Albspirit

Media/News/Publishing

Një vizitë me Bujar Lakon në Shkup

Kur Shqipëria u hap dhe asokohe punoja në një gazetë partiake si reporter kulture m’u dha rasti të bëjë një vizitë në Shkup, me aktorin e njohur Bujar Lako së bashku me bashkëshorten. Pikërisht artisti i dhjetra filmave, mes të cilave, ‘Në fillim të verës’, ‘Përballimi’, ‘Udha e shkronjave’, ‘Gjeneral gramafoni’, ‘Ballë për ballë’, ‘Nëntori i dytë’, ‘Kthimi i ushtrisë së vdekur’, ‘Lule të kuqe, lule të zeza’, ‘Honeymoons’, ‘Amsterdam Express’ ishte i shumëpëlqyer prej meje edhe për faktin e roleve të shumta në Teatrin Kombëtar. Aktor i veçantë, por që jetonte në mënyrë modeste në një apartament të thjeshtë, si shumë artistë të klasit të tij.

Pas brezit të mëparshëm të aktorëve dhe regjisorëve që regjimi ishte munduar t’i rregullonte në apartamente më të bollshme dhe në qendër të Tiranës (shumë herë më keq se homologët e tyre në vendet e Europës Lindore), gjenerata tjetër e artistëve ku bënte pjesë edhe Bujar Lako jetonin si gjithë qytetarët e thjeshtë. Kjo gjë shihej kur jetoje asokohe në Tiranë, por e ndjeje më shumë kur vizitoje një vend tjetër.

Ne kishim skedën e vizitave tona në kryeqendrën e Maqedonisë së Veriut, (9 dekada më parë dominohej nga shqiptarët), por kohën më të madhe e kaluam me aktorin Xhevat Limani, që tashmë jeton në SHBA, e që bënte pjesë në teatrin e kombësive dhe që, megjithëse jetonte nën një regjim komunisto-sllav, me tendencë të hapur antishqiptare, jetonte më mirë se një ndër aktorët më të mirë të Tiranës zyrtare.

Bujar Lako, pak flegmatik, i heshtur, i thellë kur futej në zhgunin e personazhit, ishte megjithatë mjaft i këndshëm kur i hapje disa tema delikate, për letërsinë, teatrin, operën, kinematografinë dhe kishte një shqetësim që arti kinematografik dhe teatror kishte mbetur i paballafaquar me vendet fqinje, apo më tej akoma me vendet perëndimore.

Një talent i madh dhe një përkushtim po aq i madh, thoshte, bën dritë edhe nën regjime të vështira. Kam disa role që nuk do të doja kurrë t’i luaja. Po, i thashë, po ke disa që janë të pavdekshme, sidomos ato të personazheve historikë. Jam përpjekur të bëj më të mirën, por regjizori është violina e parë. Muzika, letërsia na e kanë hedhur, por aktorët shqiptarë do të ishin më të mëdhenj nëse do ishin të lirë të luanin edhe në vende dhe skena të tjera.

Ishte nderuar në gjallje me çmimin ‘Naim Frashëri’ e “Artist i Merituar” dhe “Nderi i Kombit”, por vlerësimi më i dashur për të ishte “Palma e Artë” në Kajro të Egjiptit me filmin “Magic Eye” të Kujtim Çashkut.

Please follow and like us: