Mihal Gjergji: BALIL-O, BALIL NURI!
BALIL-O, BALIL NURI!
(Balil Neshës)
Kujen hap Janina
e ka mbytur gjaku
Kal’ i zi i vdekjes
roje bën te pragu
Ja dhe Kserovalta
më përtej Guveri
Qafë e Peshkëpisë
ndizet si ylberi
Soset Balil nuri
zbret nga Kurveleshi
Trimat pas e ndjekin
derdhen si rrebeshi
Udhën hap me supe
ngjeshur jataganin
Fustanin hajduçe
krahëve-xhamadanin!
Një pasha me tuje
e fut tek tabuti
Një tabor nizamësh
e zhurit baruti…
Ke një plagë te sisa
t’a ka puthur plumbi
Bën sikur do shtrihesh
po s’të qaset gjumi
T’u ndez fustanella
brezin t’a këputi
Me gjyle të rënda
të qëllon harbuti
S’të malakset këmba
gjuri s’të gremiset
Burri vdes në këmbë
shembet, po s’vithiset
Një mjegull e bardhë
zbret nga Këndrevica
Të ta lidhë një plagë
dorën zgjat Nivica
Sa mbyll’ sytë, del nëna
Vjen të shuaj mallin
Qënka yll’ i fatit
zbret e të puth ballin
Të të marrë tek gjiri
Krahët hap Xhixhiá
Po ti, feks si drita
Balil – bukuria!
Rrobat palë-palë
treten në sepete
Asnjë lot rubini
s’e mbajte për vete!
Krah me Tafil Buzin
edhe Hodo Beun
Si foshnjën në djepe
ngarkuat atdheun!
Rri në ballë të kohës
roje istikami
Të na bëjë rrëmujë
prapë na ndjek Junani.
Ndaj të pret Janina
pak më tej Preveza
Qyqe-Çamëria
veshur me të zeza!
Qershor 2020.