Elmi BERISHA: Shuhet Dalip Greca!
Sot për familjen Greca, Vatrën, Vatranët, Shqiptaro-Amerikanët është një ditë zie dhe trishtimi.
Sot, më datë 16 Maj 2022, në orën 4.23 PM në New York, zemra e mikut tonë të çmuar Dalip Greca ndaloi përgjithmonë.
Ikja e befasishme na ka shkatërruar të gjithëve në shpirt. Ky largim i shpejtë dhe i padrejtë na ka vrarë fort e mërzitur pafundësisht.
Një largim fizik që lë pas shumë trishtim, keqardhje e dhimbje të thellë te familja, miqtë e bashkëpunëtorët.
Ne do ta kujtojmë e respektojmë përjetë kontributin tënd të shquar, dedikimin dhe përkushtimin në punët që bëje, korrektësinë e detyrave, besnikërinë e premtimeve e miqësive, përkushtimin e devotshmërinë ndaj komunitetit, miqve, medias dhe kombit shqiptar.
Ikja e Dalip Grecës largon brenda nesh një copë të rëndësishme jete të kthyer në përkujtim të përjetshëm.
Sot, të gjithë kemi humbur shumë. Miqtë një mik special, shok, vatran, patriot, familjar e veprimtar të pa zëvendësueshëm në kauzat ku Dalip Greca bëhej pjesë. Në emër të Federatës Pan- Shqiptare të Amerikës VATRA, në emër të të gjithë vatranëve, të Shqiptaro-Amerikanëve e të familjes sime ju përcjell ngushëllimet tona më të ndjera, më të sinqerta e më të dhimbshme familjes Greca për humbjen e pakthyeshme të mikut tonë Dalip.
Lutjet dhe përshpirtjet tona si vatranë e komunitet janë më të afërta e më të ndjera se kurrë pranë familjes Greca, familjarëve e miqve në këto momente trishtimi, lamtumire, humbje e zie.
Mirënjohje për jetë të jetëve o Dalip Greca për gjithçka që po na lë pas ikjes sate në përjetësi.
Pushofsh në paqen e amshuar, në mbretërinë e qiellit miku ynë i paharruar.
Please follow and like us: