Albspirit

Media/News/Publishing

VENDI DUHET TE SHKOJE KAH PAJTIMI DHE PROSPERITETI

 

 

Botohet libri “Shqipëria në dy kohë” i shkrimtarit dhe publicistit Vangjush Saro

 

Shtëpia Botuese “ADA”, Tiranë, publikoi këto ditë librin “Shqipëria në dy kohë” të shkrimtarit dhe publicistit Vangjush Saro. Siç thuhet edhe në titullin e dytë të librit, lexuesit kanë në dorë një ese për jetën, artin dhe “humorin” e shqiptarëve para dhe pas vitit ‘90. Është ndërkoha gjatë së cilës vendi ndërroi sistemin politik dhe hyri në një tranzicion të zgjatur e që vazhdon të mbajë ndezur një sërë pyetjesh për të shkuarën dhe për të tashmen. Në libër, merren në konsideratë pikërisht polemika tashmë të njohura sa i takon dy periudhave. Por autori pohon se ky ballafaqim – me fakte, interpretime e ndjesi – duhet t’u shmanget shpjegimeve dhe rrëfimeve ekstremiste. Kjo ese, shton ai, i përqas dy kohët jo për të gjeneruare dhe më tej antagonizëm e mëri, por për të shënuar ndonjë të vërtetë ngaa to që shumëkush përpiqet t’i mbulojë, si dhe për të ikur nga balta ideologjike, aq e shtuar në art dhe në jetën civile shqiptare.

Libri mbështetet mbi fakte reale; por në të nuk mungojnë edhe përvoja e të dhëna vetjake, episode nga jeta e autorit në disa qytete e shtete. Një vend të veçantë në libër zënë vendlindja e tij, Korça, qyteti me tradita kulturore dhe dukuri të spikatura në letërsi e arte, si dhe qyteti i Gramshit, ku shkrimtari ka jetuar e punuar për një kohë të gjatë në vitet ‘70 e ‘80. Duke iu referuar  botimeve, ish-Kinostudios dhe mediave ku edhe ka punuar, autori përpiqet të sjellë tablo sa më realiste, duke i përcjellë ato përmes një qëndrimi të paanë, çka e bën më bindës tekstin e vendosur mes dy kohëve.

Me esenë “Shqipëria në dy kohë”, autori përpiqet të sjellë ndihmesën e vet në një ballafaqim që shoqëria shqiptare e mbiluan gjer në tepri; libri synon të tregojë ndryshime dhe të përbashkëta të të dy kohëve, për të shkuar te disa vlera, por edhe eksperienca, ndonjëherë të rënda. Shkrimtari beson se ky libër nuk është as për nostalgjikët, as për ekstremistët; vendi, pohon ai, duhet të shkojë kah pajtimi dhe prosperiteti.

Shkrimtari dhe publicisti Vangjush Saro është autor i një sërë librave me tregime e novela, fabula, romane, skenare filmash, etj. Ndër to mund të përmenden kinokomedia “Shkëlqim i përkohshëm”, novela “Një ditë pa mamin”, libri me fabula “E dashur Dhelpër”, romani “Misioni”, etj. Një pjesë e krijimtarisë së tij është botuar edhe në gjuhë të huaja.

Prej disa kohësh, Vangjush Saro jeton në Vankuver (Kanada).

 

Please follow and like us: