Albspirit

Media/News/Publishing

Mihal Gjergji: VEJUSHA

 


Shtëpi të vetmuara vareshin në vetullën e kodrinës. Fshati ishte i ftohtë dhe i menduar. Kështu ishte Gusmari, gjithmonë. Retë e përhime zbrisnin si buaj në qafën e maleve. Njerëzit i kishte braktisur gëzimi. Çapiteshin të dëshpëruar në udhën pa udhë. Punonin për të tjerët. Ishte koha e koperativës. Shtëpitë e vogla e plot lagështirë, ishin bërë streha e asaj varfërie të frikshme. Zërat e fëmijëve humbisnin në ngrehinën përdhese mbuluar nga betoni. Ajo quhej shkollë. Intrigat e ditës thureshin në pijetoren e vogël të fshatit, pastaj kalonin gojë më gojë. Zymtësia kishte mbuluar gjithçka. Netët ishin të verbëra. Edhe hëna dukej e largët. Herë-herë fshihej si kusare dhe shfaqej sërish. Zhurmat rralloheshin gjer në shuarje. Vetëm te shtëpia nën udhë e vejushës, dëgjoheshin lehjet e qenëve. I biri s’vinte gjumë në sy. Vuante nga veremi. Atij i kishin besuar punët e vështira. Ishte syri dhe veshi i shtetit. Gazi i degës ishte ngjitur disa herë në lartësitë e frikshme, mjaftonte një fjalë e tij. Të gjithë e dinin, ndaj ruheshin si delja nga gërshëra. I qendronin larg, atij dhe vejushës. Kjo e fundit, u kishte hapur shumë telashe grave të fshatit. Burri i kishte vdekur herët. Çairet e saj ishin bërë molla e sherrit. Një brengë të tillë kishte dhe Xhevahirja, një grua e fisme, por e vetme. Përballë shtëpisë kshte një qafë mali që digjej flakë. Njerëzit shkonin dhe ndiznin qirinj. Bënin kurbane në kohë thatësire. Njeriu duhet të besojë diku. Edhe ajo dilte kundruall, çdo mbrëmje, me sytë e mbërthyer te flaka. Bënte lutje. Me dorën në zemër i drejtohej zotit. Kthente kokën nga qielli dhe ndjente që i përmbysej mbi krye. Ja, kështu rridhnin ditët, gjersa ulërimat njoftuan për vdekjen e vejushës. Në varrimin e saj shkuan gjithë burrat e fshatit. Edhe gratë e mëhallës. Xhevahirja-jo! Fjalët e saj kishin vajtur në veshin e perëndisë.

Dhjetor 2021.

Please follow and like us: