Albspirit

Media/News/Publishing

Gëzim Tushi: Si e kam njohur Maman Saliun, djalin e Sali Vranishtit?

 

 

Unë nuk e kisha njohur para vitit 1982 Maman Saliun. Por kisha dëgjuar shumë për të si person dhe babain e tij, Kapedan Sali Vranishtin, me të kaluar historike plot me ngjarje e bëma të lavdishme. Jo se nuk doja, por nuk më kishte rënë rasti ta takoja, qoftë në fshatin e tij në Vranisht, në ceremonitë e  kujtimit të ngjarjeve të luftës, ku ai kishte qenë protagonist, apo edhe në veprimtari të tjera që zhvilloheshin në Vlorë, në të cilat ai ishte i pranishëm dhe pjesëmarrës aktiv.

Deri në atë vit unë isha në detyrën e mësuesit në Shkollën Tregtare dhe si zakonisht mësuesit e kishin të kufizuar hapësirën përtej mureve të shkollës, ku zhvilloheshin veprimtari kulturore, evenimente përkujtimore  apo aktivitete të tjera me natyrë politike e sociale. Pas vitit 1981 kur unë u emërova në Seksionin e Arsimit dhe Kulturës në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit të Vlorës, pata më shumë shanse e mundësi për ta takuar, dëgjuar, biseduar e komunikuar me të.

Herën e parë u takuam në gushtin e vitit 1983 në Vranisht, në festën e përvjetorit të çetës partizane “Sali Vranishti”, ku ai kishte qenë komandant i saj. Unë bashkë me kolegun Pavllo Çulla kishim ardhur nga Vlora. Me Muhamet Tartarin, drejtorin e shtëpisë së kulturës së Vranishtit, kishim disa ditë që po merreshim me organizimin e të gjithë komponentëve të festës. Me aktivitetin artistik, por dhe mënyrën si do organizohej ceremonia  tek rrepet e Vranishtit. Po debatonim të tre për të gjetur zgjidhjen më të mirë, dhe nuk po e definonim strukturën e organizimit të detajeve të integruara të ceremonisë. Në këto debate e sipër shfaqet një burrë i rëndë, me trup të drejtë, me flokë të bardhë e me një bastun në dorë, i cili po drejtohej aty ku po bëheshin përgatitjet.

Po vjen xha Mamani, – tha menjëherë Muhameti. Edhe Pavllua e njihte mirë, pasi kishte qenë disa vjet në drejtim të shtëpisë së kulturës në Vranisht. Po vinte pak i tensionuar dhe ndihej i shqetësuar për disa gjëra që akoma nuk ishin përfunduar. I lexohej në fytyrë një lloj nervozizmi. Megjithatë na përshëndeti, na takoi. Mua më pyeti se cili isha. Duke qenë nga Vërmiku dhe nipi i Heroit të Popullit Bajram Tushi, xha Mamani më përqafoi me besim.

Më bëri përshtypje që ai erdhi aty jo thjesht për “vizitë” apo për të parë përgatitjet tona. Në të vërtetë më impresionoi fakti që ai e kishte të skicuar saktë në kokë dhe fare të qartë “platformën e organizimit” të festës. Ndërhyri si një “regjisor” i vërtetë me idetë e tij duke i dhënë  zgjidhje të gjitha dilemave tona. Dhe në fakt kjo platformë e tij u zbatua. Madje pikë për pikë. Festa të nesërmen doli e mrekullueshme. Pas saj, xha Mamani na mbajti për darkë në shtëpinë e tij. Hëngrëm bukë dhe pimë raki të qetësuar. Si në situatë “pas fitores”. Nga ajo ditë unë isha një nga miqtë e preferuar të tij.

Po cili është  Maman Saliu në kujtesën dhe përfytyrimin tim?

Një figurë komplekse, një burrë lab i skalitur. Fizikisht dhe si autoritet me integritet të plotë e të pacënuar. Në se do bëja një sintezë psikosociale të shpejtë për personalitetin e tij, menjëherë do të thoja se ishte një burrë dashamirës ndaj të rinjve. Asnjëherë nuk ishte pengues për ta. Këtë e provova vetë, sepse kur unë u njoha me të, sapo kisha filluar punë në Seksionin e Arsimit dhe Kulturës së Vlorës.

Jo vetëm aq, por për shkak të eksperiencës së  madhe qysh gjatë  Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe më pas, në punën për rindërtimin dhe ndërtimin e vendit, ai ishte “mbrojtës” për ata të rinj, që për shkak të qëndrimit të guximshëm e antikonformist, goditeshin apo viheshin nën presionin e strukturave, institucioneve dhe autoriteteve të larta.

Për mua është nga njerëzit e rrallë, që nuk u mburr dhe nuk jetoi kurrë nën hijen e të kaluarës së lavdishme të të jatit të famshëm, as me meritat e shumta të njohura e tejet të veçanta të vetes së tij. Një thjeshtësi dhe modesti e rrallë për kohën, kur njerëz të tjerë me një “torbë të vogël” meritash jo vetëm i zmadhonin dhe glorifikonin, por edhe përpiqeshin të siguronin favore e privilegje në emër të këtyre meritave. Të qena apo të zmadhuara qofshin. Maman Saliu ishte një qenie tjetër.

“Materja” e tij ishte e një lloji të veçantë, në të cilën ishin shkrirë në një personaliteti dhe krenaria; burrëria dhe drejtësia; formimi kulturor dhe mprehtësia; morali i pacenuar personal me humanizmin për të tjerët.

Një “prototip” social të cilin nuk e kuptoje kurrë nëse kishte halle familjare apo probleme me jetën dhe vështirësitë e saj. Sidomos të jetës në fshat, të cilën ai me mënyrë të çuditshme e zgjodhi si mënyrë jetese për të gjithë familjen e tij. Konstantja njerëzore e këtij njeriu ishte standarde. Edhe kur ishte në pozitë, edhe kur ishte pa pozitë, edhe kur ishte në konferenca me rëndësi, në kafenenë e Vranishtit apo të Vlorës duke pirë kafen. Ishte gjithnjë po ai. I qartë, i kthjellët, gjithnjë i rrethuar nga miq e shokë plot. Një njeri që kur të këshillonte të siguronte të gjëje rrugën e duhur. I hapur dhe i drejtpërdrejtë në gjykimet e veta, pa shpërdredhje. Asnjëherë nuk të nxiste të gaboje në zgjidhjen e problemeve të caktuara.

Ai ishte një njeri që kurrë në jetën e tij nuk e njohu frikën, servilizmin, konformizmin, as me “shokët e udhëheqjes”.

Kam qenë me të në mbledhje e konferenca të rëndësishme ku trajtoheshin probleme me “spec”, që kërkonin guxim qytetar për të diskutuar, ngritur probleme apo kundërshtuar subjektivizmin, inatet e prapaskenat e njerëzve që ishin në krye. Një pjesë e njerëzve nuk e kishin kurajon individuale, për arsyet që dihen e që lidhen me raportin delikat të njeriut me pushtetin totalitar. Por është e vërtetë, që kur “kërkonte” dhe merrte fjalën Maman Saliu, salla binte në heshtje të plotë.

Të gjithë prisnin fjalën e tij, që gjithnjë do ishte e veçantë. Por edhe drejtuesit e “mëdhenj” e të pushtetshëm, kur fliste Maman Saliu kalonin shqetësime e mornica. Sepse e dinin që ai ishte objektiv, intransigjent dhe nuk ja përtonte kritikës së drejtë, ndaj kujdo dhe kudo që kritika e tij mund të godiste. Por gjithmonë Maman Saliu nuk e humbiste “nordin” e orientimit dhe debatit apo diskutimit. Ai asnjëherë, të paktën në ato raste që unë kam qënë dëshmitar okular, nuk shfaqte inat subjektiv apo paragjykime subjektiviste për t’i bërë keq dikujt. Edhe pse në pamje të parë ai ishte i vrullshëm,  temperamenti i tij ishte njerëzor, por i zjarrtë.

Në se do të më duhej ta sintetizoja në një sintagmë të vetme personalitetin e këtij burri të madh të Vranishtit, Vlorës dhe Shqipërisë, do të thoja se ai në të gjitha rastet ishte koherent me VETEN dhe nuk bënte kompromis me të. Për asnjë arsye. Gjithnjë ai fliste ashtu sikurse mendonte, dhe mendonte ashtu sikurse fliste…

Ky ishte Maman Saliu që kam njohur unë….

*Sociolog, Mjeshtër i Madh

Please follow and like us: