Publishing

Autorizimi i Kolë Jakovës për bashkëpunëtorët e mediave letrare

 

Në kohën e diktaturës kishte disa organe shtypi: e përjavshmja ‘Drita’,  përmuajshmja ‘Nëntori’ dhe një revistë në gjuhën frënge- organe që vareshin nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve (LSHA); ‘Yllkat’, ‘Pionieri’, ‘Horizonti’, ‘Zëri i Rinisë’ dhe ‘Shkenca dhe Jeta’ që vareshin nga KQ i BRPSH; gazeta ‘Lufëtari’ dhe revista ’10 Korriku” që vareshin nga Ministria e Mbrojtjes; revista ‘Në shërbim të popullit’ e Ministrisë së Brendshme, gazeta ‘Mësuesi’ e Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës, revista ‘Ylli’, revista ‘Shqipëria sot’, etj.

Gazeta kryesore ishin ‘Zëri i Popullit’, që varej nga KQ i PPSH, gazeta ‘Bashkimi’ që varej nga Fronti Demokratik i Shqipërisë dhe gazeta ‘Puna’ që varej nga Bashkimet Profesionale të Shqipërisë. Gazeta më vete kishin edhe studentët, ajo e Universitetit të Tiranës quhej ‘Studenti” dhe ajo e Institutit të Lartë Bujqësor të Kamzës që quhej ‘Studenti i Bujqësisë; Instituti i Lartë i Arteve dhe ai i Kulturës Fizike nuk kishin një gazetë më vete. Shkolla e Lartë e Partisë ‘V. I. Lenin” kishte revistën e vet ‘Rruga e Partisë’ dhe “Studime Politike Shoqërore”. Ndërkaq në disa rrethe dilnin 27 gazeta lokale (18 në Jug dhe 9 në Veri) që vareshin nga komitetet e partisë.

Një vend më vete zinte edhe revista satirike ‘Hosteni” që varej drejtpërdrejt nga Komiteti Qëndror i PPSH me kryeredaktorin më jetëgjatë Nko Nikolla, por që fokusin e kritikave e kishte jo në të gjitha nivelet e drejtimit të partisë dhe pushtetit.

Redaksitë e asaj kohe ishin konceptuar ose me anëtarë partie, ose me bashkëpunëtorë të policisë sekrete, por vështirë ishte të bëje një ndarje se kush ishte më i paprekshëm apo më i dëmshëm, sa herë që publikohej diçka që konsiderohej kundër partisë, ndëshkimi ishte për të dy palët.

Ndodhi një herë që në një gazetë lokale, organ i Komiteti të Partisë, të publikohej një shkrim i gjatë me titullin emocionues “Vullnetaret shqiptare pas qitjes së parë” dhe për shkak se te fjala e katërt në gërmës ‘t’ ishte vënë ‘r’, pra për një gërmë u shkaktua nëj tërmet i madh. Ministri i Brendshëm i asaj kohe i telefonoi më zemërim Sekretarit të Parë duke thënë: Atë të parën e morëm vesh, na thoni kur kanë të dytën! U fshinë të gjithë me drejtues partie dhe drejtues gazete.

Shtypi në periudhën diktatoriale kishte periudha liberalizimi, por kishte edhe të tilla që nuk e merrte vesh i pari të dytin, madje disa të etiketuar si luanë, pranonin bashkëpunimin dhe ktheheshin në lepuj.

Presioni më i madh për të botuar shkarkohej te ‘Drita e “Nëntori”, mjafton të botoje një tregim apo cikël poezi te një prej tyre dhe më pas të hapej rruga për të botuar në organe të tjera që kishin edhe letërsi, por sidomos të botoje një libër në të vetmen shtëpi botuese “Naim Frashëri”.

Një bejtexhi shkonte shpesh në LSHA dhe nuk i ndahej Kolë Jakovës për të marrë një vërtetim prej tij. Kola rezistoi dhe pasi e pa që nuk i ndahej i shkruajti në makinë shkrimi: “I jepet kërkuesit për ta përdorur kur t’ia lyp nevoja”.

Ky autorizim do të ishte harruar, por marrësi i tij e përdorte vend e pa vend dhe nga ky shkak u bë problem edhe në LSHA dhe u bë një mbledhje e shpejtë dhe shokët kryesorë i tërhoqën vërejtejn Kolës që të mos lëshontë më autorizime të tilla.

Në rregull, tha me vete Kola, por ajo vetëm në tualet mund të përdoret.

 

Please follow and like us: