Rifat Ismaili: PLAKU DHE PULËBARDHA
Rrëfenjë
Në një shtëpizë të vogēl buzë detit, banonte plaku Pierin dhe shpesh e shikoje tek ecte me hapa të ngadaltë dhe i kërrusur përgjatë bregut të detit. Jetonte i vetmuar dhe shëtitja e shkurtër përgjatë plazhit, ishte e vetmja gjë që mund të bënte.
Por në çdo hap që hidhte, ndiqej nga pulëbardhat dhe njëra prej tyre, ajo më e guximshmja i thoshte: “Uaaa, sa i shëmtuar! Dua të shoh një djalë të ri” – dhe pas këtyre fjalëve, sulej me krahë të hapur qiellit lart, bënte një pikiatë të menjëhershme dhe kridhej në det. Sapo zhytej në det, ajo nuk ishte më pulëbardhë, por një grua e bukur me flokë të verdhë dhe ndërsa notonte, shtriqej dhe zbulonte hiret e saj të mrekullueshme. Kur plaku e pa, mbeti i shtangur, nuk mund të hidhte më një hap përpara, vështronte e vështronte siluetën e saj që gjithnjë e më shumë largohej. Pas disa çastesh ajo ngrihej vrikthi sipër ujit, duke u kthyer menjëherë në pulëbardhë dhe afrohej tek shoqet.
Plaku nuk e vazhdoi gjer në fund udhën e tij, por u kthye mbrapsht drejt shtëpisë. I menduar kujtonte çastin kur pa pulëbardhën të kthehej në grua, por nuk mund të hiqte nga mendja fjalët e saj dhe pezmin që e pati pushtuar. Iu kujtua jeta e tij e dikurshme dhe lotët i shkitën faqeve. Iu kujtua fëmijëria e tij, rinia, iu kujtua që dikur kishte qenë djalë i bukur dhe e mendoi veprim të padenjë fyerjen e pulbardhës Osvalda.
Sikur të më kishte njohur dikur, mendoi, kur isha i ri e më ndritnin sytë e gjoksi më farfurinte. Sikur të më kishte njohur…
Plaku ishte martuar para shumë vjetësh me një balerinë, por ajo e kishte braktisur për një tjetër dhe papritmas, ishte zhdukur përgjithmonë. Ky peng nuk i ndahej kurrë prej zemrës.
Dhe ja tani, kjo krijesë e çuditshme midis pulëbardhës dhe gruas, që e përçmonte.
Të gjitha ditët, që plaku doli për të shëtitur, pulëbardha Osvalda, shkëputej nga shoqet, dhe i thërriste: “Ti plak i shëmtuar, mos kalo më këtu. Dua të shoh një djalë të ri, jo fytyrën tënde të rrudhur e sytë e shuar”.
Dhe plaku kthehej në shtëpi, gjithnjë e më i pikëlluar.
Ai kishte dëgjuar që jo larg prej shtëpisë së tij, në një guvë të thellë brenda shkëmbit që ngrihej mbi det, jetonte një plakë që bënte magji, dhe u nis ta kërkonte.
Dhe pas një dite të tërë në këmbë, ai e gjeti guvën ku strehohej shtriga dhe me një ndjesi frike hyri brenda. Në brendësi tē shpellës së vogël ishte shumë errësirë, por disa flakërime drite që vinin nga tavani i gurtë i jepnin një shkëlqim të zbehtë. Muret e rrafshët ishin të lëmuar prej shekujve të kaluar dhe sipër tyre ishin vendosur disa shandanë të vegjël ku flakëronin ca qirinj gjysmë të shuar. Pranë një zjarri bubulak në mes të dhomës së madhe, rrinte e ngrohej një plakë e shëmtuar me fytyrën e rrudhosur, sytë të picërruar dhe leshrat e zbardhur. E gjithë dhoma e madhe brenda shpellës ishte pothuajse bosh, përveç disa enëve e disa gjërave mbështetur mbi një si sofa. Dhe një shtrati të thurur me thupra e mbushur me kashtë. Përveç tyre gjendeshin edhe mjete të tjera, shishe të vogla e lëngje me të cilat shtriga plakë bënte magjitë.
– Çfarë të solli këtu, o njeri, i thërriti plaka me një zë të çjerrë. – Afrohu të të shoh më mirē.
– Një hall i madh më solli, iu ankua plaku, – kam ardhur të të përgjërohem për diçka me shumë rëndësi. Ka disa ditë që nuk fle i qetë. Një pulëbardhë që shndërrohet në grua, më keqtrajton sa herë më sheh sepse më quan plak e të shëmtuar. Dhe s’do të shohë të kalojë një si unë, por një djalë të ri. Do doja të bëje diçka për mua. Një mrekulli. Të kthehem prapë i ri!
Plaka e moçme ndjeu keqardhje dhe u mëdysh. “Më vjen keq për ty por do të ndihmoj. Rroj këtu e vetme prej vitesh dhe askush s’vjen më të më shohë. Nuk di sa kohë ka kaluar dhe jam lodhur duke jetuar. Dikur edhe unë isha grua e bukur dhe me magjitë e mia e kisha vënë botën ndër këmbë. Por nganjëherë edhe jeta të lodh dhe të jetuarit të kthehet në mërzi. Tani pres e pres ditën kur do bie në gjumë të përjetshëm. Por dua ta mbyll jetën time me një gjest të mirë. Do të të ndihmoj”.
Plaku u përkul dhe i puthi duart e rreshkura.
Shko bir, i tha ajo, kur të dalësh prej këtu, do jesh një njeri ndryshe. Dhe do jetosh si i tillë për shumë kohë. Gjersa magjia ime të shuhet. Do e ruaj magjinë në një poçe të sigurtë dhe do e fsheh brenda lëvores së një peme të moçme. Kur një korb i zi do e gjejë poçen dhe do e thyejë, atëherë do jetë dhe fundi yt. Sepse engjlli i vdekjes do e dërgojë korbin posaçerisht për t’i dhënë fund jetës tënde prej vdekatari. Por gjer atëherë ke kohë ta shijosh jetën tënde. Tani shko, dili përpara pulëbardhës fodulle dhe bëje të përgjunjet përpara teje. Të dashurohet pas teje e marrosur dhe zemra e saj të të bëhet skllave”.
Plaku u lumturua dhe i shndritën sytē nga një mundësi e dytë që iu dha për të dashuruar. Kur doli prej aty, ai u rrethua përqark nga një dritë e veshur me grimca yjesh, të cilët i përshkuan trupin dhe e rinuan në çast duke e bërë djalē të ri dhe shumë më të bukur se më parë. Vezullonte i tëri si një princ, dhe çdo hap qē hidhte e mbushte vendin me dritē dhe nur. Kështu, mes dihatje pemësh, gurgullima ujërash dhe cicërima zogjsh arriti në shtëpinë e tij.
Iu përvesh punës , pastroi dhe sistemoi orenditë, të nesërmen mori furçat dhe ngjyrosi muret, pastroi oborrin dhe mbolli lule gjithandej, dhe gjithçka bënte i jepte hov e gjallëri. Aq shumë punoi, sa i harroi orët se sa shpejt kalonin. Kur mbaroi, ai vendosi tē bënte shëtitjen e përhershme të mesditës, përgjatë detit, dhe mezi priste çastin e ritakimit me pulëbardhën Osvalda, dhe reagimit të saj kur ta shihte. Ai shkoi në pasqyrë për tu bindur se pleqëria ishte zhdukur dhe të shihte edhe vetë se si dukej. Ai çfarë pa, iu duk djali më i bukur në botë dhe ky djalë ishte vetë ai. Më në fund ishte gati për sfidën me gruan pulëbardhë.
Kur doli jashtë, era detare i perzhiti flokët dhe ai ndjeu freskinë ti mbushte mushkëritë. Ishte i emocionuar dhe hidhte hapat ngadalë me vështrim nga deti. Iu afrua pulbardhave të cilat u ngritën rrëmbimthi dhe filluan ti vërviten rreth kokës. Vetëm njëra prej tyre nuk lëvizi prej vendit, dhe me hapa të ngadaltë iu afrua vijës së ujit që i mbuloi këmbët- lopatë. Rrinte atje e pikëlluar duke vështruar djalin e ri që po i kalonte pranë, dhe përpëliste sqepin. Nga turma e pulëbardhave u dëgjua një zë; -“Osvalda, mos rri aty, hajde me ne! Do shkojmë të lahemi dhe peshkojmë.” Por ajo s’u ktheu përgjigje. Më në fund djali me bukuri përrallore njohu pulëbardhën me të cilën ishte dashuruar, dhe e kishte bërë të vuante për tërë atë kohë.
Osvalda, i tha djali, unë të njoh. Më foli për ty një plak i vjetër që dikur shëtiste këtu. Mora vesh dëshirën tënde për të parë një djalë të ri dhe erdha që të njihemi.
Pulëbardha e pa me sy të përvuajtur dhe mezi foli.” Është tepër vonë. Nga mbrëmë jam e sëmurë. Diçka ka ndodhur. Brenda meje ka hyrë një qenie tjetër dhe më ka shëmtuar.
S’po të kuptoj, i tha djali.
Nuk ke si të më kuptosh, i tha ajo. – Nëse plaku të ka folur për mua, besoj se ta ka treguar sekretin tim. Në tokë jam pulëbardhë, dhe në ujë shndërrohem në grua. Kam lindur kështu,besoj, midis dy botëve. Ose është magji. Vetëm dashuria e një djali të bukur do e prishte magjinë dhe do të bëhesha grua përgjithmonë. I gjori plak. Sa e kam tallur sa herë vinte këtu për të shëtitur. Ndjehem e penduar.
– Po çfarë të ka ndodhur, a ma thua? – e pyeti djali për të marrë vesh se çfarë kishte ndodhur.
-Eh, e shkreta unë. Një gjëmë e zezë më ka ndodhur. Mezi prisja të shihja një djalë si ti, dhe ti fitoja zemrën. Po nuk qe e thënë. Mbrëmë hyra në ujë, dhe u ndjeva e lodhur. U pashë nē pasqyrën e ujërave dhe papritur isha plakur dhe shëmtuar. Nuk di si më ndodhi ky mallkim, por më erdhi fundi. Nuk e dua më këtë jetë. Do të mbytem. Ti jap fund.
Djalit i rrodhën lot nga sytë. Mendoi ngjarjen e mbrëmshme dhe u ndje fajtor për gjithçka kishte ndodhur. Magjia e plakës kishte rinuar atë, dhe plakur gruan pulëbardhë. Jo s’ mund të ndodhte kështu. S’ duhej të shkonte kështu.
– Mos u mërzit, – tha pulbardhës. – Do të të shpëtoj. Njoh një magjistare jo larg prej këtu që mund t’iu kthejë siç ishit më parë. Do shkoj që tani ta gjej.
-Vërtet?- i tha Osvalda. -Do të isha mirënjohëse në jetë të jetëve.
Ajo e përqafoi djalin dhe ai ashtu me lot nëpër sy u largua.
Çfarë paskam bërë – grindej me veten. Po pse duhej të ndodhte kështu? Mos vallë shtriga më mashtroi? Që të mos jem i lumtur? E çfarë e dua rininë pa dashurinë?
Ai ecte permes shkëmbinjve përgjatë bregut dhe po i afrohej guvês. Do i thoshte shtrigës të prishte magjinë, ai të kthehej përsëri në atë plakun e vjetër që ishte dhe Osvalda të rimerrte bukurinë që kishte dhe rininë.
Hyri brenda, errësira ishte bërë më e thellë dhe qirinjtë ishin shuar. Duke u mbajtur me duar pas mureve shkoi gjer në dhomën ku rrinte plaka. Edhe zjarri ishte shuar dhe plaka nuk ndodhej më aty. Aq u sikletos sa nuk dinte më çfarë të bënte. Si do e zgjidhte tani këtë punë? Ku të ketë shkuar vallë, plaka? Mos ka hyrë brenda shpirtit të gruas pulëbardhe, prandaj të ketë ndryshuar. U ndje shumë keq në shpirt dhe fajtor. ” Do të shkoj – tha me vete, të gjej poçen me magjinë, dhe do e thyej . Do e kërkoj ngado gjersa ta gjej. Ai doli jashtë shpellës, dhe qielli i vrenjtur i ra përsipër. Një korb i zi e i vetmuar fluturonte mbi kokën e tij.
“Herët a vonë do e gjej magjinë, i foli korbi dhe ky do jetë fundi yt”.
– Gjeje, i tha djali i acaruar, – nuk më duhet më as jeta e as bukuria.
Korbi u largua i habitur dhe me krra- krratë e tij çorri naten e errët që po afrohej.
Plakun e zuri nata nëpër pyll dhe u ul pas një trungu të pushonte e të flinte. I doli gjumi në të gdhirë, kur rrezet e para të diellit po depërtonin përmes degëve dhe gjetheve. Befas, nga një pemë e lashtë atje pranë, diçka shkëlqeu një çast, dhe drita përsëri u venit. Ai u ngrit vrikthi dhe shkoi drej pemës. Pa që brenda trugut kishte një zgavër dhe futi dorën brenda, duke nxjerrë prej aty poçen me magjinë. E mbajti para syve me duart që i dridheshin. Eci si somnambul përmes pemëve gjersa doli prej pyllit. Duke ecur me poçen në dorë, i ishte afruar shkëmbinjve. Ndali dhe i menduar hodhi sytë mbi det. Ishte një ëndërr e bukur që zgjati shumë pak.
Tani Osvalda, foli me vete, do të të kthej jetën tënde. Dhe unë do jem përsëri ai që isha.
Kështu ishte shkruar. Ai e theu poçen mbas shkëmbit pa hezitim, dhe brenda pak çasteve, përmes një drite të lëbyrtë transformimi ndodhi. Ai preku me gishta lëkurën e rreshkur, ndjeu lodhjen e jetës dhe hoqi hapat zvarrë përgjatë bregut.
Në afërsi të shtëpisë , ai pa fluturimin e pulëbardhave, dbe njërën prej tyre që u shkëput me gezim, bëri një pikiatë duke i përzier krahët e bardhë me kaltërsinë e qiellit dhe sa hap e mbyll sytë u zhyt në det.
Në takimin e menjëhershëm me ujërat, ajo u shndërrua në një grua me bukuri të mahnitshme dhe vazhdoi të notonte si e dehur me valët e detit. Gruaja shqoi nga larg siluetën e heshtur të plakut, ngriti lart dorën duke e përshëndetur, i buzëqeshi, dhe u ngrit lart në qiell duke u shndërruar përsëri në pulëbardhe.
Humbi përmes reve dhe plaku nuk e pa më. Vazhdoi rrugën i heshtur e i kërrusur për në shtëpinë e tij.
Please follow and like us: