Mevi Rafuna: Kokën në Lindje, trupin në Europë
E lexova një shkrim dëshpërues të një mikut tim, të cilin edhe më pas e shpërndava.
Fliste se si në Zvicër nuk ka nxënësa shqiptarë për orët shtesë në gjuhën shqipe, por në xhami dhe mejtepe ka plotë fëmijë shqiptarë.
Së pari kur flitet për diasporën tingëllon temë tabu dhe shumica në vend se të gjykojnë drejtë, fillojnë të të shajnë.
Rilindasit ishin ata që shumica nuk jetuan në trojet shqiptare, por falë veprës dhe largpamësisë së tyre e krijuan shtetin shqiptar të njohur me emrin Shqipëri/Albania.
Edhe pse ashtu i cunguar e me mijëra probleme ekonomike dhe politike, u arrit të bëhet një shtet shqiptar në Ballkan dhe kjo ishte shtylla pse su shua kombi.
Sot është një paradoks i madh çfarë po ndodhë në vendet tona, në shumë qytete duke filluar nga Mitrovica në Prizren, në Maqedoni, Luginë dhe me diasporën tonë e cila vjen nga këto troje.
E kuptoj tjetërsimin në robëri, por tjetërsimin në liri është diçka abstrake ta përceptosh. Kjo ngase ne ndoshta arritëm vetëm liri fizike por jo edhe mendore apo psiqike.
Dhe tani një llum që e kemi këtu brenda, i njëjti llum është edhe jashtë vendit.
Çfarë mund të pritet nga një pjesë që ndoshta përveç Abetares obligative, kurrë në jetën e tyre një libër nuk e kanë lexuar.
Për të arritur një emancipim të përgjithshëm shoqëror, duhet shkrirje e dijes nëpër gjenerata të tëra në familje.
Por neve historikisht na kanë shpëtuar individë të emancipuar apo që kanë lindur gjeni në rrethin e tyre, ku gjithçka është ekspozuar përveç dijes.
Tani çfarë mund të them nga ajo që kam pa nga kjo pjesë e llumit që e kemi jashtë.
Një shthurje botkuptimesh dhe dëshirash ku dominon materializmi. Pa ja u humbur mundin askujt për ndihmën që bëjnë për familjet këtu, por ato janë ndihma mbijetese, falendërimi, gëzimi, por kurrë nuk prekin emancipimin e përgjithshëm shoqëror.
Sepse gjithçka bëhet për t’u dukur në sytë e të tjerëve. Nëse nuk ke kerre që kushtojnë mijëra euro, shtëpi luksoze, rroba firmato, bizhuteri e ari nuk mirresh parasysh në mentalitetin e tyre.
Dhe sheh shumë shtëpi luksoze por zor është ta gjesh një kënd minibiboteke në to.
Kështu kuptohet progresi ndër ta, duke zhvilluar anën materiale por duke lënë pas atë shpirtërore.
Më pas kontradita mes tyre sjell deri tek depresioni dhe problemet e shumta në familje.
Tani diku duhet të kapen dhe pasi që është tabu të shkosh tek psikologu, shkojnë tek hoxha dhe hoxha ju shkruan hajmali.
Pikërisht depresioni kolektiv qoftë brenda apo jashtë vendit i ka kthyer një shumicë në kërkim të një identiteti të ri.
Dhe ai është islami politik.
Është axhendë të cilën dikur e përdorte akademia serbe, por që tani jemi bërë armik i vetvetes dhe s’kemi nevojë për shtytje të jashtme.
Psh.në Mitrovicë dikur qytet i njohur i rockut dhe kulturës, kemi një degradim të tillë, qytet ku islami politik është futur në çdo pore, por askund më shumë nuk përdoren substanca narkotike dhe lulzimi i krimit.