Albspirit

Media/News/Publishing

Mihal Gjergji: IKU NJË NËNË!

Lajmet e hidhura të trishtojnë. Barjame Bana u nda nga jeta. Iku një nënë, u largua nga kjo botë. Unë s’munda t’ia hidhja një grusht dheu, s’i shkurtova dot largësitë. I biri kishte publikuar fotografinë e saj. Ndalova disa çaste si ta kisha përballë. Shikojeni dhe ju. Besoj se është e fundit fotografi. Ajo s’ka fjalë për të thënë, më shumë se sa me të gjallët, flet me të vdekurit e saj. Flet me dheun, sepse atje kemi shtratin tonë të përjetësisë. Djali ka vendosur dorën te dora e saj e butë, dhe afër zemrës. Dëshpërimi flet me heshtjen e tij. Ai është zbardhur për vete. Plagët e trupit bëhen brazda, plagët e shpirtit bëhen thinja. Ajo iku këto ditë vjeshte. Sa afër janë djepi me varrin. I pari në Kuçin e Labërisë, i dyti në Gusmar. Jeta është e gjatë kur është e plotë. Asaj i mungonte njëri krah, bashkëshortin e kishte përcjellë vite më pare. Bashkë i rritën fëmijët, edhe brengat bashkë i kishin ndarë, ndaj s’mund ta linte të priste aq gjatë.

E kam parë me sytë e mi, kur përcolla nënën time, dhoma u mbush me flutura, silleshin rreth llampës e tavanit. S’kuptoja se çfarë kumti përcillnin. Një ditë para se të mbyllte sytë, ishte çmallur me nënën e saj, me babain, të dashurit e tjerë. Me siguri e prisnin. Pastaj iku. Si kujtim më la një pikë loti që ju gremis në faqe, dhe përqafimin e fundit. Nuk di ku e ka ndërtuar strehën gëzimi, sepse rrallë takohemi me të. S’paskemi mundësi të zgjedhim, vetëm fati e ka këtë të drejtë. Ndoshta nuk njohim misteret e një bote tjetër, gjuhën e të vdekurve. Po nënat janë dashuri e gëzim, sa janë gjallë, pastaj bëhen dritë dhe na kundrojnë nga kupa e qiellit, na ruajnë hapat dhe na shfaqen në ëndrra, për të na kujtuar përjetësinë e tyre.

Të qoftë dheu i lehtë, e mira Barjame!

12 Tetor 2021.

Please follow and like us: