Frank Shkreli: NJË FOTOGRAFI VLEN MË SHUMË SE 1000 FJALË
Thënia “Një fotografi vlen më shumë se 1000-fjalë”, është një frazë në anglisht, por që përdoret edhe në shumë gjuhë të tjera të botës, kur flitet për një ose më shumë fotografi që pasqyrojnë të vërtetën e një ngjarjeje, takimi ose pritjeje të ngrohtë, siç ishte rasti i vizitës në Vatikan i Kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar, H. Bujar Spahiu në audiencë me Papa Franceskun, të premtën që kaloi.
Vizitës së udhëheqësit të lartë të Komunitetit Mysliman Shqiptar në Vatikan dhe audiencës së tij me Papa Françeskun iu kushtua pak rëndësi nga mediat shqiptare, në përgjithësi, por që unë besoj se meriton që publiku i gjerë të informohet për këtë vizitë, e cila pasqyron si gjithmonë, bashkëjetesën midis feve në Shqipëri, ndoshta si askund tjetër në botë, por edhe ndjenjat e shqiptarëve, në përgjithësi, për Vatikanin – Selinë e Kishës Katolike. Takimit të H. Bujar Spahiut me Papa Françeskun iu bë jehonë nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë pranë Vatikanit nga Komuniteti Mysliman Shqiptar dhe nga mjetet mediatike të Vatikanit, përfshir edhe Radio Vatikanin në gjuhën shqipe.
Sipas këtyre burimeve, të premtën e kaluar më datë 6 maj 2022, Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar H. Bujar Spahiu, u prit në audiencë private nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku. Kryetari i Komunitetit Mysliman KMSH) shoqërohej nga Kreu i Misionit të Ambasadës së RSH-së Majlinda Dodaj, thuhej ndër të tjera, në njoftimin e Ambasadës së Shqipërisë pranë Vatikanit.
Me ftesë të Papa Françeskut — theksohet në njoftimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë –se Kryetari H. Bujar Spahiu — vizitoi shtetin e Vatikanit ku u prit në një audiencë të veçantë nga Papa dhe zyrtarë të tjerë të hierarkisë së Kishës Katolike. “Në qendër të bisedës ishin edhe marrëdhëniet ndërmjet shtetit e feve dhe kontributi i tyre në ruajtjen e vlerave njerëzore, sidomos në mbrojtjen e familjes si qelizë themelore e shoqërisë”, thuhej në lajmin e dhënë nga Radio Vatikani. Sipas burimeve, të dy krerët e lartë fetarë ndanë mendime të njëjta për rolin që luan feja në marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe për kontributin që ajo luan në ruajtjen e këtyre vlerave.
Takimi kokë më kokë midis Papa Françeskut dhe Kryetarit Spahiu zgjati për më shumë se 30 minuta, thuhet në portalin e KMSH. Sipas këtij burimi, si dhe të tjerave që raportuan për atë takim të rëndësishëm dhe të rrallë të javës së kaluar, temë kryesore e bisedës midis dy udhëheqësve fetarë, ishte dhe bashkëjetesa paqësore ndërmjet feve në Shqipëri dhe “Dokumenti i Vëllazërisë Njerëzore”, i nënshkruar, para disa vitesh, midis Imamit të Madh të Al-Az’har, Ahmed Tajib dhe Papa Fançeskut, në Abu Dabi, mbi vëllazërimin njerëzor. Njoftohet se Haxhi Bujar Spahiu i tha Papa Françeskut se këtë vlerë e provomon kudo në Shqipëri, gjithnjë sipas burimeve të lartëpërmendura.
Në njoftimin e KMSH thuhet gjithashtu se në takimin me Papa Françeskun, Kryetari i KMSH, H. Bujar Spahiu i kërkoi atij mbështetjen e shtetit të Vatikanit për pavarësinë e Kosovës. Një subjekt ky që ma merr mendja se do të jetë thekësuar edhe në takimin e Kryetarit të KMSH-së që delegacioni — i shoqëruar nga e Ngarkuara me punë Znj. Dodaj, zhvilloi me Sekretarin e Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet (Ministër i Jashtëm) Imzot Paul Richard Gallagher dhe me Kryetarin e Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, Kardinalin Miguel Angel Ayuoso Guixot.
Kryetari i KMSH, H. Bujar Spahiu përfundoi vizitën e tij në Vatikan me një intervistë dhënë Radio Vatikanit në gjuhën shqipe ndërsa vizitoi edhe Bazilikën e Shën Pjetrit.
Dhurata mjaft simbolike e bashkjetesës fetare ndër shqiptarët e H. Bujar Spahiut, Kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar dorëzuar Papa Françeskut, gjatë takimit në Vatikan, të premtën që kaloi: “Minarja e Xhamisë së Et’hem beut dhe kambanorja e Katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër u bashkuan sot në dhuratën, që iu dorëzua Papës Françesku nga kreu i Bashkësisë Myslimane të Shqipërisë, për vizitë në Vatikan. Simbol i asaj bashkëjetese paqësore ndërmjet feve, për të cilën u fol gjerësisht gjatë audiencës së Atit të Shenjtë Bergoglio me Haxhi Bujar Spahiun, sot paradite në Vatikan”, thuhej në njoftimin e Radio Vatikanit në gjuhën shqipe lidhur me bisedimet e javës së kaluar, midis Papa Françeskut dhe Kryetarit të KMSH-së, H. Bujar Spahiut.