Fritz Radovani: In memoriam, DON DED MALAJ!
DON DED MALAJ, (1917 – 1959)
“E Premtja e Zezë në Shqipni ka fillue më 29 nandor 1944,
dhe ka me vazhdue derisa, të mbarojë komunizmi”. (1959)
D.D.Malaj.
Rigonte pak shi.
Ishte data 24 prill 1959. Flitej per një gjyq po fillimi i gjyqit gati nuk merrej vesh prej duertrokitjesh dhe virrmave si në 1945-46, nga gjeneralët dhe oficerët e naltë të Ministrisë së Brendshme të ardhun nga Tirana për këtë gjyq, si dhe nga servilët dhe rrogtarët e komitetëve dhe nga një mori agjentësh në sallë e jashta sallës të shpërndamë në katër anët e Shkodrës, për me vërejtë si po reagon populli ndaj këtij kleriku aq shumë të pritun.
Altoparlantët e rrugëve të Shkodrës ishin të lidhun me kinema “Republika”. Transmetohej gjyqi i “armikut të popullit” Don Dedë Malaj, me grupin e tij.
Hymja në sallën e gjyqit e gjeneralit kriminel Hilmi Seitit bashkë me ambasatorin jugosllav u përshëndet nga të pranishmit si ngjarje me rëndësi të madhe, për mardhanjet ‘e mira’ mes dy vendeve tona.
E, në mënyrë të veçantë, kur bahej fjalë për Klerin Katolik, per të cilin shoku Tito ishte aq shumë i lidhun me tiranin Ever Hoxhen.
Porsa, filloi gjyqi prokurori Rrapi Mino, mbasi lexoi akt-akuzën e përgatitun me aq kujdes ju drejtue të parit kryetarit të grupit Don Dedës, me këtë pyetje: “Që, kur, je armik i komunizmit?”, në sallë ra një heshtje…
Don Deda iu përgjegj: – “Qysh se jam kenë 9 vjeç pikërisht, atëherë, kur kam shkue ndër bankat e shkollës së mësuesit tem Don Alfons Tracki, aty mora vesht prej tij këtë emën dhe prej asaj ditë, nuk kam dashtë me ia ndigjue zanin kurrma komunizmit. Gjithë jetën e kam urrejtë dhe kam punue me të gjitha forcat e mija, aqsa më ka lejue Feja kundër tij”. (Dosja D.D.Malaj)
Ushtima dhe duhija e fjalës së Don Dedë Malaj, ra si një ortek në atë sallë gjyqi, me turr e gjamë, e rrebtë si rrëfeja që zbriste tue shkrepë shkëndia nga Selca e Kelmendit, nga gjiu i Bjeshkëve të Nêmuna, bash ku gurgullon qumështi me shkumbë e gjak përzi e, ku, Nana Lulë, përkrah burrit të saj Keq Lucës (Malaj), që i vringëllonin armët ndër mote e që, më 16 nandor 1917 i kishin falë Shqipnisë një vigan drangue malesh trim e guximtar.
Ndërsa, At Konrad Gjolaj po të njajtës pyetja, i përgjegjet:
“Qysh se fillova me marrë mend ndër bankat e shkollës së Don Alfonsit, kam kuptue shka asht komunizmi dhe, prej asaj kohë nuk kam dashtë me ia ndigjue emnin. Kurrë nuk e kam dashtë atë ide”!
Nuk ishin vetëm këta dy burra po ishin një grup burrash që, nuk u trembej syni e nuk i lonte çerpiku përballë kriminelëve të pashoq, që nuk janë ngopë asnjëherë me gjak malësorësh e trimash të atyne visëve krenare.
Ndër ato banka qëndronin me ballin nalt vëllaznit Lazër e Gjon Simon Parubaj, Vlash Zefi e Gjeto Luc Budashi. Në një qoshe strukej si langue edhe një farë Lulash Toma.
Në Shkodër nuk bisedohej tjetër veç për këtë gjyq, që kishte fillue e shumë vetë nuk besonin se janë tue ndigjue me veshë, atë shka asnjë njeriu nuk i shkonte në mend se mund të flitej haptas.
Cili mujte më folë kundër Bashkimit Sovjetik? Kush mujte me tregue se shka ka ba Stalini për me formue kolkozët? Kush mund të fliste për hekrat e ndryshkun që sillnin sovjetikët në Shqipni, të bojatisun sipër tue u krenue për “ndihmën e tyne të madhe”, që po i jepnin Shqipnisë socialiste? Kush, deri atëherë kishte mujtë me folë se ku shkojnë mineralet e metalet e nëntokës shqiptare, dhe kush e merr valutën e tyne? Cili ka mujtë me u thanë fshatarëve hyni ndër kooperativa se ky sistem të qet fare, mos me ju bindë urdhnave dhe ligjve të tija antidemokratike? Kush ka mujte me folë për punën, mundin, djersën e fshatarit dhe të punëtorit e për shpërblimin që paguen shteti? Kush ka mujtë me i thanë Ever Hoxhës, e klyshve të tij se, ju, jeni shfrytëzuesit ma të egjër të mundit dhe djersës së popullit shqiptar që njeh historia?
Kush ua ka përplase ndër sy terroristëve komunistë se, ju, kërkoni me më pushkatue vetëm e vetëm se jam Prift Katolik dhe per asgja tjetër, mbasi unë as nuk jam trathtar i atdheut dhe as spiju i popullit tem?
Na dukej andërr, po ishte një e vërtetë! Fliste Don Dedë Malaj!
Nuk i lente gja mangut as miku i tij At Konrad Gjolaj.
Me datën 27 prill 1959, Kryetari i gjyqit Mustafa Qilimi dha vendimin:
Don Dedë Malaj, me vdekje, me pushkatim. At Konrad Gjolaj, me 25 vjet burg. Lazër Simon Parubaj, me 20 vjet burg. Gjon Simon Parubaj, vëllau i Lazrit, me 10 vjet burg. Vlash Zefi me 15 vjet burg. Gjeto Luc Budashi me 10 vjet burg dhe Lulash Toma me 5 vjet burg.
Atë mbramje, kur doli nga gjyqi Don Deda, e hypën në një kamjon “zis”, një turmë policësh e ulën galuc. Ndërmjet dy rrypave të drrasës mbi spondë kujtoj, dy sytë e tij të bamë kuq. Nuk shihej as e bardha e as bebja e synit e kaltërt, vetëm dy njolla gjaku që asnjëherë nuk mund ti harroj. Me datën 12 maji 1959, u ndigjue se u ekzekutue vëndimi. Don Dedë Malaj u pushkatue në një fushë buzë liqenit të Shkodrës.
Pra, 14 ditë para vizitës së Nikita S. Hrushovit në Shkodër! Për fat të keq nuk kam pasë mundësi me lexue fjalën e fundit para pushkatimit.
Me datën 10 tetor 1991, asht ba rivorrimi i eshtnave të tij në vorret e Sukave të Dajçit të Bregut të Bunës, të famullisë ku ka shërbye, me pjesmarrjen e mija e mija fshatarëve të atyne krahinave dhe të shumë qytetarëve të Shkodrës, që nuk e kishin harrue gjyqin e tij historik.
Fjalën e rastit me lot për faqe dhe me ndërpremje të shpeshta përmallimi e ka mbajtë shoku dhe miku i paharrueshëm i Tij, deri në ditën e fundit të jetës At Konrad Gjolaj. Fjala e tij u mbyll kështu:
“Ti ishe lajmëtar i fjalës së Krishtit! Armiqtë Tuej me britma e virrma që kanë me i ndjekë edhe përtej vorrit, kërkuen me mbulue vrasjën Tande të pafajshme, në atë breg liqeni.Nuk pat kush me të mbulue atë gjoks të zgaqun dhe të shpuem me plumba prej dorës mizore të atyne katilave, veç, atë nade, herët, ra si vesa avulli i gjakut Tand mbi Ty, o i bekuem”!
Në vitin 1997, At Gjolaj, botoi librin “Çinarët”, vepër të cilën ia kushton: “Misionarit prej Breslaut, Mësuesit tonë në Velipojë, Don Alfons TRACKIT. Shokut e Mikut të përjetëshëm Don Dedë MALAJ”. Kur kam mbarue daktilografimin e këtij libri dhe ia dorëzova At Konrradi, më pyeti: “Po, parathanja ku asht?”, unë nuk kishe marrë parathanje me materialin që më kishte dorëzue. Ai, me buzë në gaz dhe me ton të premë më tha: “Parathanjën e due prej teje”. Unë, kam hezitue pak çaste, mandej, pranova. Në vitin 1998 mbasi pata rasë me pa në arkiv dosjët jam takue me At Konradin dhe e kam përgëzue për saktësinë e fakteve që Ai ka shkrue mbas aq shumë vitësh në librin e tij “Çinarët”.
Kjo asht arësyeja që në këtë material që kam shkrue unë nuk jam zgjatë në shpjegime të hollësishme, mbasi në librin e At Konradit, asht gjithshka e plotë dhe e saktë, megjithse, At Konrradi nuk ka pasë kurr në dorë asnjë material arkivor, përveç kujtesës së tij të mbrekullueshme, mendjës së hollë dhe dashnisë së pakufi për mësuesin dhe shokun e vet.
E vetmja gja që më ka ra në sy në shtjellimin e këtij proçesi asht kenë dëshira e madhe e Sigurimit të Shtetit me zhdukë këtë përson.
Pse u punue kaq shumë vite kundër Don Dedës e At Konradit? Ku fillon mënia e shtetit komunist kundër Don Dedës?
Urrejtja e Sigurimit të Shtetit nuk ka fillim. Në vitin 1950, me qëndrimin e tyne të vëndosun dhe kundërshtar ndaj kërkesës së vjetër të shtetit Everit, për nënshkrimin e Statutit të Kishës Katolike shperthen urrejtja.
Lidhja e Don Dedë Malaj, At Konrad Gjolaj, Don Ejëll Kovaçit, At Zef Saraçit, At Marin Sirdanit etj., me Don Kolec Prennushin, për mos me aprovue nënshkrimin e këtij Statuti dhe mënyra sësi këta Klerikë e kanë kundërshtue haptas atë, ka hapë menjëherë dosjen konsultative të Sigurimit: “Çfarë dhe si duhët të veprojmë për t’i zhdukur këta klerikë?”
Mbas nënshkrimit të Statutit në vitin 1951, përveç tre të parëve që nuk kanë firmue, në konferencën e Paqës në Tiranë në vitin 1952, nga Sigurimi i Shtetit u përcaktuen edhe klerikët që ishin në kapërcyll, as andej as këndej. Ata që nuk u bashkuen me turmën as në këtë konferencë edhe pse kishin firmue Statutin mbetën armiqë, shumica e të cilëve përfundoi në burgje e kampe interrnimi, ku dënimet sa vinin e randoheshin.
Deri në vitin 1956 duket, sikur ka një qetësi! E vërteta asht ndryshej! Nuk kishte sesi të dënohej kulti i Stalinit tue pushkatue Priftën! Mardhanjet me Bashkimin Sovjetik kishin marrë ngjyra të tjera mbas vdekjës së Stalinit. Hrushovi kërkonte mënyra tjera qeverisje sovjetike. Ai punoi që diktaturën stalinjane me e zëvendsue me asfiksimin e armiqëve të tij.
Nuk ishte për pushkatime por për vdekjen e natyrëshme të imponueme me mjete “paqësore”, me “izolime” të plota. Nuk perjashtoheshin edhe satelitët e sovjetikëve që do të mbanin qëndrime të “moderueme” si padroni. Kuadri i rij që i nëvojitej klerit, tashti merrëj nga bankat e shkollave socialiste ku filozofia marksiste-leniniste kishte pushtue edhe mendjet e njerëzve në skutat ma të largëta të vendit. Dukej kohë zbutje, por në të vërtetë ishte kohë grumbullimi energjie për ofensivën përfundimtare, për atë që vetë kmunistet e moderuem e quajtën “triumfi i plotë” i sistemit socialist.
Hilmi Seiti mundohet me të njajtat metoda me veprue edhe me Don Dedë Malaj e At Konrrad Gjolaj, po atë vit tue i kalue ndër duert e kriminelëve të njoftun: Nevzat Haznedari, Ali Xhunga, Hamdi Ulqinaku, Shyqyri Qoku, dhe tragjedia mbyllet me Xhevdet Milotin, që mban me cigare dhe ilaçe shkatërrimi të sistemit nervor të shkretin Don Dedë Malaj, deri atë ditë që asht dhanë vendimi me 29 Prill 1959,
Kryetari i gjyqit Mustafa Qilimi dha vendimin per të gjithë të akuzuemit, ndersa Don Dedë Malaj, u dënue me vdekje, me pushkatim. E mesa e Don Dedës, ishte Drandja e vogel 13 vjeçe, që u nis per Tiranë me u interesue per Axhen e vet. Me 1 Maji Drandja takoi tek tribuna Nexhmije Hoxhen, e njohun nga Populli me emnin kobra. Drandja i shpjegoi se ‘nuk kam asnjë njeri në këte botë”. Nexhmia iu pergjegj: “Pse t’ ia falesh jetën atij, ai është armik i popullit. Ti nuk ke mundësi t’ interesohesh për té, mese do e mbash até?” Drandja iu pergjegj: “Até e mban burgu, s’ ka gja, veç të jenë i gjallë, aman të lutem ma ban këte nderë, se nuk kam as nanë as babë, veç këte axhë!” E shkreta Drande u mundue me e prekë n’ zemer!!
Me 9 Maji Drandes, i erdhi pergjegja e kobres nga Kuvendi Popullor Tiranë: “Lutja yte refuzohet” (Dosja 2199).
11 MAJI 1959 Don Dedë MALAJ u pushkatue brinjë Liqenit të Shkodres, ku gropa e Varrimit Don Dedës u ruejt nga një Vlla Mysliman, që e kishte në kopshtin e vet. Sot, në këte 60 vjetor Shqiptarët besoj se me “Rilindjen” e komunizmit, kujtojnë edhe thanjen e Madhe Profetike të Don Ded Malaj:
“E Premtja e Zezë po vazhdon pafund me komunizmin vrastar”!
Don Dedë Malaj me gjyqin e Tij hyni në vazhdën e lëgjendave të Trojeve shqiptare që brezat e ardhëshëm do të këndojnë me “lahutën” e tyne, ndër vargje të pafund.
Në vitin 1941, në Gjenacanin e Fugures së Zojës së Shkodres, bash perballë Saj u betue dhe u Shugurue Meshtar në Itali Don Deda. U kthye në Shqipni ka sherbye në Velipojë, Mal të Jushit e së fundi, në Dajç të Bregut të Bunës.
E kush nuk e kujton At vigan të Alpeve tona?!
DON DEDË MALAJ asht nder brilantët e Klerit Katolik Shqiptar, i cili me një guxim të panjohun deri në gjyqin e Tij, që u zhvillue në Kinema “Republika” të Shkodres, në Prill të 1959, u tregoi armiqëve të Maleve tona të Veriut se, “Malësori yné per Fé e Atdhé e ban vdekjen si me lé!”
Kjo formulë shekullore e daltueme nder mendjet e zemrat e Atyne Trimave të Alpeve tona, qendronte si një mburoje e hekurt e daltueme kunder të gjithë atyne që nder shekuj punuene me asgjesue Ata Male Kreshnike.
Edhe pse kanë kalue ma shumë se 60 vjet nga vrasja mizore e DON DEDË MALAJ, Ai mbetët i pavdekëshëm në historinë e salvimit e të martirizimit të Kishës Katolike në Shqipninë e robnueme.
Don Dedë Malaj asht ndër klerikët ma të torturuem dhe të masakruem. Ai mbetët ndër ma të sakrifikuemit për triumfin e Idealit të Fesë së Krishtit në Shqipni. Ai vdiq për Kishën Katolike, Popullin Shqiptar dhe Papën!
Tue vdekë për Fè e Atdhé, Don Ded MALAJ, u Perjetsue nder Shekuj.
Sot Populli Shqiptar Trimin e Selcës e rreshton me Herojt’ e Kishës sonë, me Zamakët e bardhë të Flamurit të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!
Melbourne, 14 Maji 2022.