Vargje poetike nga Selaudin Guma
Në brengën time
Si lis do të qëndroj me brengën time
Të fshehur thellë në shpirtin tim fisnik
Veç ti mund ta heqësh me t’thjeshtat mjekime
Ato popullore e jo antibiotikë.
Si kukull je, esmerka ime
Buzëqeshja të shkon shumë
Në ëndër dua të futem, të zhytem
Në zemrën që dridhet plo zhurmë.
Dhe sytë kur mbyll më shfaqet
Çdo natë kur dua të pushoj
Fytyra jote e qeshur, e ëmbël
Rri për orë të të tëra derisa të agoj.
Si gonxhe tulipani ti je
Nga ato që notojnë vargan
Gjithë liqenin befas e kthejnë
Në kopsh të varur persian.
Tulipanët s’i kanë qejf dalllgët
Se i trazon gjethet e mëdha
Valën e butë ledhatonjëse
E pret me dëshirë dhe sevda.
Në buzët e mia
Ngjyrë fildishi kam në buzët e mia
Si fosfor më ndrijnë ditë e natë
Nuk dua me të përziej
Ngjyrën e të bukurit mjalt.
Fildishi, brir elefanti
Zoti ia dhuroi në ngjyrë t’artë
Dhe kështu ai e ndau
Tek njerëzit me faqen e zjarrtë.
Mes njerëzve si ti, si unë
Që mësuam diçka nga jeta
Emri i madhështisë së saj
S’pranon ngjyra të tjera.
Si në pyllin plot larmi
Që pemët zgjaten të marrin dritë
Në qendër qëndron vetëm ti
Me ngjyrën e fildishit t’artë.
Pranvera erdhi
Pranvera erdhi dalë ngadalë
Çairet poshtë kanë lulëzuar
Ledhet janë mbushur me qershi,
Me dardhë, mollë e kajsi
Me vello të bardhë gjithçka mbuluar.
Si nuset e përrallave janë stolisur
Lëndina për karshi është bleruar
Luleshqerkat ndjekin diellin
Të verdhat ndrisin që në agim
I marrin dhe i japin botës shkëlqim.
Përmes çairit dhe lëndinës
Përroi i malit rrjedh rrëmbimthi
Shkumbëzon si mantel i bardhë
Me flluckat e bardha si brerore
Dhe duket sikur dikë kap përdore
Mos hiq dorë nga livadhi e blerimi
Lulet e verdha janë shtrirë përreth
Gjineshtra, mimoza e mështekna
Zambaku, luleshqerka, trëndafili
Si zjarr ndezin lëndinën me bar.
Në gjumë çova nimfën një natë me yje
E vesha si flutur, i thashë disa fjalë
Lënduar ca ditë me shpirtin vullkan
Hiq dorë, të thashë, nga lulja e gjëmit
Që i rrallë është në lëndinën jetë.
Mos u gënje nga nga lulet me nuancë ylberi
Gjëmbin çdo nuancë e ka aty në mes
Një gjëmb që s’duket, por është shumë therës
E di kushdo që e ka provuar një herë
Dhe e shmang si gjë të pavlerë.
Më i bukuri fustan
Më i bukuri fustan
Që të shkon sipas shtatit
Është i kuq me topa të zinj
E dukesh larg si leopard.
Kur fshihesh në savan
Në të madhin livadh
Sipër pemësh kacaviresh
Me të bukurin mirazh.
Të gjithë ta kanë zilinë
Përfshi t’madhin elefant
Dhe me zebrën vijoshe
Me të gjatën xhirafë.
Kur nga larg vjen tufani
Si të gjithë ne dhe ti
Savanës i jep njoftimin
Të mbrojnë veten gjithsesi.