Albspirit

Media/News/Publishing

Skënder Demolli: VITI ARTISTIK I ALEKO PRODANIT

VITI ARTISTIK I ALEKO PRODANIT. NJERIUT ESTRADË, KA MBLEDHUR PAS LOCKDAWUN,
NË ATHINË, NË 85 – VJETORIN E LINDJES SË TIJ SHKRIMTARË DHE ARTISTË EMIGRANTË, ME BANIM NË GREQI.
Viti i Aleko Prodanit- “Njeriut estradë” dhe shkrimtarë e artistë shqiptarë, emigrantë në Athinë, janë mbledhur pas lockdawn këtë të dielë, në 85 – vjetorin e lindjes (2 maj 1942), të artistit të madh e të pa harruar të teatrit e kinematografisë shqiptare, duke e sjellë të gjallë përmes kujtimeve të tyre.
“Njeriu estradë”, do ta quaja pa asnjë rezervë, jo vetëm se estrada para viteve 90 – të ishte në Shqipëri spektakli më i dashur dhe popullor, që konkuronte me pjesëmarjen e duartrokitjet edhe “kongreset e partisë mëmë”, por sepse në skenë Aleko Prodani ishte vërtet emblema e gazit buçitës dhe të qeshurës.
Prodani nuk ishte aktor profesionist me diplomë nga shkolla, por nga skena. Erdhi nga lëvizja amatore, me një pasion të jashtëzakonshëm për aktrimin e plot pathos për të qeshurën, duke u kthyer në një mit e mysafir aq i dashur i familjeve shqiptare edhe në netët e ndërrimit të viteve, nëpërmjet programeve plot këngë e humor që trasmetonte RTV. Shqiptar.
“Njerëzit vërtet kishin probleme në atë kohë, siç kanë edhe sot, por qeshnin, tha në kujtimet e tij Anastas Kozdine – aktor i kinematografisë bashkëkohore. Por Aleko me intuitën e tij kishte zbuluar edhe anën e tragjikes për të qeshurën, hallin e njeriut përballë burokracisë të kohës.
Në pamje të jashtme në jetën e përditëshme, dukej tip mjaft i heshtur dhe i qetë, por nga brenda zjente, sepse e jetonte në jetë e në skenë “hallin” e tjetrit. Si i tillë ishte aktor i komedisë së ankthit. Po përmend këtu kinokomedinë brilante “Dy herë mat” të Bujar Kapexhiut, po edhe shkëlqimin e tij të merituar me Zylon e Dritëroit, në një dramatizim të inskenuar sipas romanit, në vitet 80 –të , nga libretisti Ilir Buzali e të shfaqur me sukses nga teatri i estradës së Korçës.
Ndaj sot më dhemb jo vetëm Aleko, por edhe spektatori i humorit… Sepse vendin e estradës, si art skenik i komedisë së mirëfilltë, që kanë zënë disa “formate humori” në ekranet e tv –së, e kanë degraduar deri në banalitet teatrin e humorit, i cili në vend që t”i japë publikut të sotëm atë që ka nevojë, po shkon në të kundërt me shijet vulgare të materialit letrar, si buka e aktorit dhe aktorë zanatçinj, që thjesht mendojnë vetëm për fitimin dhe honorarin”.
Merita Dabulla artiste e cirkut të Tiranës dikur dhe aktore me kontribut modest sot në disa filma grekë, ku ka gjetur veten, shprehet për Alekon, duke e vlerësuar jo vetëm për talentin e tij të lindur për të performuar, por edhe për protogonizmin e tij në skenë.
“Nuk ishte thjesht çështje talenti që Aleko thuajse në të gjitha premierat luante vetëm role të para, por mbase edhe protogonizmi i artistit për të qënë vërtet një “star”, siç themi sot… Sepse në atë sistem politik që lamë pas më shumë se individi vlerësohej kolektivi. Por spektatori e deshte dhe mezi priste të dilte në skenë Aleko. Veç së qeshurës Aleko shkaktonte te publiku emocion që të prekte me lojën e sinqertë e të besueshme. Mirësjellja ishte një tipar i dallueshëm njerëzor që e karakterizonte, çka e gjen thuajse në të gjithë komikët e njohur të botës. Na bën krenarë si aktorë të humorit Aleko Prodani”.
“E adhuroja Alekon, tha Edi Konica shkrimtar e poet me banim në Athinë. Isha gjimnazist në Korçë në ato vite, kur e kam njohur dhe i etur për të qeshur, si çdo i ri, po edhe për ta parë Alekon, shkoja dy dhe tri herë në një shfaqje estrade. Pastaj kisha aq dëshirë si kolonjar, ta takoja krenarinë tonë me origjinë nga Prodani ynë. Po nuk guxoja ta ndalja në rrugë. Në jetë ishte aq seroz. Ngaqë luante në skenë dhe shumë role “shokësh” shefa, drejtora, aparatçikë, më dukej i rëndë. Dhe një ditë i fola nga pas në bulevard shoku Aleko! Por nuk e ktheu kokën. Shoku Aleko, këmbëngula! Qëndroi dhe po shihte këpucët e vjetëruara, me të cilat dilte nganjëherë edhe në skenë. “Po, ku e sheh këtë shoku, more djalë?!” Te shpirti yt, që nuk e braktis kurrë spektatorin, i thashë. Dhe vërtet Korça e kishte idhull të saj njeriun dhe aktorin, që do të arrinte kulmin me spektakle me dy e tre mijë veta në Pallatin e Sportit të qytetit, në atë kohë.”
“Aleko Prodani nga një shfaqje në tjetrën edhe ish, po edhe nuk ish ai… Punonte jashtëzakonisht me rolin dhe jepej i tëri për ta mishëruar atë. Pata fatin që mu dha rasti të isha partner i tij në mjaft skeçe e komedi dhe kishe vërtet të mësoje shumë nga një aktor i tillë i pa përsëritshëm. I pa përsëritshëm edhe në skenë, u shpreh online nga Amerika, ku ka emigruar Arben Dervishi, i njohur qysh në fillimet e veta me talentin e tij në skenën e Korçës dhe në ekranin e vogël.
“Na rriti artistikisht ne aktorëve të rinj. Sepse përpiqej ta ngrinte partnerin dhe puna e tij me rolin nuk mbaronte me provat, por vazhdonte edhe në shtëpi. Ca më tepër që me Vjollcën bashkëshorten, por edhe djalin Albanon ishin e mbetën familje artistësh të skenës. Ky ishte sekreti i tij: të rriste veten nëpërmjet rolit të arrirë. Dhe për këtë djersinte shumë. Ishte kërkues, aq sa regjisorët e estradës Sotiraq Çili, Emil Bibolli, duke njohur aftësinë e tij magjike për të improvizuar, i thoshin: “E di vetë ti, e di vetë”.
Dhe Aleko, si një aktor që kërkonte vazhdimisht nga vetja e pasuronte edhe më tej personazhin e dhënë nga autori me lojën e tij, “i jepte gjak” nga gjaku i vet. Shkopi i regjisorit, siç thosh Lorka, nuk qe për ta shtyrë të ecë në shtegun e autorit, por për të harmonizuar spektaklin, të gjithën në një, ashtu si dirigjenti me shkopin e vet në koncert. Për këtë Dervishi kujton punën e regjisorit të famshëm Pirro Mani me aktorët e teatrit të Korçës për inskenimin e një komedie të adoptuar nga S. Demolli “Një burrë për Kristinën”, ku Aleko luante personazhin kryesor, si një shfaqje e cila u bë hit brenda dhe jashtë vendit. Ashtu si u bë edhe komedia “Kërkohet një gënjeshtar”, me rolin kryesor të së cilës Aleko u vlerësua si “Aktori më i mirë i vitit”, në festivalin kombëtar të aktorit në Fier 2004 etj.etj.
Loja e Prodanit arrinte shpesh në kufijtë e alogjikes, gjë që ishte vënë re jo vetëm nga kritikë tanë, por edhe të huaj, gjatë turneve me shfaqje në festivale të ndryshme në vendet fqinje. Këtë mund ta arrinte një aktor që kishte të lindur e kultivuar instiktin e humorit popullor, i cili me alogjizmin e tij ndaj absurdit, të pa priturën, mimikën e njësuar me fjalën e seriozitetin e jashtëzakonshëm në rol, është në gjendje të “çaktivizojë” minën që kemi nën këmbë, duke e shpërthyer atë në të qeshura të shëndetëshme.
As djali Albanoja i cili ka vite që luan në skenën e humorit, as nipi i tij Aleksi, që i ka marë emrin dhe talentin, po as edhe ndonjë aktor tjetër nuk kanë arritur ta imitojnë në lojën e tij Alekon. Sepse nuk ishte aktor “klishe”, ose që të futej në një kallëp.I
Po thuaj edhe ti, mo gyshi gënjeshtra, si ky deputeti që luan, i tha Aleksi i vogël, në një darkë pas premierës së komedisë “Kërkohet gënjeshtar”, të bëhemi të pasur e të blemë një shtëpi më të madhe!
“Them, o shpirt, po njerzit e dinë të gjithë që gënjeshtrat e mia janë të vërteta, i tha nipit të vet!
Ishte thellësisht i vërtetë në skenë e në jetë.Ishte vërtet njeriu i gjallë estradë dhe i tillë mbeti.
“Sa herë vinte me turne estrada e Korçës në fshat, po edhe në qytet, ku jetova më pas, përmendi në këtë homazh kujtimi në jubileun e lindjes të Prodanit, poeti i njohur në letrat shqip e greqisht Luan Xhuli nga Devolli emigrant në Athinë, ishte festë e vërtetë. Dhe pa dyshim në suksesin e saj, ishte i padiskutueshëm roli i “roleve” të Alekos”.
Unë jam e re, u shpreh poetja emigrante Doloreza Spiro. E kam njohur Alekon nga kinemaja dhe kam dëshirë ta shoh përsëri. Veçanërisht do të desha që me Lidhjen e Gruas shqiptare emigrante këtu në Greqi, me rastin e Vitit të Aleko Prodanit, të shohim, si dikur me projeksion mbi atë çarçafin e bardhë të kinemasë klasike, një nga filmat e dashur për ne gratë, ku është protogonist Alekoja: “Zëvendësi i grave”, që të mësojnë diçka edhe burrat tanë sot. Artistë të tillë i rritin jo vetëm përmasat e njeriut, por edhe të atdheut. Kënaqësi që na mblodhi Alekoja, me përvjetorin e tij, si qershia mbi tortë! I pa harruar kujtimi dhe vepra e tij!
Please follow and like us: