Zana Tako: GURI I PROVËS…
Ndodh që njeriu në një moment të caktuar, të kuptojë kufizimet e ndjenjave dhe të sjelljeve të tij. Por fuqia e tij zbehet nga tundimi, i cili është lajmëtar se po afron ora e provës, të cilën njeriu i shkretë edhe e kupton, por edhe do ta largojë prej vetes. Kjo orë e provës që troket në jetën e gjithsecilit, bëhet e fuqishme për ata që besojnë se ecin në rrugën drejt besimit, i cili është i shtruar nga ndjenja e besnikërisë, por edhe e asaj, tradhtisë, e cila zbukurohet me fjalë ligji etj, etj. Kjo provë është si kamzhiku që godet ndjenjën kryeneçe, e cila sillet vërdallë mendimit të njeriut, për t’u fshehur nga ky kamzhik që godet jo për ta vrarë njeriun, por për t’i kujtuar, se rruga e besimit të përvujtëron në kohën e provës së madhe të shpirtit drejt denjësisë.
Në besim dallojmë tri mënyra sjelljeje: besnikërinë ndaj Zotit, largimin e tundimit, dhe përvujtërinë, si armë e luftës në këtë betejë të fshehtë, ku përballen ndjenja fitoreje dhe humbjeje.
Tundimi nuk është formë dhe përmbajtje, por është gur prove, i cili godet për të vënë në peshoren e drejtësisë kurajon, vetmohimin, vetflijimin e çdo besimtari, për t’u përballuar me ditë të vështira por fitimprurëse, pasi ky gur prove, bën që të dallojmë sa të zellshëm jemi për të përballuar ligjin e Shenjtë, sa besnikë jemi për ta mbajtur të gjallë këtë mësim në jetë, sa të guximshëm jemi të sfidojmë këtë tundim, (gur prove), me shpirt të pastër e jo të pistë.
Të përballesh me sfidën e tundimit, quhesh luftëtar i betejave të qiellit. Kushdo e dëshiron titullin, “luftëtar në rrugën e Zotit”, siç citon edhe Shkrimi i Shenjtë: “Shumë janë të grishur, por pak janë të zgjedhur”. (Mateu 22,14)
Kujtojmë se nuk është mëkati ai që na bën të denjë, nuk është nënshtrimi ndaj mëkatit ai që nuk na bën fajtorë, por është neglizhenca, ajo që na bën me faj përpara Hyjit, është dorëzimi përballë sfidave shpirtërore, ai që na bën të gjykohemi nga i Tejetlarti, për verbërinë tonë ndaj tundimit.
Të lutesh në tundim, është njëlloj si varka me fund të shpuar, e cila fut ujë gjithë kohën dhe rrezikon mbytjen. Të lutesh në tundim, nuk do të thotë se tundimi ta zbukuron lutjen, përkundrazi, do të thotë se gjendesh brenda kësaj varke që përmendëm më sipër, duke rrezikuar mbytjen.
Shpirti i lirë nuk nënkupton lirinë të veshur me vello tundimi. Kjo vello griset sa herë mëkati të ndyn me punë të kota. Themi të kota, sepse mëkati njerëzor nuk mbjell në tokën e Zotit, fjalët nuk mbajnë aromë lulesh, e veprimet janë shterpë në kohën e begatë.
Lutja në gojën e njeriut të përvujtë, lufton çdo tundim që të shpie në mëkat. Të lutesh duke e luftuar tundimin, e jo duke e shijuar atë, është triumfi i shpirtit të përvujtërisë në rrugën e besimit. Kjo është dije ku dallohet dhe ndahet gruri nga egjra, për të kuptuar, se shpirti njerëzor nuk mund të fshihet nga ajo çka Zoti sheh dhe dëgjon e në fund gjykon sipas drejtësisë që Ai në shenjtëri na dhuron.
15 Maj 2022.
Please follow and like us: