Albspirit

Media/News/Publishing

Fatmire Duraku: Mozaik me copëza veçantie (4)

 

Fatmire Duraku

 

Poeti i njohur, Nexhat Halimi është i dëshmuar edhe në zhanrin e prozës, në këtë rast në dramë për fëmijë dhe të rritur. Libri me drama “Fyelli i gjallë” brenda vetes përmban pesë drama për fëmijë, të cilat janë realizuar me një mjeshtri të rrallë artistike. Libri hapet me dramën “Hija e dytë”, “Trëndafili me zemër”, “Vetëtima e shpatës”, “Gjykimi i Apollonit”  dhe “ I plagosuri”. Kjo dramë, e shkruar derisa autori ende ishte nxënës i gjimnazit,  fitoi shpërblimin e vetëm për fëmijë nga Qendra për Kulturë e Kosovës (1966), në të njëjtën kohë me tematikë të dramës do të realizohet stripi, në revistën “Gep” më 1967, nga piktori i shquar Salih Lutolli-Adi. Në librin e dytë me drama për fëmijë “Kotelja e artë” do të botohen “Shilarthi nën hënë”, “Dea dhe Lea” dhe “Plaku me gjelin”.

Tufë lirike e pjesëve dramatike, thekson Shefqet Rexhepi ndërsa shkruan për librin: ”Fyelli i gjallë”, botuar nga Shtëpia Botuese “FAD”. “Fyelli i gjallë”, përmbledhje prej pesë pjesësh dramatike për fëmijë, e shkrimtarit të sprovuar Nexhat Halimi, është një kumt i mirë që tregon se shkrimtarët tanë përballë frymëzimeve të shumta,nuk lënë anash as botën fëmijërore. Para lexuesve të vegjël dhe jo vetëm atyre, shkrimtari i më shumë se 20 veprave, kryesisht në poezi, sjell pjesë dramatike që ndryjnë në vete ngjarje e veprime, të cilat ngjallin kërshërinë, jo vetëm për t’ u lexuar, por edhe për t’ u vënë në skenë.

Gjuha poetike nuk vjen si diçka e imponuar

Libri prihet nga “Hija e dytë”, me një temë nga çapkënëritë e fëmijëve në një ambient shkollor. Një grup nxënësish zhurmshëm komunikojnë, ngacmojnë njëri-tjetrin, këmbejnë “etiketime” me fjalë poetike, bisedojnë për dashurinë, librin, baltën, yllin. Nën këtë zhurmë, duke dashur të befasojnë një shok të tyre, ia vjedhin disa para në dhomën e përgatitjes për orën e edukatës fizike. Në shkollë krijohet një gjendje tensioni, ndaj nis një “proces hetimi” nga ana e pedagogut të shkollës, për të parë se kush ishte ai që dëshiron t’i hedhë hije të keqe shkollës. Mirëpo, në fund zbulohet se vjedhja kishte qenë vetëm një dëshirë për të befasuar shokun e tyre Edin, të cilit me ato para ata i blejnë një libër, pikërisht atë që ai kishte ndërmend edhe ta blejë.

Në pjesën “Trandafili me zemër” shtjellohet tema e dashurisë ndaj nënës. Vëlla e motër nga paratë e kursyera dalin t’ia blejnë nënës së tyre një tufë trëndafilash. Mirëpo, në shitoren e luleve ata ndeshen me shitësen dhe me njerëz të tjerë për të shpaluar edhe motive të tjera në zhvillimin e veprimit të kësaj pjese. Dialogët trokasin e shpërthejnë brenda enigmës së trëndafilave të bardhë e të kuq, vargjeve të Zhak Preverit etj. Pjesa “Vetëtima e shpatës” është një lexim i kështjellës së Ulqinit nga brenda e nga jashtë. Tregohet e kaluara e Ulqinit, plaga e mërgimit, shkëlqimi dhe heroizmi i ulqinakëve, nëpërmjet heronjve Bego Babotit dhe Likacenit. Mirëpo, këto ngjarje të së kaluarës së lavdishme në mënyrë mjeshtërore tejkalojnë ligjërimin historik, sepse përshkohen nga të papriturat, nga episode të shumta, siç është trimëria e Likacenit, i cili arrin të zërë rob trimin e madh grek Karallampo, ndërsa me shkathtësitë e tij për t’ i ikur një kurthi të sulltanit, arrin të marrë titullin hero i Perandorisë Osmane.

Mirësjellja dhe mbrojtja e ambientit, e shikuar nga një sy autentik, është temë e pjesës ”Gjykimi i Apollonit”. Një djalë kryeneç sillet vrazhdë në shkollë, por edhe kudo në ambientin që e rrethon. Ai thyen e përlan gjithçka gjen para vetes: turbullon liqenin, thyen degët e pemëve, s’lë rehat shpendët. Shih për këtë organizohet një gjykim për këto vepra të pamira që bën ai. Djaloshin e shpëton gjyshi, i cili u jep besën Verës dhe shpendëve se Apolloni më s’ do të bëjë veprime të këtilla.

Në pjesën “I plagosuri” autori shtron temën e luftës kundër dhunës serbe në Kosovë,e cila u shkallëzua sidomos nga fundi i viteve ’90. Tre fëmijë nisin aksionet kundër militarëve serbë: duke vënë pllakate, duke bërë përpjekje për t’iu kundërvënë me armë ushtrisë serbe. Gjithçka bëjnë ashtu si dinë ata, pa ditur kush për këto veprime. Ata arrijnë t’iu bashkohen ushtarëve të UÇK-së. Pjesa është dëshmi e zgjimit kombëtar, por edhe e respektimit të parimeve të luftës nga ana e ushtarëve që luftojnë për liri. Kemi dy episode interesante në këtë pjesë. Roja serbe, të cilën këta fëmijë bëjnë përpjekje ta zënë rob, është me përkatësi të përzier kombëtare, ndaj nuk shtie në fëmijët, madje ai braktis edhe ushtrinë vrasëse. Ai arrin që edhe një ushtarak tjetër, po kështu me përkatësi të përzier (nënën e kishte myslimane, ndërsa babanë kroat) ta largojë nga ushtria serbe. Ushtarët e UÇK-së respektojnë parimet e luftës, ata megjithëse humbin një shok në luftime, pasi vrasin në betejë komandantin e ushtrisë armike, robërojnë edhe disa ushtarë, por me ta sillen në pajtim me ligjet e luftës.

Lirizmi në asnjë moment nuk zbeh linjën e zhvillimit dramatik të situatave

Këto tema ndërtohen e zhvillohen nëpërmjet veprimeve të motivuara, qoftë si mesazhe aktualizuese e rikumbime, qoftë si stil i të shkruarit e i formësimit, që është paksa i veçantë në këto pjesë dramatike. Shkrimtari i shtron vetes dy detyra në këto projeksione, sepse dihet, pjesët janë shkruar edhe për lexim, por gjithsesi me qëllimin final për t’u vënë në skenë. Së pari të sigurohet një brumë, lëndë dramaturgjike, që do ta mbajë gjithnjë të ndezur vëmendjen e të rinjve, duke ndjekur veprimin e ngjarjes në skenë dhe njëkohësisht, secila skenë, madje edhe tërë shfaqja të ketë një tingëllim lirik. Hovet lirike gjithsesi nuk vijnë këtu vetëm pse shkrimtari është i lindur poet, e dëshmuar kjo me një poetikë të sublimuar në sa e sa vëllime poezish, përkatësisht pse nuk ka mundur t’i ikën vokacionit të tij poetik, por pse ka dashur që veprimet në tekst dhe si rrjedhim edhe në skenë, të nxisin imagjinatën krijuese të fëmijëve. Gjuha poetike e këtyre pjesëve nuk vjen si diçka e imponuar, ajo rrjedh e kumbon brenda veprimeve dhe ndeshjeve të personazheve. Fjala poetike ka këtu disa funksione: shënjimin e identifikimin e personazheve, procesin e shpalosjes së botës shpirtërore të fëmijëve, ballafaqimin e nuancuar të dëshirave dhe synimeve të tyre. “Jeta nuk është lojë… është fluturim nëpër hark të ylbertë, me kokën në cung e këmbët në pranga”, diçka ashtu si Mjeda që klithte dikur: ”Lirin e keni ju! Na hekra kemi”. Kemi të bëjmë me fëmijë të rritur para kohe, kur teknologjia kishte arritur vetëm deri te gramafoni, mirëpo kjo nuk i pengon, përkundrazi i motivon ata fuqishëm për të kërkuar “një libër për baltën dhe yllin”, si simbole të atdhedashurisë, të ndriçimit dhe të lirisë. Në zhvillimin e veprimeve Halimi di të hedhë në lojë krejt padiktueshëm të papriturën, që do shndërrohet në levë të zhvillimit të përshkallëzuar të veprimeve. Në këtë frymë bien në sy disa depërtime të lehta psikologjike në vetëdijen e fëmijëve, siç është rasti me inkuadrimin e dytëshorit (kipcit) në vetëdijen e fëmijës, gjakut të përzier të personazheve nga pikëpamja kombëtare, dilema rreth zgjedhjes së trëndafilave, përpjekja për të demitizuar çdo gjë që i rrethon fëmijët në lojën e tyre të përditshme, në ballafaqimet me ambientin natyror, shtresimet historike, luftën kundër dhunës etj.
Ai zgjedh këtë prosede i bindur se fëmija më së miri, duke filluar pikërisht nga kjo fazë, duhet të formojë botën e tij dhe kjo mund të arrihet, sidomos nëpërmjet lojës spontane,f jalës plot fantazi e reflektime, të përshkuar edhe nga shprehja lirike e dëshirave, hoveve dhe mendimeve. Duke ecur kësaj rruge shkrimtari arrin disa qëllime: nxit botën imagjinatave të fëmijës, e bën atë pjesëmarrës aktiv në veprimet që zhvillohen, pasuron botën e tyre refleksive e të ndjenjave ,duke arritur që të përçojë, udhës sa më autentike, e sa më joshëse, mesazhin te fëmija,e pse jo edhe te shtresat tjera të lexuesve.

Poetikja, lirizmi, ndërkaq në asnjë moment nuk zbehin linjën e zhvillimit dramatik të situatave. Në këto pjesë dramatike nuk vërehen momente heterogjenizuese, shpërqendrimi, përkundrazi ruhet kohezioni i ndërtimi të veprimit, pa të cilin jo vetëm që nuk ka lojë fëmijërore, por as linjë dramatike veprimi, qoftë si tekst, qoftë si shfaqje. Në funksion të strukturës së ngjeshur të këtyre pjesëve dramatike, dialogu shtreson vrull vërtet magjeps. Ai zhvillohet shpejt, duke kaluar rrëmbyeshëm nga një moment në tjetrin, por pa cenuar asnjëherë ndërlidhjen, gradualen e zhvillimit të veprimit, e si rrjedhojë edhe të mesazhit. Dialogët vlojnë brenda ballafaqimesh, përshkohen nga lirizmi, megjithatë rrëfimet para syve të fëmijëve këmbehen shpejt e shpejt, për të mbajtur gjallë gjithnjë përqendrimin e lexuesit, por edhe shikuesit në rastin e inskenimit.

“Fyelli i gjallë” iu jep edhe një mundësi të shkëlqyer teatrove tona për fëmijë për të inskenuar këto pjesë dramatike, të cilat besojmë fort se do të joshin e bashkëjetojnë me kërshërinë e fëmijëve. Ato janë një lëndë e mirë edhe për ekranizime televizive, duke ditur se në këtë fushë ende jemi larg përmbushjes së dëshirave të fëmijëve.

Veprime tonesh të forta poetike, shkruan Shefqet Rexhepi me rastin e botimit të librit me drama “Kotekja e artë”.

Shkrimtari i mirënjohur, Nexhat Halimi, para lexuesve doli edhe me një përmbledhje pjesësh dramatike, me titull “Kotelja e artë”, e cila u botua pikërisht në vigjilje të vitit të cilin po e lëmë pas, në përbërje të së cilës kanë zënë vend  pjesët: ”Shilarthi nën hënë”, “Dea e Lea” dhe “Plaku me gjelin”. Para kësaj, nga i njëjti autor u botua “Fyelli i gjallë”, përmbledhje prej pesë pjesësh dramatike. Kjo është edhe një dëshmi se penda e mprehtë e këtij poeti gjakon të sprovohet edhe më tutje me botën fëmijërore, mbi të cilën pos këtyre pjesëve dramatike, më parë ka botuar edhe dy përmbledhje poetike dhe tri përmbledhje tregimesh. Temat e dy pjesëve të para të këtij libri më të ri kanë të bëjnë me dramën familjare, në të cilën protagonistë kryesorë janë fëmijët, por derisa në të parën fëmijëve desh iu mpihen dhëmbët nga raporti i çakorduar ndërmjet dy bashkëshortëve të rinj dhe prindërve të tyre, në të dytën, gjithçka nis nga çapkënllëqet e loja fëmijërore, që ndonjëherë shoqërohen edhe me ndonjë grindje, por që gjithnjë kanë në sfond dashurinë e miqësinë e çiltër. Gjithë kjo, me ndjeshmëri e takt orientohet në favor të vënies së bazave të mirëfillta shoqërore ndërmjet fëmijëve, duke i larguar ata nga veset, siç është xhelozia. Ndërkaq, në pjesën e tretë shkrimtari trajton temën e luftës së fundit serbo-shqiptare, përkatësisht veprimet gjenocidale të ushtrisë serbe mbi popullsinë shqiptare në Kosovë, kundruall heroizmit të pashoq të shqiptarëve , të cilët u detyruan që edhe me duar e me thonj të mbrohen nga gllabërimi i egër serb.

Ndërtim koherent i veprimeve

Pjesa :”Shilarthi nën hënë”, nis me një skenë të zymtë që kishte pllakosur një familje, si pasojë e konfliktit në mes resë dhe vjehrrës, i cili kishte shkuar deri aty sa në dejtë e tyre dukej se rridhte vetëm ” natë, mllef, urrejtje”. Shkrimtari nis ta zbërthejë këtë ndeshje brezash pas konfliktit, pra ai merret

me pasojat e tij, të cilat ndihen rëndë e dhembshëm, jo vetëm ndërmjet bashkëshortëve të rinj , por edhe mbi shpirtrat, që sapo formoheshin të fëmijëve. Në këtë kontekst ballafaqimi, autori thur një intrigë në kuadër të së cilës pikërisht nipërit bëhen heronj të vërtetë, për të mos lejuar që gota që ishte në rënie e sipër të thyhet. Optimizmi i fëmijëve shprehet bukur brenda fjalëve:” “Ç’ kënaqësi të luhatesh këtu lehtë dhe të meditosh… për zogjtë, për miqtë, për poezinë”, sepse pikërisht fëmijët “krijojnë shpejt kullën e botës së vet, brenda së cilës udhëtojnë ëndrrës”. Pranimi i fajit nga ana e vjehrrës çel udhën për zgjidhjen e problemeve, ndërsa në tërë këtë kontribuon edhe mësuesja e fëmijëve, e cila kishte vërejtur se në hartimet e tyre kishte “gulçimë të thellë,një rënkim, një ndrydhje”. Sheshazi del kontributi i institucionit të shkollës, si simbol i ndërtimit të së resë, që i mëshon fuqishëm shkelm atavizmës, për ta kthyer gjendjen normale në jetën e kësaj familjeje, si parakusht esencial të ndërtimit të së ardhmes së lumtur, posaçërisht të fëmijëve.

Krejt i kundërt me këtë rrjedhë ballafaqimi e veprimi është toni dhe mesazhi i pjesës “Dea e Lea”, në të cilën ndërmjet dy vajzave lind konflikti mbi bazën e xhelozisë, sepse Lea, e cila kishte një kotele, nuk lejon që me atë të luajë edhe shoqja e deridjeshme, Dea. Në këtë rrjedhë ballafaqimi e grindjeje ndërhyjnë mësuesja dhe sidomos gjyshi i Deas, i cili me një figuracion të rrallë, kështu e portretizon mbesën e tij:”Kaq e vogël dhe kaq e urtë kroi magjik i gjyshit, mbi të cilën ndrit amshueshëm ylli i agut”. Kullën e afërsisë e të dashurisë shkrimtari pra e ndërton nëpërmjet episodit të sigurimit të maces për Dean, nga ana e gjyshit të saj, dhe kur të dy vajzat tashmë kanë nga një mace, i kthehen njëra shoqes me tërë dashurinë që kishin pasur gjithmonë, madje këtë e tregojnë edhe me faktin se macet i kishin pagëzuar përkatësisht me emrin e shoqes. Vjen kështu pajtimi i shoqeve në mënyrë shumë të motivuar, madje duke u ndërtuar edhe artistikisht me gjeturi, nëpërmjet ndërtimit të një veprimi gradual , gjithnjë koherent, duke zgjuar kërshërinë e lexuesit, e meqë pjesa shkruhet për teatër, realisht mund të pritet që të zgjojë emocione edhe te shikuesit.

Të dy këto pjesë kanë një intonim të fortë poetik, përshkohen me plot figura, të cilat karakterizojnë mirë e mirë portretet e personazheve, që do të kenë reflektim mbresëlënës te lexuesit e shikuesit. Autori shihet lehtë se ka qenë mjaft i frymëzuar gjatë shtjellimit të veprimeve të këtyre dy pjesëve, duke synuar me këmbëngulje që ballafaqimet t’ i përçojë brenda vrushkujve poetik. Mirë që kjo rrjedhë e të folurit, ky gërshetim poetik, nuk e ka dëmtuar veprimin, sepse në mungesë të kreacionit do të mund të reflektohej negativisht në gradacionin e ballafaqimeve.

Ngjallje e motivuar e emocioneve dhe ankthit

“Plaku me gjelin” sjell një temë krejtësisht tjetër nga dy të parat. Që nga fillimi i kësaj pjese vërehet ajo urrejtja patologjike e aparatit shtetëror serb ndaj popullsisë shqiptare, e cila ishte e shtresuar edhe te qytetarët serbë, që deri dje ishin fqinj me shqiptarët. Shih nga kjo, një plak, ashtu si edhe mijëra e mijëra të tjerë , detyrohet të marrë malin, do të thotë të ikën nga vrasja ashtu si mundet e gjendet. Për fat të keq, në këtë ikje të llahtarshme përfshihen edhe fëmijët: ”Ja se si gjuhë të egra flakësh duan të djegin qiellin”. Shiko nënë”, është një klithmë tragjike e një fëmije. Një episod nga më tronditësit gjithsesi është ai i një nëne , e cila derisa ishte në ikje me tre fëmijë, për një moment sa nuk bie pre e dhunimit nga një ushtar serb, dhe vetëm përmbajtja, gjakftohtësia e trimëria mbinjerëzore atë e shpëtojnë nga kthetrat e tij. Kjo grua të kujton Plakën Nicë. Edhe kjo me shkathtësi të pashoqe e mbyt ushtarin serb, megjithëse ai ishte i armatosur gjer në dhëmbë.

Ndërkohë , kolona shqiptare që kishte braktisur shtëpitë nga terrori serb takohet me ushtarët e UÇK-së, por këta nuk veprojnë si të verbër, dinë të dallojnë edhe ata serbë që nuk iu kishin bashkuar hordhive të egra, ose edhe kishin kontribuar për shpëtimin e shqiptarëve. Nga rrjedha e veprimeve shkrimtari sinjalizon se liria është në prag, megjithatë, ajo po vinte me pasoja të rënda. Gjithë kjo jepet me një përshkrim ngjethës, që del nga goja e një fëmije:”Agu… ja shih gjysh, krejt gjak përvidhet mes degësh e lulëzon në flakë”. Edhe në këtë pjesë gjuha poetike e Halimit vërshon lehtë, me invencion, ajo buron nga ndeshjet e personazheve, nga ndeshja e mendimeve, dëshirave e veprimeve të tyre, ndaj figura poetike nuk e ngadalëson, nuk e bën në asnjë moment heterogjen veprimin, përkundrazi ajo ngërthehet natyrshëm në kohezionin e veprimit, shoqëruar me një gradacion e intensitet që ngjallin meditime, emocione e ankth, duke e bërë ecurinë e pjesëve të afërt me psikologjinë e fëmijëve. Gjithsesi, me pjesën “Plaku dhe Gjeli”, Nexhat Halimi jep provimin si një skalitës i mirë i njëmendësisë ngjethëse të një kohe. Ai me mjeshtri mban prore gjallë intensitetin e veprimit, duke ndërlidhur e mishëruar me masë e homogjenitet situatat, të cilat me zhdërvjelltësi shkrihen në vorbullën e ngjarjes kryesore, e si rrjedhim, në mënyrë autentike përcjellin mesazhet te lexuesit.

Të tri pjesët për nga ana e mbarështimit janë krijime të arrira, ndaj regjisorëve u japin lëndë të bollshme dhe joshëse për t’ i vënë në skenë, ku këto pjesë do të bënin jetën e vërtetë të tyre, apo thënë me fjalët e Gogolit, do të jehonin më zërin e plotë të tyre. Pse të mos shpresojmë se Halimi, si njohës shumë i mirë i botës fëmijërore, do të vazhdojë këtë rrugë të rrahur mirë e mirë, për ta pasuruar në vijim edhe më opusin e vet dramaturgjik. Shtresa e fëmijëve të moshës 7 deri 15 vjeçare vërtet kanë nevojë për këso vepra, jo vetëm për t’ i lexuar, por edhe për t’ i vënë në skenat e shkollave, apo të teatrove të qyteteve tona. Kush e di, mund të ndodh që ky krijues, që për nga vokacioni është poet i shtresave të thella poetike, i lirikave aq të nuancuara tingëllore e refleksive, dëshiron që edhe nëpërmjet këtyre pjesëve dramatike, t’ ua ofrojë e zbulojë shtresave të lexuesve të rinj, edhe çelësin e alkimisë së figuracionit të tij të pasur poetik. Pse mos ta trimërojmë edhe në këtë shteg krijuesin aq energjik në letrat tona?

Zë i fuqishëm kundër harrimit

Nexhat Halimi botoi dramën  “Angështia” te Shtëpia Botuese “Fad”, në Prishtinë,

Shkruan Kaltrina Meka.

…Brenda një shkrimi letrar-një drame, po s`ngjau të  jetësohen çaste, ngjarje, rrjedha,  po s`ngjau të krijohen  rrugë të shumta përjetimi,  të krijohen  zgjidhje të  shumta  rikrijimi dhe rikuptimi,  të zgjohen të fshehta-magjike, që të ngjallet fjala e fjetur  në libër dhe të marrë shpirt  në skenë,  atëherë aty ka pak gjasa të hyjë drita, të pikojë dhe të flasë gjaku, të baraspeshohet imagjinata me realen, të ndihet dhe ndërlidhet deri në fund  fryma e intrigës me trungun e jetës. Gjithë kjo mund të realizohet dhe është domosdoshmëri për një krijim artistik të mirëfilltë.  Nexhat Halimi, tashmë i njohur në poezi, prozë e dramë, e shënon këtë të arritur me shumë sukses dhe pikërisht kjo mendoj e radhit ndër autorët e mirë te ne. Fjala është për dramën “Angështia”, në të cilën shtjellon një temë nga vorbulla e luftës së fundit atdhetare në Kosovë. Halimi, dramën e vet e ngre mbi motivin e dhunës së egër të ushtrisë e policisë serbe, me kaq pasoja për popullin duarthatë. Apostrofohet sidomos urrejtja patologjike kundër femrës shqiptare, e cila nga armiku cilësohet fajtorja kryesore për përtëritjen e jetës në këtë tokë kaq herë të djegur deri në gur dhe prapë të rikthyer nga gjaku i derdhur… Drama nis me ikjen e një fshatari nga hordhitë serbe. Ai – për një dritare, ia del të hyjë në një shtëpi përplot gra e fëmijë-refugjatë, ku nuk ka burrë mes tyre. E zonja e shtëpisë – në pamundësi të gjej zgjidhje tjetër për të, i sugjeron të fshihet në dhomën e saj të gjumit, nën shtrat. Ai, natyrisht, nuk ka udhë tjetër. Ndërkohë, militarët serbë, ia behun në shtëpi. Oficeri serb sulet për ta dhunuar zonjën e shtëpisë, nënë e pesë fëmijëve. Gruas – për t`i ikur poshtërimit, nuk i ndihmojnë as stolitë e arit, që ia ofron dhunuesit.  I ikuri – i fshehur nën shtrat, tërë këtë akt e ndjek  përmes pasqyrës. Ai sa herë hamendet të dalë dhe të qërojë hesapet me oficerin, veçse është i vetëdijshëm se kjo do të thoshte të vriteshin gratë e fëmijët-refugjatë, të strehuar në shtëpi. Kjo e shtyn të heq dorë dhe të përjetojë vdekjen për së gjalli nën shtratin, në të cilin oficeri serb e poshtëron gruan. Akti i dhunshëm ndaj gruas, serbe e martuar për një shqiptar, i cili gjendet në radhët e UÇK-së,  nis spiralen vertikale psikologjike. Të ikurin e bren ndërgjegjja dhe nuk ia del t`ia fal vetes heshtjen e vet nën shtrat, ndërsa “derri” serb keqpërdorte gruan e luftëtarit të lirisë. I fshehuri nën shtrat betohet se nuk do të qetësohet kurrë pa u hakmarrë. Ik – i turpëruar nga shtëpia, vërtitet nëpër mal, gjysmë i çmendur. Ndërkohë, ia pret udhën njësitit serb, ia del ta vrasë oficerin, në strajcën e të cilit gjen sy, veshë, gishta shqiptarësh, që ai i barte t`i shpjerë në Serbi – trofe lufte. Aty gjen edhe stolitë e arit të gruas së dhunuar. Gjendja e tij gjithnjë e më shumë keqësohet. Të marrë veten i ndihmon një bashkëfshatar, por edhe një luftëtar, i cili – po kthehej në shtëpi. Luftëtari e merr me vete njeriun gjysmë të çmendur dhe niset me të në shtëpi të vet, aty t`i ndihmojë pak-pak të kthehet në vete. Befasia është tmerrësisht e rëndë, i ikuri ballafaqohet prapë sy më sy me gruan e dhunuar… Drama është thurur me mjeshtri; me intuitë të rrallë, me një ndjenjë të veçantë të ndërtimit të veprimit të dramës. Situatat, të përshkruara me tone tragjike, herë – herë të kompozuara edhe me shprehje lirike, bëjnë mozaik të ndërtuar në një mënyrë autentike. Gjë që ngrit gjithnjë emocion është ndjenja e fajësisë së qenë dhe të paqenë, të shpërfaqura në skenë të gjerë, sikur në ndonjë kështjellë që ndërtohet nga skalitës të mirëfilltë. As vendimi i palëkundur që të hakmerret nuk kalon pa zgjuar  tallaze të mëdha brenda shpirtit. Ai hakmerret dhe , natyrisht, sado që  hakmarrja është diçka që e liron sado pak nga ngarkesa e rëndë që ndien i ikuri, papë te ai, si dhe  te gruaja e dhunuar, pasojat mbesin të thella, plagët të pashërueshme. As ajo as ai nuk duan ta kujtojnë atë që përjetuan, por brenda vetvetes ajo megjithatë është e pranishme, i ndjek dhe i mundon. Drama është shkruar me një stil të rrjedhshëm, të qartë e të afërt, e cila gjë bën që lexuesit ta përjetonin deri në fund, e sidomos kjo do të ndodhte me shikuesit – dashamirë të tetarit, sikur drama të inskenohej, me ç`rast  do të merrte dimension të ri, do të merrte shpirt, jetë… Për fund, do cekur, se ky tekst i realizuar me shumë përkushtim  e  mban kujtimin gjallë të popullit për katrahurat që përjetoi nga policia dhe ushtria, e sidomos nga paramilitarët serbë, duke mos i harruar për asnjë çast masakrat e papara. Lufta këtu – në dramën “Angështia”, e shtrin vetëm hijen e vet të rëndë, ndërsa përplasjet ndodhin  brenda personazheve, të cilët pësojnë. Drama, me të gjitha tiparet që ka,  ngjallë mbresë të jashtëzakonshme edhe gjatë leximit, por vërja në skenë gjithsesi do ta ndriste edhe më fuqishëm  këtë lëndë impresive dramaturgjike, përmes së cilës autori nuk thërret për hakmarrje, por ngreh zërin kundër harrimit.

 

Dramë me dialog të rimuar

 

Drama “Aurora” e autorit të shquar Nexhat Halimi ( publicist, prozator, poet e dramaturg), në mënyrë shumë origjinale-dramatike, shtjellon një ngjarje nga lufta e fundit atdhetare në Kosovë, shkruan Kaltrina Meka. Në qendër të veprimit është një çift bashkëshortorë me kombësi serbe, pra grua e re e martuar për një burrë i cili me çdo kusht dëshiron të ketë një fëmijë. Fëmija i cili lind është fryt i një dashurie të një të riut me kombësi shqiptare. Vitet ikin dhe fëmija rritët me një baba me botëkuptime  të një njeriu plot urrejtje. Kjo gjë sa vjen e shndërrohet në mos durim të hapur përballë fqinjëve, ndonëse ai është kolon i hershëm dhe jeton në tokën e huaj. Fqinjët, të përballur me një rrethanë të tillë, të varfër dhe tejet veçantë, sillen mirë me gruan e tij të re. Njëri nga ta dashurohet në gruan e re dhe  nga ajo dashuri u lind një djalë. Burri serb i bindur në shterpësinë e tij e hesht shtazanin e gruas, të cilën e ka blerë për një lopë. Ikin në këtë mënyrë vitet dhe djali rritet. Shpërthen lufta dhe nëna nuk i tregon djalin për të vërtetën e ktë gjë nuk e bën as shqiptari, ndonëse serbi vdes. Gruaja largohet nga Kosova dhe ikën në Serbi me të vërtetën e heshtur se djali i tij është i fqinjit shqiptar. Gjatë luftës së fundit në Kosovë babë e bir hasen përballë njëri tjetrit. I biri i armatosur nën uniformën serbe, ndërsa babai shqiptar-i varfër, i sjellshëm dhe duar thatë. E vetmja që mund ta shpëtoi të birin që mos ta vret të atin e vet legjitim është Mara-nëna, e cila tashmë është larg që t`ia thotë të vërtetën.

Ndërkohë, fshatari i varfër shqiptar gjendet para vdekjes. E lut djalin, ushtarin serb t`i kujtoj fjalët e mira të nënës për të dhe me këtë rast i tregon për të vërtetën. Këtë gjë ia dëshmon dhe fshatari tjetër, në të njëjtin rresht për t`u vrarë. Kjo ndopak ia thyen mendjen ushtarit serb dhe i falë të ikin, mirëpo ai nuk mund të lirohet me barrën shpirtërore që i ngarkohet papritur. I kujton rastet e bisedës me nënën, me babanë serb të egërsuar dhe në këtë mënyrë bindet se në tërë këtë rrjedhë diçka nuk ecën mirë. Situata sa vjen e ashpërsohet. Ikje nga kjo nuk ka dhe djali provon të vetëvritet.

Afër e ndjek babai i vet legjitim dhe bën përpjekje ta shpëtojë nga ky akt i rëndë. Ai është i ri dhe vetëm uniforma e huaj e bën njeri të huaj!

Teksti, për të cilin po shkruaj është një ndërthurje  psikologjike, me domethënie të rëndë, me skena nga më të ndryshmet, të cilat i sjell lufta. Ka ndjekje e ikje, Ka dhunime, maltretime e vrasje të atyre, të cilët kaq të pafajshëm jetojnë në tokën e tyre dhe ndiqen gjithnjë nga thika e përbetuar serbe.

Personazhet janë:  Unë,  joUnë, i Treti, Mara, Mirko, Hija, Plaka, Ushtari, Ushtari I, Gruaja, Oficeri, Ushtarë e Qytetarë me të gjithë së bashku  autori ka realizuar një dramë unike.

Drama është shkruar me një stil të rrjedhshëm, të qartë e të afërt, e cila gjë bën që lexuesit ta përjetonin deri në fund, e sidomos kjo do të ndodhte me shikuesit – dashamirë të tetarit, sikur drama të inskenohej, me ç`rast drama do të merrte dimension të ri, do të merrte shpirt, jetë në skenë para shikuesit…

Shkrimi fund e krye përshkohet me pamje, fjalë e veprime shumë të përshtatshme për skenë, por në të njëjtën kohë është mjaftë i afërte edhe për lexim. Në të shumtën e rasteve dialogët kanë rima.

Ky tekst i realizuar me shumë përkushtim – do ta mbante kujtimin gjallë të popullit për katrahurat që përjetoi nga policia dhe ushtria, e sidomos nga paramilitarët serbë, duke mos i harruar për asnjë çast masakrat e papara. Lufta këtu e shtrin vetëm hijen e vet të rëndë, ndërsa përplasjet ndodhin  brenda personazheve, të cilët pësojnë. Drama nuk thërret për hakmarrje, por është zë kundër harrimit.

 

Ankora

 

Me logon e Shtëpisë Botuese ”Fad”, në Prishtinë,  doli nga shtypi libri më i ri i Nexhat Halimit “Ankora”, thekson Kaltrina Meka.

Kjo dramë, spikatet  me çaste, raste e ngjarje dramatike dhe mjaft emocionale nga lufta e fundit atdhetare në Kosovë. Ky tekst, i përqendruar me rrjedha psikologjike, paraqet  inserte, përshkrime dhe dhembje në mënyrë mjaft të prekshme në fshatin kufitar me Serbinë, në Dumnicë të Llapit. Në të njëjtën kohë, pamje ,copëza e ngjyra të luftës së fundit bartin në vete personazhet duarthatë. Ata ikin nga vatrat e veta, me pak gjë apo asgjë me vete. Kalojnë nëpër flakën e luftës, nëpër ngjarjet  tragjike, duke krijuar   kolonë të përbërë nga të ikurit përreth dhe kurmet e tyre, ama – secilit drita e shpirtit u mbetet ndez në pemët, në lulet, në barin rreth shtëpisë. I zgjidhin kafshët e i lënë të lira e nisen. Shpirti i  tyre mbetet megjithatë aty, në dheun e lashtë. Ngjarjet përgjasojnë, siç ndodhi herë më parë me njerëzit e gjakut tonë nga Toplica, Çamëria dhe  viset e shumta të mbetura jashtë trungut.

Personazhet e flasin, secili në mënyrë të vet, nga një damar të jetës që në secilën pëllëmbë kanoset të këputet. Shpresa megjithatë nuk i lë. Ecin dhe arrijnë në qendër të fshatit Dunmincë. Aty hasin në të vrarë – gra e fëmijë. I varrosin si munden dhe pastaj të gjithë bien në kurth, kapen në rreth pa shteg…

Megjithatë, ata nuk jepen. Njëri e lë bastunin në Skenë, një tjetër e lë gjelin, kënga e të cilit në duart e një fëmije jehon mbi fushat e malet mitike shqiptare. Skena nuk ngel e zbrazët. Përsëritet ajo që ka ikur. Personazhit të parë i dëgjohet këmbimi i  bastunit dhe i shihet hija, tjetrit i mbetet Shtamba, të tretit Qeni. Në këtë mënyrë, personazhet flasin, ecin dhe e bartin Kosovën në vete. Largohen në mjegull… Njëri ia del ta merr Gjelin me vete, Tjetri Qenin, i treti Shtambën me ujë burimi, i katërti  e bart në shpinë një Thes me kockat e familjes, i bindur se më nuk do të kthehet as në shtëpi as në varre, siç i ngjau më parë stërgjyshit të tij dhe ky mbeti pa yrtin e shpirtit, në bredhje të egra dhe në mall për dheun e vet.

Nuk ndodh krejt ashtu, meqë fëmija e mban gjelin në duar, Çupa pi ujë nga shtamba, e përkëdhel qenin, e jeta rrjedh. Bien dritat e para të mëngjesit  dhe liria nis e ec për binarët e vet.

Drama ka një ndërthurje  të veçantë dhe personazhet janë latuar me mjaft mjeshtri.

Teksti teknikisht është punuar nga Dea Halimi, e cila e ka përgatitur edhe ilustrimin në ballinë.

 

Poezia e Ilirisë

 

Florim  Shatrolli,  në shkrimin e vet duke e prek dendur poezinë e librit “Narcis i gjakosur” thekson  se Nexhat Halimi, i dëshmuar deri më tani si një nga poetët më të spikatur dhe të shquar të letërsisë bashkëkohore shqipe, ka krijuar stilin e tij të veçantë, lojën, qasjen dhe artikulimin në zhanre të ndryshme letrare, e me fokus dhe në mënyrë shumë specifike në idetë, imazhet dhe artin e tematikës së poezisë shqipe. Edhe në vëllimin poetik “Narcis i gjakosur”, rithekson zotësinë e tij prej një talenti të rrallë të shprehjes së ndjenjave dhe frymëzimit me anë të poezisë, siç e thotë autori “nuk dëshiroj të ligjëroj”, por vetë vargjet e tija janë bërë temë shumë e fuqishme e diskutimeve dhe ligjërimeve poetike në letërsinë bashkëkohore mbarë shqiptare, e në mënyrë të posaçme vëllimi poetik “Narcis i gjakosur”, që me një xhelozi letrare, thur vargje për Ilirinë, për paraardhësit dhe të parët tanë.

Në mesin e poezive të përfshira në vëllimin poetik “Narcis i gjakosur”, ai ka bërë një laramani temash të trajtuara, duke bërë kështu që ky libër të ketë cilësi, në radhë të parë, pastaj edhe rëndësi të shumëfishtë, për faktin se nga ajo që shihet brenda këtij vëllimi, poeti ka përfshirë ato poezi, tema e së cilave është më e rëndësishmja për kohën bashkëkohore, duke trajtuar një temë shumë të rëndësishme në gjithë këtë vëllim, pra temën Lirisë dhe Ilirisë, vendit ku janë shtrirë të parët tanë. Qasja dhe trajtimi i kujdesshëm, me nuanca e ngjyrime të së bukures dhe figurave që simbolizojnë sakrificën, guximin dhe trimërinë e të parëve tanë. Artikulimi përmes vargjeve në rrethana sistematike të lëvizjeve dhe ndryshimeve te ilirët (shqiptarët) që nuk u ndërruan kurrë, në vargje shihet qartë se Halimi, ka zhvilluar tematikën e vuajtjeve dhe sakrificave të vazhdueshme që kanë bërë të parët tanë, por që këto sakrifica po i bëjnë dhe do i bëjnë edhe pasardhësit e ilirëve. Pra shqiptarët e coptuar në shumë vende në mënyrë të padrejtë, vazhdojnë luftën e tyre në forma të ndryshme për bashkimin e natyrshëm mbarë kombëtar, shqiptar. Ndër temat që trajton poeti është tema e Ilirisë, që e trajton në poezinë “Letër e re për nënën”, tematika e së cilës prekë transformimin e kombësisë dhe kufijve nga rrethanat e kohës së vjetër të Ilirisë, duke e renduar autorin edhe më tutje ky transformim në rrethana të reja bashkëkohore, “e syri pikon mbi Ilirinë / ja ajo që humb me gjak / mund të kthehet veç me gjak”.Pastaj, shpirtin e poetit e ngacmon vuajtja e pafund e popullit paqedashës shqiptarë, pasardhësve të ilirëve, gjatë periudhës së transformimeve dhe rrudhjes së kufijve të Ilirisë.

Ajo çka e veçon këtë libër, apo që mund të quhet veti dalluese e tij, është se të gjitha poezitë i kushtohen Ilirisë, trimave dhe popullit shqiptar që vazhduan dhe mbrojtjes së lirisë njerëzore dhe universale aq sa munden dhe ditën trojet e të parëve.Shprehja dhe trajtimi i temës së Lirisë është ngushtë e lidhur me temën e Ilirisë, sot shqipja ka nevojë dhe bën përpjekje që në gjithë Ilirinë ta ketë  Lirinë.Poeti u dërgon mesazhe, përmes poezive të tij, se ai i mbështetë thyerjet e barrierave në trojet e Ilirisë, duke ilustruar me dallgët e detit, me zhurmën e bjeshkëve dhe maleve që komunikojnë dhe thyejnë ndarjen e kufijve të shqipes (dikur truall i Ilirisë), zogjtë që lëvizin dhe cicërojnë, shqiponjat që krah hapur fluturojnë pa e ndier se janë në shumë vende sepse ato janë dhe fluturojnë në trojet e dikurshme të Ilirisë.Po ashtu, me poezitë e tij, poeti Halimi ka prekur shumë aspekte të jetës, duke trajtuar të gjitha tematikat e mundshme me një mjeshtëri dhe përsosshmëri të jashtëzakonshme poetike, duke luajtur me shumë nuanca, ngjyrime dhe figura, të cilat kanë mesazh artistik dhe kanë kuptimin heroik shumë të qartë ndër shqiptarët. Një anë tjetër që bie në sy gjatë leximit të këtij vëllimi poetik të Nexhat Halimi, është se numri më i madh i poezive, të përfshira në këtë vëllim poetik, janë lidhshmëri e tematikës së përgjithshme për Ilirinë, që e trajton aq me mjeshtëri, kujdes dhe xhelozi pozitive.Secila poezi në këtë vëllim poetik ka pjesë të ndryshme të rrëfimit dhe dhembjes së poetit, për vuajtjen që ka përjetuar populli dhe trojet e shqipes (gjegjësisht Ilirisë), gjatë luftërave më të tmerrshme dhe të vazhdueshme, të bërë deri më tani në këtë pjesë të trojeve iliro-shqiptare.Një veçori tjetër e këtij vëllimi poetik është ndjenja e dhembjes që ndjen një shqiptar për të parët e tij, pra vuajtjet që janë bërë, përjetohen edhe sot te pasardhësit e ilirëve, pra te çdo shqiptar. Andaj, mund të thuhet se poezitë e Nexhat Halimi, janë të mbushura me shumë nostalgji, dhembje, pasion dhe dashuri për të parët tanë, pra për truallin dhe popullin ilir, duke ndier etje për vendin, rrënjët dhe gjuhën dhe i kujton me lot në sy.Me anë të këtij vëllimi poetik, poeti Halimi, me shumë nostalgji, dhembje dhe dashuri, i këndon trojeve te të parëve tanë, dhe ky këndim rrjedh shumë natyrshëm dhe spontan nga një pasardhës i ilirëve, nga një ilir i dikurshëm dhe shqiptar i tanishëm.

 

A vuajmë kur vlerësojmë

 

Pyet vetën në radhë të parë Shaip Grabovci ndërsa shkruan për librin A vuan pse më nuk vuan të Nexhat Halimit.

Ti e lexon poezinë e ndalesh dhe mendon: prej nga e nxjerr zjarrin, prej nga e sjell thellësinë, prej nga e zgjon flakën të digjet e ta krijojë të bukurën, mallëngjimin ai që shkruan, ai që shprehet për dashurinë, për dhembjen, për mungesën?!

a vuan më pse nuk vuan
a të dhemb më pse s`të dhemb
a digjesh pse s`digjesh
ndërsa puthen flaka e akulli
e hijet shkruajnë lule në erë
s` do të përgjigjesh më kurrë
pse s` do të vish me shprehi
të më prekësh në netët e acarta
a i kam këmbët të ftohta
të më mishërosh me besim

… Të vlerësosh punën e ndonjë tjetri është përgjegjësi e madhe e përgjegjësia bëhet edhe më e madhe në qofte se është fjala për poezi, ngase poezia, nga të gjitha simotrat e saj në krijimtarinë artistike, është me më shumë dimensione, prandaj edhe këtë shkrim për librin me poezi: “A vuan më pse nuk vuan”, të Nexhat Halimit, nuk kam si ta pagëzoj ndryshe, pos: A vuajmë kur vlerësojmë…
Po, gjithsesi po.

Edhe vlerësimi është një lloj vuajtje, ngase përherë thellë, në ndërdije ngel ndonjë pikëpyetje: mos vallë a është thënë tërë ajo që është dashtë të thuhet, vallë sa është arritur në depërtimin e të gjitha matjeve, te të gjitha fshehtësitë e poetit me të cilat nganjëherë edhe ai vetë befasohet! Pyetjet e bëra dhe të gjitha ato të ngjashme, zakonisht mbesin pa përgjigje të plotë, kurse atyre që tentojnë të bëjnë vlerësime, për satisfaksion u mbetet rruga që kanë trasuar për të arritur kah zbërthimi i enigmave të ngritur nga poetët, të cilët, nganjëherë edhe pa vetëdije i kanë ngritur.
Pra, shëtitja në vargje ngjason sikur të gjurmojmë në një vend të mrekullueshëm, për të cilin gjurmim ishte dashur shumë vite, e ne në dispozicion kemi vetëm disa orë! Nisur nga kjo që u tha, këtë shkrim, nuk mund ta quaj as ese, as shënim, as vështrim, as recension, as kritikë për veprën… Por vetëm një shëtitje në një tufë poezish që thellë do të prekin zemrën e çdo njeriu, ngase secili nga ne është i lindur nga nëna. Kështu, kalimthi do të na kujtohen ninullat, poezitë nga ditët e para shkollore e deri te ato edhe sot kur i lexojmë e nuk na lënë indiferent… Por, përkundrazi na bëjnë të lundrojmë në ato çaste shumë, shumë thellë të ruajtura në vetëdijen tonë, të cilat nganjëherë nuk duam t` ia themi as vetit.

E vargu i poetit, Nexhat Halimit, depërton mu në ato çaste, të cilat i ruajmë vetëm për veti, por që forca e madhe krijuese e poetit, bën që t’i ndjejmë, t`iu “takojmë”! Pra, ja një rast, kur vargjet e poetit na bëjnë që të “fluturojmë” lartë atje, të çmallemi me të gjitha ato për të cilat na ka marrë malli! Gjatë leximit të këtij librit më shkonte mendja të pyes:” vallë, mos poetët janë qenie që më shumë se të tjerët i duan nënat e tyre, apo dinë që në mënyrë të veçantë të shprehin atë që edhe të tjerët e ndiejnë, por nuk dinë për ta thënë aq bukur.

Kur e kemi fjalën për shprehjet, në mënyrë të veçantë, me shkon mendja edhe të mendoj në numrin: Dyzet… Dyzet trimat e pamposhtur, Dyzet ditë zie, Dyzet vjet pritje… e shumë dyzetësha të tjerë… E libri i Halimit, kushtuar nënës i ka dyzet e dy poezi! Sikur Halimi ka dashtë të tregoje se dashuria e tij ndaj nënës është mbi të gjithë dyzetshat!

Kështu si e sugjeron vetë titulli i veprës: A vuan më pse nuk vuan, sikur përcjell vuajtjen deri në amshim. Vetëm pse dhembja dhe poezia jan një amshim.

 

A vuan më pse nuk vuan

 

Libri është një këndim i veçantë për jetën e vdekjen. Një këndim i dhembjes, këndim pikëllues dhe plot mallëngjim për nënën. Ajo qe lulja më e bukur e jetës e tashmë nuk është, është shuar. Si të pajtohet kjo rrjedhë me këtë të vërtetë, si të gëlltitet diçka kaq e rëndë brenda shpirtit që nuk e pranon atë çfarë ka ndodhur?! E duhet ta pranojë përfundimisht, sepse gjërat e kanë rrjedhën e vet dhe nuk ndryshojnë. E vërteta nuk ndryshon, por nuk këputen kujtimet, ato rrjedhin dhe herë – herë i krijojnë mozaikët tashmë të ikur, e zgjojnë ndonjë copëz të jetës, sado që koha kurrë më nuk kthehet.

Ja pse autori në jehun e dhembjes i flet në heshtje nënës “A vuan më pse nuk vuan”, duke e ndjerë

ashpërsinë e realitetit … – thekson Kalterina Meka.

Ky libër ka dyzetedy njësi poetike dhe një përkushtim. Të gjitha tekstet tematikë bosht e kanë dhembjen dhe pikëllimin e thellë për aktin e vdekjes, të vdekjes së nënës larg nga atdheu, në ShBA. Në mënyrë shumë të afërt, me figura të zgjedhura e metafora krijohen vargje të veçanta, kujtohen shumë çaste të jetës pranë nënës, sidomos në moshën e fëmijërisë në fshatin Dumnicë të Llapit, ku jetonin. Herë të lumtur e herë tjetër të ballafaquar me brigje e ashpërsi të së përditshmes. Të gjitha përjetimet e këputura nga jeta, janë realizuar në poezi me ndjesi dhe mjeshtri të madhe, natyrisht falë përvojës së madhe të autorit në krijimtarinë poetike, i cili ka një bagazh të madh veprash në të gjitha gjinitë letrare.

Nis nga vetë titulli i librit e me radhë – me secilën poezi veç e veç,  shpjegon përpjekjet, mundi dhe vragat e jetës, rrjedhat, çastet  e ndodhitë gjatë punës së rëndë të bërë në të përditshmen e jetës në fshat. Këtë e dëshmon secila nga poezitë e radhitura në këtë libër, si dhe përkujdesja e nënës për fëmijët me të cilën ata e thurnin jetën. ”A vuan më pse nuk vuan” e shpjegon tërë thellësinë , tërë bukurinë, plot ndjeshmëri, muzikë dhe mendim të shfaqur në këtë poezi. Pikërisht, të realizuar kështu, lexuesi do ta përjetojë fuqishëm secilin tekst letrar. Në të njëjtën kohë, prej poezisë në poezi vjen e shumëfishohet dhembja për mungesën e nënës, ndërsa kaq thellë përjetohen vargjet “ pse s` do të vish me shprehi / të më prekësh në netët e acarta / a i kam këmbët të ftohta / të më mishërosh me besim”.

Dhembja gjithnjë rritet, shtohet, ndërsa jeta vazhdon.

Libri përfundon me kurorën sonetike “E ca lule xheneti”, në të cilën autori evokon kujtime për ditët e ikura, ndërsa dilte nga mësimi në shkollën fillore të fshatit dhe me gëzim mblidhte narcisë të egjër, i bënte tufa e ia dërgonte nënës në shtëpi, t`i vejë ajo në gota me ujë e ta mbushin kështu ditë me radhë tërë shtëpinë me aromë të këndshme. Tash nuk mbledh lule më, sepse as nuk ka kujt t`ia dërgoj e të gëzohet nga e shikon nënën nga thithë aromë të luleve që ia ka mbledhur!

I dhemb shumë mungesa dhe harton vargje lidhur me këtë.

Ky libër është njëri nga më të suksesshmit të Nexhat Halimit, krijimtaria e të cilit është cilësuar e suksesshme në vazhdimësi, nga kritika, por edhe nga lexuesi.

 

“a vuan më pse nuk vuan

a të dhemb më pse s’të dhemb

a digjesh pse s’digjesh”.

Me këtë përkushtin Nexhat Halimi e hap librin “ a vuan më pse nuk vuan” që është libër me poezi përkushtuese për nënën e tij me rastin e shkuarjes në amshm, thotë Milazim F. Kadriu tek shkruan për dhembjen që shprehin vargjet e skalitur amshueshëm për nënën.

Nexhat Halimi është poet me talent të rrallë e kulturë të gjerë, që trajton një gamë të gjerë temash, motivesh, idesh e preokupimesh tematike.

Figura e nënës është mjaft e shpeshtë  në krijimtarinë poetike të poetëve të ndryshëm. Mirëpo te Nexhat Halimi portreti i nënës  pasqyrohet në një libër të tërë i cili është i konceptuar në  42 poezi apo njësi poetike dhe që të gjitha i kushtohen nënës së poetit. Përmes vargjeve të tij Halimi paraqet figurën e nënës së tij, një nënë tipike shqiptare. Këto poezi janë krijime të veçanta për jetën dhe vdekjen e që janë plotë pikëllim, dhembje e mallëngjim.

“unë bima e gjakut tënd mitik nënë

marr frymë gjithnjë te molla e kuqe

e vdes në kokrra dheu në dumnicë”.

Përmes figurës së nënës që është një nënë  e zakonshme  por përmes vargjeve ajo ngritët në një krijesë mitike, nga një kohë në një kohë tjetër. Autori ka evokuar gjithë historinë  e nënës e që përmes saj evokohet gjithë historia e nënës shqiptare me të gjitha vuajtjet dhe sakrificat e kohës.

Këto evokime kujtimesh  autori Halimi i sjell përmes vargjeve  të bukura, kuptimisht të plota  e gjuhësisht të rrjedhshme e elokuente, ku asgjë nuk duket e tepërt si dhe asgjë nuk ka lëshuar pa thënë, gjithë atë që ndjen për nënën e tij tashmë të ndjerë.

Dhembja dhe pikëllimi për nënën është edhe më i thellë ngase ajo ka ndërruar jetë  larg vendlindjes.

“ krejtë çfarë të mbeti në amerikë qe hiç

qe veç ‘ i lule e thjeshtë e plastikës

ja pse provoje kaq vjet të ikje nga vetmia “

Nëpërmes vargjeve të tij autori kujton shumë ngjarje të kaluara bashkë më nënën, vuajtjet e asaj kohe, jetën në fshat që  nuk ishte aspak e lehtë.

Në shtratin e gjerë të vargjeve  të këtij libri rrjedh edhe dashuria  e autorit për vendlindjen e tij Dumnicën që tashmë ka pësuar shumë ndryshime nga koha kur ai ka jetuar aty.

“Dumnica e vrej ka trup e tjetër fytyrë

as rosujërat as vigu i muharremit asgjë

as një e vetmja gjë s’është e njëjtë

Dumnica është shpirti lot i ngrirë nën qerpik’

…………………………………..

Dumnica natyrisht është mekam i gjithësisë”

Autori evokon kujtime kur ishte nxënës  në fshatin Dumnicë dhe kur e përfundonte orarin ditor të mësimit në luadhe mblidhte lule xheneti dhe ia dërgonte nënës në shtëpi  që ajo pastaj në tufa i fuste në gota me ujë dhe ato lule e mbushnin shtëpinë me aromë të këndshme. Tash nuk i mbledh ato  lule ngase nuk ka kujt t`ia dërgoj, nëna nuk është më  të thithë atë aromë të këndshme të luleve të xhenetit të mbledhura në luadhet e dumnicës.

Autori në mënyrë sintetike  rrëfen jetën e nënës që në të kaluarën nuk është aspak jetë e lehtë. Vuajtjet dhe sakrificat qofshin fizike apo shpirtërore  nuk kanë qenë  të lehta por megjithatë  nëna ka arritur ta përmbush idealin, vazhdimësinë e jetës.

Nga poezia në poezi shumëfishohet dhembja për mungesën e nënës, e këtë e përjeton thellë autori ku ndër tjera në vargjet e tij shprehet :

“ pse s’do të vish me shprehi

të më prekësh në netët e acarta

a i kam këmbët të ftohta

të më mishërosh me besim ”

Autori e ka vështirë të pajtohet me këtë të vërtetë që ka ndodh, pra me vdekjen e nënës. Ai këtë e ndjen rëndë shpirtërisht por i duhet të pajtohet me realitetin ngase gjërat nuk mund të kthehen më prapa, por dhembja është e madhe.

“ai që lind vdes më përmend zëri yt i çelur

është fare kot të ndërroj diçka aty është kot

e lë zemrën te ti e ik rrugës së shkelur”.

 

Please follow and like us: