Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: SHOQJA IME E KLASËS AISHE STARI

Më 21 maj, ka ditën e lindjes shoqja ime e klasës AISHE STARI, e hollë dhe e gjatë, si një “majë gjërpëre”, po ama edhe e bukur, ndofta e vetmja që sillej me ne studentët, me tonin e saj fëminor që ishte tek ajo një shprehje komunikimi afërsie e dashurie vëllazërore dhe që po kështu do të mbetej deri në këtë moshë, kur do të delte edhe në pension pleqërie si artiste e mëvetshme në Estradën Profesioniste të Durrësit. Me një reputacion të nderuar si Artiste e Merituar, për interpretime dinjitoze humoro-satirike, në mëse 200 role “të vogëla” e daljesh në skenë, si vajzë, grua e fëmijë e të gjitha moshave.
Me një profil krejt të veçantë, e imtë dhe elegante gjithmonë, në gjithë jetën e saj skenike, si edhe me pesë ekranizime. Me plotë finesë ajo erdhi midis nesh sikur na njihte dhe me parë, kurdoherë me të njëjtën çiltërsi e ëmbëlsi. E ndjeva menjëhere afërsinë e saj, pa asnjë ndroje, tek më thërriste “Mini i Vogël” e unë, paksa i shkurtër e i ndrojtur, sikundër isha, do të skuqesha menjëherë. Mirëpo në vitin e dytë pedagogu Andrea Malo na bëri bashkë në komedinë e Foqion Postoit “Martesa e një Avokati”, ku unë do të isha Avokati dhe ajo, Zonja Aristoikrate, e rradhitur me zonjushat e tjerra që kërkojnë t’i “imponohen” Avokatit Piterson për marteseë, meqënse ky shqiptar i mërguar në Amerikë, me emrin Petro e i mbiquajtur Piterson ka mundur të vërë njëfarë pasurie e kishte krijuar një zyrë avokatore, me klientelë të gjërë dhe me emër që lakmohej, aq më tepër se kishte shpallur edhe kandidaturën për martesë. Aishe Stari do ta interpretonte këtë rol me shumë finesë e naze prej nje “zonjushe aristokrate” të rënë nga vakti i saj, e cila kërkonte të më imponohej me sjelljen e një kokete, të më “varej në qafë” si kremastar! Me këtë komedi, ne do të fitonim të drejtën morale e atë profesionale që shfaqja të jepej edhe në skenën e Teatrit Poullor, sikurse quhej në atë kohë. Ndërsa, me dy rolet e tjera të saj, në shfaqjen-përrallë të Andon Panos “Ylli i Alpeve” dhe të komedisë së Shekspirit “Shumë zhurmë për asgjë”, Aishja vërtetoi edhe një herë se kishte talentin e spikatur për të bërë humor me seriozitetin e saj, gjë që përcaktoi përfundimisht edhe trupën e ardhshme profesioniste ku do të punonte: në qytetin e saj dhe pikërisht në Teatrin e Estradës së Durrësit, ku drejtonte një regjisor me emër, Gjergj Vlashi, njëherësh edhe shkrimtar e përkthyes nga disa gjuhë të huaja, i cili i kishte dhënë publikut shqiptar shfaqje me dinjitet artistik e me një humor elegant, duke qenë edhe autor i teksteve të shfaqjeve të veta…
Që në shfaqjet e para “Stafeta e viteve”, “Operacioni”, “Në rend të ditës” e “Kush e ka rradhën?”, Aishe Stari krijoi figura e karaktere të ndryshme personazhesh që dalloheshin nga njera-tjetra, me mjete shprehëse sa të kursyera, aq edhe kuptimplote. Herë-herë edhe si prezantuese e hijshme, po edhe si kupletiste e parodiste në avanskenë. Edhe si aktore interpretuese në skeçe e monologje, ku ajo qe krejtë e lirshme, me plot detaje funksionale. E zonja gjithashtu edhe të bënte imitacione njerëzish të ndryshëm, sidomos zëra fëminorë, që i arrinte me përsosmëri. Ajo dinte të ndryshonte, jo vetëm veshjen e personazheve të saj, po edhe fytyrën e rolit e të moshave përkatëse, gjithmonë me humorin në buzë, me fjalën e diksionin e pastër e karakteristik, në cilësimet e personazheve të saj. Ne spektaklin “Erdhi Televizori” Aishe Stari ra në sy edhe për një interpretim të mençur të vajzave fshatare, në kundërshtim me atë trajtimin e mëparshëm të tyre të prapambetur, me natyrën debile e injorante, enkas për të bërë humor me domosdo. Krejt ndryshe e paraqiti ajo edhe figurën e gruas qytetare, në shfaqjen “Zjarr mbi thashethemet”, duke krijuar tipin e atyre grave që merren me thashetheme, që e bëjnë “qimen tra”, që të “sharrojnë” me llafet, si me të “shtëna mitralozi”! Ndërsa në një tjetër shfaqje, të titulluar “Kush e do fjalën”, Aishe Stari krijon një figurë groteske, Kasandrën, që kërkon “ta nxjerrë të bijën nga shtëpia, sa më parë që të jetë e mundur dhe ta martoje kundra vullnetit të saj”. Ky zmadhim që ajo i bënte rolit të Kasandrës, ishte organik e krijonte besueshmëri karakteri, duke e aritur figurën komike me seriozitetin maksimal.
Kështu, nga shfaqja në shfaqje, Aishe Stari arinte të dallonte personazhet, duke i individualizuar ato. Shquante vajzën nga vajza tjetër, gruan nga një tjetër grua, plakën nga plaka, po edhe fëmijën nga fëmija tjetër! Dhe ishte gjë e rrallë për publikun që të shihte në skenë një “fëmijë” të interpretuar nga Aishe Stari, që fare bukur thumbonte sjelljet e prindërve e të riturrve, përreth vetes. Ndërsa në një shfaqje tjetër ajo shfrytëzonte me mjeshtëri bisedën me kukullën, për të atakuar sjelljen e burrave në shtëpi, në jetën shoqërore e veçanërisht në autobuzat urbanë. Kurse, në një komedi me një akt, kundër pushtimit çek nga Rusët, Aishe Stari e transformon veten në një figurë groteske që bisedon me Shvejkun, duke satirizuar ushtarët rus që zbresin nga tankset e tyre të pushtimit, për të pirë birrë me Shvejkun e Hashekut e ajo i sfidon ata me një satirë fortë të hollë e shpotitëse. Dhe paskëtaj, në komdinë e Çajupit “Pas Vdekjes” ajo do të krijojë figurën simpatike të Lulushes së rafinuar që di aq mirë të vërtisë figurat e molepsura të Adhamudhit e të Vrukos, që duan të dinë se çfarë do të flitet për ta, pas vdekjes së tyre! Krejt ndryshe, me paraqitjen e një vajze bashkëkohëse e të mençur do të jetë Aishe Stari në komedinë e Dionis Bubanit “Patriarkali modern”, ku ajo “operon” me mprehtësinë e fjalës së saj, me inteligjencën e shpotitjes sarkastike e me goditje të tërthorta. Për të kulmuar me rolin e një vajze optimiste të kohës, në operetën”Dallget”, ku ajo shquhet edhe për vokalin e saj të këndshëm…
I ndiqja në vitet ’60 e ’70 të shekullit të kaluar që të gjitha shfaqjet e Aishes në Durrës, e cila qe bërë shumë e njohur për profilin e saja të veçantë në të gjithë Shqipërinë, e shpallur edhe si Artiste e Merituar. Vajtja ime në Durrës kushtëzohej edhe me dy arsye të tjera: Së pari, aty kisha jetuar më shumë se tre vite, ku edhe punonte im atë (në Portin e Durrësit, derisa u aksidentua), e pata krryer edhe shkollën 7-vjeçare “10 korriku”. Si edhe, e dyta, në Durrës ishin emëruar edhe tre të tjerë nga shokët e klasës sime: Donika Barçi që jetoi e punoi fare pak në teatër, me një talent të spikatur, Filika Dimo,-e talentuar edhe ajo, e preferuar edhe per ekranin, si edhe Milto Profi, i prirur më së tepërmi ndaj komedisë. Ne e pinim kafen, më qetësisht në shtëpinë bujare të priftit të Durrësit, që ishte i ati i Filikës, duke sjellur aty edhe atmosferën rinore e vëllazërore të shkollës së parë të aktrimit, me ëndrrat tona të zjarrta… Dhe, kur do të kthehesha përsëri në Durrës, pas picirit të gjatë të internimit e të burgimit politik,-i angazhuar për të shkruar një libër për aktorin virtuoz të këtij teatri, Nikolin Xhojën, do të gjeja e të pija një kafe vetëm me Aishen, miken time të herëshme, për të cilën kisha botuar edhe nje portret krijimtarie në prillin e vitit 1971 në librin tim “ESTRADA”. Donika nuk jetonte më. Filika kishte emigruar në Belgjikë, ndërsa Milto Profi gjithashtu qe larguar nga jeta disa vite më vonë. Ndërsa baranga ku unë jetoja, kur isha i vogël, në një varfëri të thekshme nuk egzistonte më. Po përsëri isha i lumtur që kisha shkruar edhe një libër për një artist të mrekullueshëm të këtij qyteti, për të madhin Nikolin Xhoja, me origjinë italiane dhe do të takoja aty miqtë e mi regjisorë, Gjergj Vlashin e Haxhi Ramën, po edhe Aishen, që kishin punuar me Nikolinin në skenën e shenjtë të teatrit. Në promovimin e monografisë se Artistit të Popullit Nikolin Xhoja, do të asistonte dhe fliste me përgjërim edhe Aishe Stari, së toku edhe me kolegët e tij Margarita Xhepa, Lutfi Hoxha, Hysen Bashhysa, Aleks Lazari e të tjerë me rradhë… Po unë do të prekesha, ca më tepër me miken time AISHE STARI, që e admironte Xhojën, me të cilin ajo lozte me të në skenë krejt e frymëzuar, kishte miqësi dhe e kishte qarë me lotë, kur atij i burgosën të birin, si edhe kur nuk i pranuan as arkivolin për ta nderuar, për të fundit herë, në fuajen e Teatrit, ku ai la gjithlë ato vlera pasionante rolesh të arta… Se patëm jetuar në ato kohë të tmerëshme, me njerëz të tmerrshëm dhe çuditemi si jemi gjallë akoma, moj Aishe, mikja ime, që u përlote edhe me mua kur më pe përsëri së gjalli…
Dhe do ta pinim kafen tani, diku në hyrje të Durrësit, kundruall stacionit të Trenit, po me atë ngazëllim si dikur, edhe pse mbi kokat tona rëndon dëbora e maleve dhe flokët e Aishesë duken sikur rezatojnë një rrugëtim të gjatë, prej ari, qysh kur ishim të rinj 20-vjeçarë, po edhe kur ajo hijeshonte midis Mihal Popit e Sandër Prosit, kur delte në skenë më pastaja me Meropin e Nikolin Xhojën, me Spiro Stratin e Enver Likmetën, me Fadyl Hasën e Muharrem Hoxhën dhe kur sillej si e barabartë në jetë e në skenë me ish-nxënësen time Sanije Hoti, apo kur jepte e merrte shkëlqim midis artisteve të tjera, më të reja se ajo, bile edhe kur e rrethonin me dashuri fëmijët e kopshteve dhe të shkollave të Durrësit, apo kur gjëndej, e thjeshtë dhe e madhërishme njëherësh, si ikonë e teatrit, e rrethuar me venerscion nga Gjergj Vlashi, Mario Ashiku, Mirush Kabashi, Driada Dervishi, Mimi Marjanaku, Lume Dashi e të tjerë me radhë, si në një rrugëtim fort të gjatë, bashkë me Teatrin dhe Estradën edhe ajo, STARI Aishe Stari…
Shkruar në Athinë, disa ditë para përvjetorit të lindjes se STARIT , më 20 maj 2022.
Please follow and like us: