Abazoviç – një tjetër shqiptar që i fut thikën mbas shpine Kosovës dhe gjithë shqiptarëve
Gjelok Marko
Me sa duket edhe Abazoviç, ashtu si Edvin Rama, na qënka idhtar i ideve politike, tashmë të diskretituara, se është me interes të bësh një hapje ekonomike, madje të vihesh në varësi ekonomike nga armiqtë. Këto ide e shtynë Perëndimin të dërgojnë kapitalet e tyre në Kinë dhe kështu vunë vetveten në varësi e fuqizuan armikun e tyre. Ishin po këto ide që frymëzuan veprimtarinë politike të Francës e Gjermanisë gjatë kohës së kancelarëve Gerhard Schröder e Angela Merkel. Madje Gerhard Schröder (Shryder) nuk e pati për turp të bëhet hapur nëpunës i Putinit; për një pagesë të majme, u bë drejtues i projektit madhor të ndërtimit të linjës “Nord Stream 2”.
Po ashtu edhe Angela Merkel nuk ra më poshtë në përkushtimin e saj ndaj Putinit: eliminoi të gjitha burimet energjitike që përdornin qymyrin që nxirrej në Gjermani, madje shkoi deri aty sa të mbyllte edhe centralet elektrike atomike për ti zëvendesuar këto burime energjie me gazin rus, pasi përdorimi i këtij gazi na qënkej “ekologjikisht më i pastër” dhe “ekonomikisht më i leverdisshëm”. Natyrisht që të gjitha këto marrëdhënje e gjithë kjo dashuri ekonomike solli edhe efektin e saj në vendimet politike. Angela Merkel i bllokoi me përkushtimin më të madh të gjitha përpjekjet e Ukrainës për t’u futur në NATO. Pasojat po i shohim qartë sot.
Dashuria dhe besimi i verbër i Perëndimit nuk ndryshoi as Kinën dhe as Rusinë. Përkundrazi, ishte dashuria e verbëria e Perëndimit që i hap oreksin Putinit të ëndërronte e të besonte, se do të mund të sillte kufirin e Rusisë der në Bullgari dhe të mund të kish dalje në Adriatik. Sot Gjermania trembet se si do të përballet me dimrin e ardhshëm, si do të mund të plotësojë deficitet e gazit rus. Po ashtu shohim edhe tragjedinë e shkaktuar në Ukrainë. Gjithë këto vite dashurie ekonomike me Perëndimin nuk e kanë zbutur zemrën e Putinit.
Tani duket që Edvin Rama e Abazoviçi, as nuk duan të shohin e as duan të mësojnë nga këto fakte po po bënë të njëjtën gjë në politikën e tyre me Sërbinë. Madje janë krejtësisht të bindur se atë që nuk mundi të arrinte të bënte Tito gjatë gjithë atyre viteve të sundimit të tij në Jugosllavi me politikën e vllazërim -bashkimit, atë që nuk mundi ta arrijë Bashkimi Evropian me Putinin do të arrijë ta bëjë Edvin Rama me ndihmën e Abazoviçit me “Ballkanin e Hapur”. Një fakt tragjik i mëndësisë shqiptare është se janë gati të pranojnë çdo çmënduri politike kur na del dikush nga politikanët evropianë dhe bën deklarata në favorin e saj.
Kështu meqë na dolën disa politikanë në Bashkimin Evropian dhe na thonë fjalë të mira për “Ballkanin e Hapur” shumë veta i mbyllin sytë ndaj asaj që ndodh sot në luginë e Preshevës. I mbyllin sytë ndaj faktit që Sërbia vazhdon të mohojë gjenocidin, i mbyllin sytë ndaj armatosjes së Sërbisë dhe deklaratave të hapura se po pregatiten ta pushtojnë ushtarakisht Kosovën dhe na thonë se “Ballkani i Hapur” do të na i zgjidhë të gjitha hallet. Madje Abazoviçi do të na mbushë mëndjen se “Ballkani i Hapur” është veçanërisht pozitiv për Kosovën. Deri ku mund të arrijë marrëzia! Zot na ruaj!
Po le ta besojmë edhe këtë marrëzi sepse kështu na thonë edhe disa politikanë evropianë, do të na bindë Ministria e Propagandës të Korruptuar. Këtyre personave ,naivë me dashje, duam tu nxjerrim përballë shëmbullin e Ukrainës. Fillimisht Gjermania i dërgoi Ukrainës si mbështetje kundër agresionit rus vetëm 5000 helmeta, kurse SHBA i bënte oferta Volodimir Zelenskit që ta evakuonte nga Ukraina. Ishte lufta e qëndrimi i vendosur i ukrainasve që solli ndryshimin e Perëndimit në politikën e tij ndaj Ukrainës. Po të kish mbajtur Volodimir Zelenski dhe populli i Ukrainës qëndrime të ngjashme me ato të Edvin Ramës, Abazoviçit e co. sot Ukraina nuk do të ekzistonte më si shtet.I njëjti parim është i vërtetë edhe për Shqipërinë e Shqiptarët.
Zoti na haptë sytë dhe na dhëntë politikanë të ndershëm dhe të mënçur!