Albspirit

Media/News/Publishing

Nju Jork: Përurohet rruga “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”

Me vendim të Bashkisë së Nju Jorkut, një rruge në lagjen Bronks iu shtua edhe emri i heroit kombëtar “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”. Ceremonia e emërtimit u zhvillua dje, ku morën pjesë një numër i madh shqiptaro-amerikanësh, si dhe ligjvënës e zyrtarë të Nju Jorkut. Në një kronikë të zgjeruar, kolegu Burim Goxhuli sjell atmosferën gjatë këtij tubimi.

Një rrugë në lagjen Bronx të Nju Jorkut, tani e tutje do ta mbajë edhe emrin e heroit kombëtar shqiptar “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”.

 Ceremonia e zbulimit të pllakës me emrin e figurës së njohur shqiptare mblodhi një numër të madh pjesëtarësh të komunitetit shqiptaro-amerikan, të cilët festuan me këngë e valle në ditën që e cilësuan si historike.

“Është kënaqësi për ne shqiptarët, në përgjithësi kudo që janë, por sidomos ne që jemi në Amerikë. E ndjejmë më shumë faktin e të qenit shqiptar. Mburremi me atë. Gjergj Kastrioti është heroi ynë kombëtar. Unë me amerikanë dhe jo-amerikanë, flas rreth asaj se kush ishte Gjergj Kastrioti. Është krenari kur e dëgjojnë historinë”, thotë shqiptaro-amerikani Spartak Zeraj.

“Na heq pak mallin. Tani ne mund të vijmë në këtë rrugë edhe më shpesh, duke qenë se ka emrin e heroit tonë që na përfaqëson Shqipërinë. Emri i tij, historia e tij, ka bërë shumë për vendin tonë. Kjo është shumë për ne shqiptarët”, thotë shqiptaro-amerikania Xhensila Keqi.

“Është shumë e rëndësishme sepse më në fund po njihen rrënjët e shqiptarëve në lagjen e Bronksit. Duke jetuar në Bronks, më duket sikur jam në Shqipëri për shkak të numrit të madh të shqiptarëve këtu”, thotë shqiptaro-amerikani Anton Lulaj.

Festimet në Bronks, në një pjesë të qytetit, që tashmë njihet edhe si “Shqipëria e Vogël”, zgjuan edhe interesimin e amerikanëve.

“Nju Jorku është një miniaturë e gjithë botës. Në veçanti Bronksi ka shumë shqiptarë. Mendoj se është e vlefshme të festojmë për diversitetin e bukur të qytetit të Nju Jorkut”, thotë për Zërin e Amerikës Chester Eng.

Emërtimi i ri në kryqëzimin e rrugëve “Crescent Avenue” dhe “Adams Place” u miruatua në fillim të vitit nga bashkia e Nju Jorkut, pas kërkesës së ish-anëtarit të këshillit bashkiak të qyteti dhe aktivistit shqiptaro-amerikan, Mark Gjonaj.

Ai thotë për Zërin e Amerikës se rruga “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” është rezultat i një pune shumë-vjeçare që duhet të vazhdojë.

“Ku ka ditë më të bukur se sot në Nju Jorkun kuq e zi, duke festuar për heroin më të madh kombëtar që kemi, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Është një ditë e mrekullueshme që ky komunitet e ka merituar. Ky komunitet me veprat, punët dhe suksesin ka arritur që sot ta gëzojë këtë ditë së bashku. Prej një gjenerate në gjeneratën tjetër, e dhashtë Zoti edhe në gjeneratat e ardhme. Ne nuk guxojmë ta harrojmë traditën tonë, kulturën, historinë dhe gjuhën”, thotë për Zërin e Amerikës, ish anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut, Mark Gjonaj.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryebashkiaku i Nju Jorkut Eric Adams tha se komuniteti shqiptaro-amerikan përfaqëson pjesën më të mirë të qytetit të Nju Jorkut. Ai falenderoi këtë komunitet për angazhimin e tij drejt një shoqërie më të sigurt.

“Kur flas për njujorkezët e mirë, flas për shqiptarët sepse ju jeni përfaqësues të njurorkezëve të mirë. Jeni shumë punëtorë dhe të përkushtuar. Besoni në sigurinë publike dhe cilësinë e jetës që e meritojmë në qytet. //Nuk ju shoh si pjesë të një zone zgjedhore, ju shoh si vëllezër dhe motra. Prandaj, meqenëse unë jam kryebashkiaku, mund të themi se e kemi kryebashkiakun e parë shqiptar”, tha zoti Adams.

I pranishëm në ceremoni ishte edhe udhëheqësi i shumicës në Senatin amerikan Chuck Schumer.

“Ju dua shumë. E dua këtë komunitet, sepse jeni pjesa më e mirë e Amerikës. Shumë njerëz erdhën këtu në vitet 50, 60 dhe 70. Gjithçka që keni dashur është të punoni shumë, që të siguroni jetë të mirë për veten dhe jetë edhe më të mirë për fëmijët tuaj. Dhe ia keni arritur”, tha zoti Schumer, ndërsa u zotua se do të vazhdojë angazhimin e tij në Uashington për çështjen shqiptare.

Premtim të njëjtë dha edhe ligjvënësi Richie Torres. Në fjalimin e tij, ai foli për rëndësinë e figurës së Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, duke e krahasuar atë me ditët e sotshme.

“Shumë para rezistencës ukrainase kundër Rusisë, ishte rezistenca shqiptare kundër Perandorisë Osmane. Prandaj jam shumë krenar që u bashkohem që të festojmë për historinë dhe u them se do të vazhdoj të angazhohem për komunitetit shqiptar në Kongresin e Shteteve të Bashkuara”, tha gjatë fjalimit të tij ligjvënësi Richie Torres, bashkëkryetar i grupit të ligjvënësve në Kongresin amerikan për çështjet shqiptare.

Të pranishmit shijuan një program të pasur kulturor, pjesë e të cilit ishte edhe grupi folklorik “Shqiponjat” i themeluar nga komuniteti Arbëbresh në Itali në vitin 1994.

“Sot jemi vërtetë shumë të lumtur sepse mund të vallëzojmë dhe këndojmë bashkë me vëllezërit dhe motrat shqiptarë që jetojnë këtu në Amerikë. Ne jemi një grup folklorik, emri ynë është Shqiponjat. E kemi mbajtur gjuhën, traditën dhe kjo është veshja tradicionale”, tha Mariateresa Konte.

Pjesë e programit ishte edhe një panair i bizneseve shqiptaro-amerikane.

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është rruga e tretë në lagjen Bronks që nderon figurat e njohura shqiptare, pas asaj Nënë Tereza dhe Fan Noli.

Please follow and like us: