Prof. Robert DAMO: Kristaq Balli, dy vepra mbi historinë e fotografisë shqiptare
Fotografia mbarëkombëtare shqiptare është ndoshta lloji i artit që, edhe pse e ka zanafillën e vet dhe është lëvruar thuajse në tangjente paralele me atë botërore, nuk ka të formësuar historinë e plotë të zhvillimeve të saj. Herë pas here janë botuar vepra të veçanta të konceptuara nga pikëvështrime të ndryshme, për rajone të ndryshme gjeografike (kryesisht Shkodrën e Korçën), për autorë apo grupautorë të veçantë, por që mbeten gjithsesi fragmente të kësaj historie. Dhe kjo, jo për faj të autorëve, apo studiuesve që përpiqen në mënyrë vetiake të kontribuojnë me disa vepra të rëndësishme, që gjithsesi i shërbejnë kësaj historie, por kryesisht për arsye se institucionet shtetërore që mbulojnë artin e kulturën e kombit tonë si ministritë e Kulturës, apo akademitë e shkencave të Shqipërisë e Kosovës, pse jo edhe të vendeve të tjera ballkanike ku ka më së shumti një prani shtetformuese dhe etnike shqiptarësh, të mos e vlerësojnë këtë art seriozisht, si një prej atyre fushave, lëvrimi i të cilave, veç aspektit artistik e estetik, do të nxirrte në dritë shumë zhvillime, ngjarje e personazhe historikë të dokumentuar vizualisht, por edhe vlagën e mjaft këndvështrimeve të përgjithësuara etnokulturore e antropologjike të etnosit tonë gjatë dy shekujve të fundit. I njëjti konstatim vlen edhe për mungesën e një galerie kombëtare të fotografisë panshqiptare në vendin tonë, por edhe e një reviste studimore e promovuese të këtij arti me shumëllojshmëri vlerash (që para disa vitesh ka funksionuar).
Në këtë tablo fragmentare e asimetrike prurjesh vijnë të botuara edhe dy veprat e fundit të shkrimtarit dhe studiuesit Kristaq Balli, që i shtohen kolanës së librave mbi fotografinë e autorëve shqiptarë dhe që kontribuojnë në zgjerimin e plotësimin e tablosë të këtij arti të mirëfilltë pamor .
Libri i pari, “Georges Boria – në tre dimensione” i kushtohet jetës dhe veprimtarisë së fotografit të njohur shqiptar nga Korça në SHBA, Gaqo Dhimitër Mborja (Georges D. Boria, 1904-1990), në formën e një monografie dhe albumi fotografik me ngjyra në gjuhën shqip e anglisht. Georges Boria emigroi i vetëm në SHBA më 1921, kur ishte 18 vjeç, i pajisur me disa talente e muza artistike si piktura, muzika, fotografia e koleksionimimi i veprave të artit e kulturës dhe guximi e siguria e tij e çuan aty ku kishte ëndërruar, në Hollivud. Pas endjes dhe jetës së tij bohemiane duke u marrë me zhanrin e pikturës së tij karakteristiike të quajtur “scissoret” (me gërshërë) në një studio buzë rruge të vetën, apo me drejtimin e veprimtarive muzikore në anijet e mëdha të turistëve (vetë luante në violinë dhe mandolinë), dëshmitë e të cilave i gjejmë edhe sot në disa institucione muzeore amerikane (Institutin Smithsonian të Artit, etj), apo Muzeun Oriental “Bratko” në Korçë, ai do të realizonte përfundimisht ëndrrën e tij për fotografinë. Pasi kreu studime në disa shkolla fotografike amerikane ai u afirmua si fotograf, së pari në misionin e UNRRA-s duke punuar menjëherë pas Luftës II Botërore në disa vende të Ballkanit (jo në Shqipëri) e në Itali. Në vitin 1947 ai u emërua drejtor i të parit laborator amerikan me ngjyra në Tokio të Japonisë, pranë Shtabit të Përgjithshëm të Gjeneralëve të Fuqive Aleate, me komandant suprem gjeneralin e famshëm amerikan Douglas MacArthur, pasi Japonia iu dorëzua këtij shtabi dhe filloi rindërtimin nën mbikqyrjen ushtarake të tij. Sipas autorit, veprimtaria fotogfrafike e Borias në Japoni dhe në arenën e ngjarjeve të tjera në disa shtete të Lindjes së Largët është shumë e gjerë, shumë e larmishme dhe me vlera të jashtzakonshme historike, madje edhe artistike. Ai paraqitet si një peizazhist i aeraleve madhështore natyrale e urbane, një mjeshtër i realizimit të tablove humane të pasluftës, por edhe të turmave të njerëzve të thjeshtë e të varfër japonezë, por plot virtyte, energji, solidaritet, entusiazëm e punëdashës të zellshëm për mbijetesën e rindërtimin e vendit të tyre me ndihmën e fuqive aleate. Ai ishte edhe një portretist psikologjik i personazheve të rëndësishëm të kohës, ku spikatin figurat e Dauglas MacArthur-it e autoriteteve të tjerë, perandorit Hirohito, princit të kurorës e familjes perandorake, kryeministrit Shigeru Yoshida. Në sajë të marrëdhënieve me Gjeneralin MacArthur ai u miqësua me perandorin dhe u bë fotográfi i thesareve ekzotike të familjes së tij. Madje, perandori, disa herë,gjatë udhëtimeve me avion për të vëshguar ritmet e rindërtimit të Japonisë e merrte me vete edhe Borian, i cili ka realizuar me këtë rast nga ajri qindra foto të mrekullueshme me ngjyra të provincave, qyteteve, pamje rurale, detare, e sidomos natyrën e mrekullueshme të këtij vendi, një pjesë e të cilave janë paraqitur edhe në këtë libër. Ai qëndroi në Japoni deri në vitin 1967, u bë dëshmitar okular e fotograf i ngjarjeve pasuese në Kore, Vietnam, Filipine e vende të tjera të rajonit të Paqësorit.
Fototekën prej më se 30.000 foto, negativa dhe diapozitiva të cilat përkojnë tërësisht me ngjarjet historike të Lindjes së Largme në vitet 1947-1967, ai ia dhuroi Memorialit (muzeut) të madh MacArthur në Norfolk të shtetit Virginia dhe një pjesë të vogël fotosh, vendlindjes së tij, qytetit të Korçës.
George D. Borja përshkruhet imtësisht në libër edhe si një koleksionist i veprave të artit e kultures së Lindjes të Largët i përmasave serioze, por edhe si filantrop për vendlindjen e tij. Kështu me të gjitha veprat e koleksionuara prej tij, si dhe me kursimet monetare të krijuar gjatë gjithë jetës, ai i la me testament Korçës si dhuratë qytetarie e dashurie ndërtimin e Muzeut të Artit Oriental “Bratko”, i cili fillimisht u refuzua nga shteti gjatë sistemit totalitar shqiptar para vitit 1991, kur Boria jetonte ende, por, fatmirësisht u bë realitet në kapërxyell të viteve 2000, ndonse filantropi kishte ndërruar jetë. Muzeu, përbën një institucion, të rëndësishëm, autentik e të vetmin në rajon, si dhe një kuriozitet dhe pikë interesante adresimi për visitorët e turistët vendas e të huaj.
Libri tjetër vëllimor “Fotografët e Dardhës” i Kristaq Ballit analizon dhe paraqet veprimtarinë fotografike të një plejade fotografësh të hershëm nga Dardha e Korçës. Eshtë konfirmuar se Dardha, ky fshat i urbanizuar shqiptar është unik në disa fusha të historisë, jetës shoqërore e qytetare, kulturës, artit, etnografisë, emigracionit ekonomik e patriotik, bukurisë e klimës, turizmit, kohezionit të besimit fetar, etj. Në kontekst të këtij libri, psh, autori vëren se gjatë dy-tre shekujve të fundit (XVIII-XX) nga Dardha janë afirmuar rreth 25 piktorë ikonografë e laikë (midis tyre edhe gra), si dhe 11 fotografë (ndonjëherë edhe ikonografë edhe fotografë) me prodhimtari të begatë e të pashkëputur kohore nga njeri tjetri. Në lëmin e fotografisë Dardha konsiderohet si pika simetrike jugore (në krahasim me Shkodrën) e fillimit të lëvrimit masiv të fotografisë dhe si qendër reference e historianëve të fotografisë. Sepse në këtë fshat profesioni zejtar (dhe paskëtaj artistik) fotografik ka filluar rreth vitit 1865 dhe ka vazhduar më tej pa asnjë shkëputje, pasi mjeshtrat e vjetër ose ata që emigronin ua linin stafetën ndihmësve, apo të tjerëve më të rinj e kështu vektori i “prodhimit” të kujtesës pamore do të vinte në rritje gjeometrike. Autori K. Balli, një studiues i pasionuar i fotografisë, me argumente kronologjike e dokumentare i atribuon fotografisë në Dardhë, veç të tjerash, edhe katër fakte të rëndësishme e parësore:
- Papa Jani Zengo është fotografi më i hershëm “autokton” shqiptar në Historinë e Fotografisë Shqiptare.
- Kartolina e parë shqiptare i takon fotografit dardhar Perikli Kaçauni në vitin 1904.
- Albumi i parë turistik në Shqipëri është ilustruar me foto nga fotografi dardhar Thimi Raci (1938).
- Dardha është i pari fshat turistik që sot ka një muze autentik Foto-Historik të bazuar në prurjet e traditës fotografike të fotografëve vendas. Këto por edhe tipare të tjera të vlera nga jeta dhe aktivitetit fotografik i fotografëve dardharë jepen nëpërmjet disa qindra fotove, por edhe nëpërmjet jetëshkrimeve e bëmave të veçanta të tyre, që e kompozojnë librin si një album dhe monografi.
Midis fotografëve të vjetër të Dardhës autori ka veçuar Papa Jani Zengon (1832-1912), djemtë e tij Vangjel (1877 – 1941), Nikolla (1878 – 1933), Efthim (1890-1940), më tej Perikli Kaçaunin, (1880-1949), Thimi Racin (1886-1966), Theodhor Stefanin (1901-1961), Niko Stefanin (1928, sot 93vjeç), si dhe 3 fotografë kontemporanë më të rinj e shumë të talentuar, të njohur në arenën e artit pamor modern shqiptar, por edhe si vazhdues të traditave të fotografëve të pararendësve të tyre, Leon Çika, Alqi Golloshi e Petrit Kotepano, të cilët krijojnë edhe në rryma më të sofistikuara, abstraguese e moderne artistiko-teknologjike dhe secili është i përveçëm në stilin dhe teknikën e tij artistike.
Përveç se veprat “Georges D. Boria” dhe “Fotografët e Dardhës” janë konceptuar dhe shkruar edhe si krijime me kumt të posaçëm artistik, ato mëtojnë të përmbushin një hapësirë të brishtë në paraqitjen e tablosë pamore të kujtesës humane, duke përbërë kështu kontribute të posaçme në Historinë e Fotografisë Shqiptare.