Albspirit

Media/News/Publishing

Kongresi i Përmetit, një tubim i zgjeruar i Partisë Komuniste

 

Luan Dode

Kjo mbledhje, që u mbajt më 24 maj 1944, bënte pjesë në strategjinë e  Partisë Komuniste Jugosllave (PKJ).

Pesë  muaj më pas, në Plenumin e Dytë të Komitetit Qendror (KQ) të Partisë Komuniste Shqiptare (PKSh) i mbajtur në Berat më 23-27 nëntor 1944, Enver Hoxha dëshmon: “U bë mbledhja e  Helmësit (Plenumi I i KQ të PKSh, i 15 majit 1944–shënimi im), edhe kjo e improvizuar. Mbledhja u bë që shokët të aprovonin Kongresin e Përmetit. Ajo duhej bërë si qe bërë në Jugosllavi”. Po aty Sejfulla Malëshova, anëtar i Politbyrosë së KQ të PKSh, tha se “Për Kongresin e Përmetit dhe krijimin e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, ne kishim dokumente të ardhura nga Jugosllavia, një rezolutë dhe vendimet”. Miladin Popoviçi, i dërguari i PKJ për të ndihmuar në formimin e PKSh, i kthyer në një “arbitër”, siç e quan E. Hoxha, – në fakt kryetar i vërtetë në KQ të PKSh –,  do të ishte pa tjetër i pranishëm në tubim.

1.

Kuptohet që nuk do të ishte Komiteti i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar (KPNҪ) me strukturën e paqenë në terren që do të zgjidhte delegatët për në ‘kongresin e tij’. Ishte KQ i PKSh, me maskën KPNҪ që organizoi mbledhjen e Përmetit. Ky porositi strukturat  e veta në teren e në Ushtri: “të zgjidhen delegatë të provuar në luftë, në radhë të parë anëtarë të Partisë, simpatizantë dhe miq të luftës”. Porosiste që për këtë duhej të  punohej si nga “Partia, ashtu dhe nga Organizata e Rinisë Komuniste, tok me këshillat nacionalçlirimtare”. Për të siguruar delegatë të përshtatshëm, në “zonat e lira” do të manovrohej nëpërmjet “zgjedhësve të dytë”; në zonat e pushtuara nga armiku delegatët do të caktoheshin nga këshilli nacionalçlirimtar i qarkut apo i qytetit. Në shumicën e rasteve këshillat NҪ ishin formale nën ndikimin e Partisë Komuniste apo edhe të paqena.Në Ushtrinë Partizane e Vullnetare Nacionalçlirimtare (UPVNҪ), siç u quajt për ca kohë Ushtria Nacionalçlirimtare (UNҪ),delegatët do të zgjidheshin drejtpërdrejt në mbledhjet e përgjithshme të brigadave etë batalioneve.

Përfundimisht: “Numri i delegatëve për çdo prefekturë, brigadë apo zonë ushtarake do të caktohej prej Seksionit Organizativ të UPVNҪ, në bazë të popullsisë dhe të aktivitetit që kanë treguar në luftën tonë”. Pra një organizim me një sektarizëm ekstrem për një mbledhje të cilën organizuesi  – KQ i PKSh  –e pretendonte të rangut të  një kongresi Kombëtar të organizuar nga KPNҪ.

Miladin Popoviçi i kishte dërguar KQ të PKJ një raport datuar20 prill 1944. Aty shkruante se forcat partizane kishin rimarrë gjithë territorin e humbur të Jugut, me përjashtim të qyteteve Gjirokastër dhe Berat. Shkruante, sipas dëshirës, se në këtë territor jetonte një popullsi rreth 400 mijë banorë, që përfaqësonte mbi një të tretën e popullsisë së Shqipërisë. Me këto pretendime komunistët justifikonin ‘ligjësimin’ e pushtetit të tyre për tërë vendin, ashtu siç kishin bërë më 29 nëntor 1943 komunistët jugosllavë në Mbledhjen e dytë të AVNOJ.

Dr. Omer Nishani, pa parti, kryetar i mbledhjes, në fjalën e hapjes tha se KPNҪ kishte në vartësi katër këshilla qarkore (Gjirokastër, Vlorë, Berat e Korçë) dhe se “mund të thuhet se populli i Jugut është i gjithë në këmbë”. Ndërkaq këto katër kryeqendra nuk ishin nën pushtetin e UPVNҪ. Me të dhënat e mësipërme O. Nishani deklaroi se Kongresi ishte “shprehja e vullnetit” të popullit shqiptar.

Por tërë tabloja– me zona territoriale partizane si të leopardit në Jug, e dobët në Shqipërinë e mesme dhe e paqenë në Veri, dhe me manovrimet që u paraqitën për zgjedhjen e delegatëve–, tregon se tubiminuk mund të konsiderohet “Vullneti i popullit”. Ai ishte një tubim i komunistëve dhe i ndjekësve e simpatizantëve të tyre, që denjësishtpërfaqësonin një pjesënjëngjyrëshe popullsie të një pjese të Shqipërisësë jugut.

2.

Mbi portën e faqes ballore të kazermës ushtarake ku do të mbahej mbledhja, ishte shkruar me shkronja të dukshme Enver– Tito, kurse në të dyja anët e mureve ishin vizatuar portretet e të dyve.

Misioni Ushtarak Britanik pranë Shtabit të Përgjithshëm (ShP)të UPVNҪ nuk mori pjesë në mbledhje për shkak të hedhjes poshtë të propozimit  nga ana e tij për thirrjen e Ballit Kombëtar e të Legalitetit. Qeveria Britanike, që përfaqësonte ushtarakisht Aleatët, e quajti të paligjshëm mbajtjen e Kongresit.

Togeri amerikan me origjinë shqiptare, Tomas Stefani, që ishte dërguar në Shqipëri si oficer ndërlidhës i Kuartierit të Forcave Ajrore Aleate dhe tashti qëndronte pranë ShP, mori pjesë si dëgjues. Ato ditë ainjoftonte qendrën e vet në Bari të Italisë: “Në mënyrë të dukshme Partia Komuniste është dora që drejton dhe unë kam shumë arsye të besoj se Hoxha dhe të tjerët nuk kanë marrë kurrë ndonjë vendim pa u këshilluar me një farë kosovari që e quajnë Ali Mali (MiladinPopoviçi – shënimi im) i cili më është paraqitur si një anëtar i KQ. Unë jam i sigurt se ai është përfaqësuesi i Titos”.

3.

Njihet taktika me dyprograme e drejtuesve komunistë, sidomos gjatë luftës: një i vërteti – i pashpallur – se kishin frikë prej popullit, tjetri  një fasadë për popullin. Në Rezolutën e Konferencës së Vendit të PKSh, në  mars 1943, dokument i brendshëm partiak, deklarohej programi i pashpallur. Drejtuesit  komunistë i betoheshin Kominternit: “S’do të lejojmë asnjë fuqi me shmangë Parinë tonë nga  idealet e mëdha të Marksit, Engelsit, Leninit, Stalinit, nga idealet e Internacionale Komuniste”. Tashti nga tribuna e‘Kongresit’ të Përmetit, figura e parë formalisht e PKSh Enver Hoxha përbetohej publikisht për patriotizëm, se ishin sharje e gënjeshtra akuzat “se lufta jonë është thjesht komuniste […] për bolshevizimin e vendit, për zhdukjen e pronë private, zhdukjen e fesë e të besimit, […] etë tjera”.

Një pjesë vendimesh që u morën në të ashtuquajturin Kongresi i Përmetit i tejkalonte kompetencat qoftë edhe të një Kongres Kombëtar. Ato ishin kompetenca të një Asambleje Kushtetuese.

 

Please follow and like us: