Albspirit

Media/News/Publishing

Tiranë, përkujtohet 100 vjetori i marrëdhënieve diplomatike SHBA – Shqipëri

Ish-sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, ishte sot në Tiranë ku mori pjesë në një konferencë të organizuar nga Kuvendi, për të kujtuar 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes SHBA dhe Shqipërisë. Në fjalën e tij ai theksoi se duhet vullnet i mirë nga të gjitha palët politike për të mbrojtur demokracinë dhe shkulur korrupsionin. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin shqiptar, zoti Pompeo, mori pjesë dhe në ceremoninë e nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi mes kompanisë shqiptare Albgaz dhe asaj bullgaro amerikane Overgas. I ftuar nderi në konferencën për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, ish-sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, uroi që miqësia dhe marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-ve do të vijojë edhe shekujsh të tjerë. Zoti Pompeo kujtoi se ishte me shërbim ushtarak në kufirin e Europës lindore kur ra Muri i Berlinit, një liri, që pas dy vjetësh erdhi edhe në Shqipëri, dhe që prej asaj kohe marrëdhëniet shqiptaro-amerikane kanë qëndruar të forta, gjë që u provua edhe gjatë kohës kur ai ishte sekretar i shtetit dhe u arritën rezultate në luftën kundër terrorizmit, ndërsa gjatë 30 viteve të fundit u bënë përpjekje te mëdha për rrënjosjen e demokracisë. “Unë kam shërbyer si në opozitë, ashtu edhe me shumicën, nuk ka rëndë se kush është në pushtet. Duhet vullnet i mirë nga secili spektër politik për të mbrojtur demokracinë, për të shkulur korrupsionin, për të mbrojtur lirinë e popujve tanë dhe popujve të rajonit” – theksoi zoti Pompeo. Diplomatët amerikanë e vlerësuan Shqipërinë si një vend mik dhe partner shumë të mirë dhe një model në marrëdhëniet dypalëshe dhe më gjerë në botë, duke ndihmuar afganët dhe ukrainasit. “Nga historia 100 vjeçare edhe në 30 vitet e fundit Shqipëria dhe SHBA kanë ndërtuan një bashkëpunim të fortë. Ekziston një fill i pathyeshëm, i cili tejshkon marrëdhëniet mes SHBA dhe Shqipërisë, pavarësisht se kush ulet në Shtëpinë e Bardhë apo këtu” – tha ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, ndërsa kujtoi se ajo ishte emëruar ambasadore në Tiranë nga presidenti Trump dhe ish sekretari Pompeo. Kryetari i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj nënvizoi se marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA janë jetike dhe ato nuk mund të vihen në dyshim nga askush. “Mbetjet e mentalitetit të diktaturës komuniste, pushtetarët e korruptuar, ata që kanë vënë interesin e tyre mbi atë të shqiptarëve kanë qenë dhe mbeten kërcënimi më i madh ndaj partneritetit tonë me ShBA. Ka sot ende njerëz të tillë, që kanë humbur rrugën dhe duan t’i tregojnë rrugën Amerikës. Kanë humbur rrugën në oborr dhe duan t’i humbasin rrugën edhe Shqipërisë. Nuk do t’ia dalin, sepse kanë kundër shumicën e shqiptarëve në këtë histori 100 vjeçare” – tha zoti Alibeaj. Fjalët e tij dukej të ishin një referencë e qartë ndaj ish kryeinistrit Sali Berisha, i shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara për korrupsion madhor, por që aktualisht ka rimarrë kontrollin e Partisë Demokratike, me përjashtim të grupit të saj parlamentar. Në konferencën e sotme, përveç zotit Alibeaj ishin të pranishëm dhe disa deputetë të tjera demokratë, por asnjë prej atyre që njihen si mbështetës të zotit Berisha. Në fund të konferencës kryetari i grupit demokrat dhe kolegët e tij u shfaqën duke pozuar mezotin Pompeo. Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, vlerësoi ndihmën e jashtëzakonshme të SHBA në mbijetesën dhe shtetfotmimin e shqipërisë dhe Kosoëvës. “Në fillim të shekullit të kaluar miqësia me SHBA-të u bë garancia e shtetformimit të Shqipërisë. Presidenti Uilson në Konferencën e Paqes në vitin 1919 vuri veton dhe i ktheu pavarësinë Shqipërisë. Në fund të shekullit të kaluar e në fillim të këtij shekulli mbështetja e SHBA-ve u bë garancia e pavarësisë dhe e shtetformimit të Kosovës. Vetëm këto dy fakte do të mjaftonin që historia e marrëdhënieve shqiptaro – amerikane të skalitej në kujtesën e çdo shqiptari” – tha zonja Nikolla. Ish sekretari amerikan i Shtetit, mori sot nga Universiteti i Tiranës titullin “Doctor Honoris Causa” për kontributin e çmuar në ruajtjen e paqes, ndërtimin e dialogut, garantimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë në Evropë dhe Ballkanin Perëndimor, si dhe themelimin e bashkëpunimit strategjik midis SHBA dhe Shqipërisë në fushën e sigurisë. Më herët ai dhe kryeministri Rama morën pjesë në nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit mes kompanisë bullgaro-amerikane Overgas dhe kompanisë shqiptare Albgaz mbi diversifikimin e burimeve të gazit natyror në Ballkan. Përfaqësuesit e Overgas shpjeguan se zoti Pompeo është kryetar i Bordit Këshillues i Lindon Energy, shoqëria amerikane e cila ka blerë 50 përqind të aksioneve të Overgas. Projekti shënon hapin e parë në përpjekjet e sektorit privat, me mbështetjen e qeverive të SHBA dhe Shqipërisë, për të ndërtuar një koridor të ri energjie që do të ndihmojë vendet e Ballkanit, Ukrainën dhe Moldavinë, për të reduktuar varësinë e tyre nga gazi rus. Kompania Overgas ka shprehur interes për t’u furnizuar me gaz përmes Terminalit që do të ngrihet në Vlorë, një projekt me rëndësi të veçantë, i cili po bëhet realitet me kompanitë më të njohura amerikane.

Please follow and like us: