Shaban Murati: Kaligula në Shqipëri
Në Shqipëri politikanët nuk dallojnë dot programin e së majtës nga programi i së djathtës dhe hyjnë e dalin nëpër partitë e njera-tjetrës si nëpër dhomat e vilave të tyre. Por që deputetët e parlamentit të Shqipërisë të mos dallojnë dot republikën nga monarkia dhe të propozojnë për president të Republikës pretendentin monarkist, i cili ka në program të rrëzojë republikën, kjo kapërxen kufijtë e çdo imagjinate të librit të rekordeve botërore Guinness dhe mund të ndodhë vetëm në bandustanin Shqipëri.
Deri tani jemi habitur pa të drejtë që perandori romak Kaligula propozoi kalin e tij si konsull në senatin romak dymijë vjet më parë. Në derexhenë, ku kemi arritur, priteni kur ta bëjnë këtë edhe politikanët e deputetët shqiptarë për qentë dhe për macet e vilave të tyre, sepse statusin kalorsiak duan nja dy mijë vjet t’ia arrijnë.