Albspirit

Media/News/Publishing

Don Lush GJERGJI: In memoriam, Dr. Gjon Buçaj! 

 

Një ditë para kalimit në amshim, Dr. Gjon Buçaj,  në pyetjen time si je tash më shëndet, me shkuan kështu: “Po, falemindës Zotit! Jam ma mirë pak. Do të marri shumë kohë mëkamja e plotë.” 

Mirëpo sëmundja dhe vdekja dinake dhe grabitqare nuk pritën dhe nuk ia mundësuan rimarrja e shëndetit, që e shpresonte ai, familja, miqtë e tij të shumtë në Amerikë dhe në botë.

Lajmin për kalimin e tij në amshim ma dhe Merita Bajraktari – Mc Cormak me këto fjalë: “Gjon Buçaj ndërroi jetë sot. Pushoftë në Paqen e Krishtit.”

Posa e mora këtë lajm, së pari u luta për shpirtin e tij dhe mashimin e lumtur, si dhe për tërë familjen, që ta kenë ngushëllimin në vdekjen dhe ngjalljen e Jzu Krishtit, si burim feje, frymëzim jete dhe pavdekësie… Fiill i shkrova të bitit të Dr. Gjonit, Eduardit kështu: “I dashuri Eduard, e kujtoj Dr, Gjon Buçaj me ndjenja të thella të nderimit dhe falënderimit, me uratë dhe dashuri. Zoti Dr. Gjonin e pastë në parriz, ndërsa juve ju ngushëlloftë me fuqinë e fesë së krishterë! Pushoftë në paqe!” 

Ajo çka mund të bëja është urata, pjesëmarrja ime shpirtërore në këtë ndarje të prkohshme, apo si thotë Shën Nëna Tereze “kthimi në Shtëpinë e Atit”, paraqitja dhe kremtimi i Meshën për shpirtin e tij si dhe për flladinë, ngushëllimin dhe sigurinë e fesë që na vjen prej Krishtit të ngjallur, i cili i vetmi thotë dhe garanton kështu: Unë jam të ngjallurit dhe jeta. Kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë… Lumë ata që nuk shohin por besojnë! 

Do të “lundëroj”  pak në kujtimet mia me të dashurin dhe të paharrueshmin Dr. Gjon Buçaj. Jemi njohur mjaft kohë, diku fill pas luftës së Kosovës 1998 – 1999. Për Dr. Gjonin më kishte folur shpesh një mik dhe koleg i tij nga ditët e rinisë dhe studimeve, piktori ynë i njohur, Blerim Luzha. Ai i kishte humbur lidhjet qysh moti, por me këmbëngulje kërkonte ndonjë “shenjë”. Dhe ndodhi deri diku “mrekullia”, u takuam dhe njoftuam fill pas Luftës.

Dr. Gjon Buçaj ishte një atdhetar i shquar, një njohës i gjuhës   dhe kulturës, letërsisë, historisë, me pak fjalë çështjes shqiptare, të kaluarës sonë martire, të cilën e kishte provuar në shpinë dhe në zemër, por edhe idealist dhe optimist për të tashmen dhe të ardhmen tonë më të mirë. Më thoshte kështu: “Gjithë ky gjak i derdhur për Fe dhe Atdhe, gjithë kjo farë e mirë, doemos do të rritet dhe do të gufojë, ndoshta jo aq shpejt, por s’ka më ku shkon…” 

Pata shumë takime në Amerikë, në New York, por edhe në Kosovë. Gjithmonë i qetë, shumë i vëmendshëm në bashkëbisedime, i matur në fjalë dhe në sjellje, mbi të gjitha dashamir i të mirës, të drejtës, të vërtetës, jetës, mbi të gjitha Dashurisë. Si Kryetar i “Vatrës” disa herë me priti me bashkëpunëtorë, ma dha rastin të paraqitem me ndonjë libër, botim, kumtesë, me një rast së bashku me Dr. Nusret Pllanën, rreth gjenocidit serbë ndaj Shqiptarëve me shekuj…

Ishte i ngazëlluar për çdo fjalë, rresht, varg, botim, dhe me shpirt rinor dhe të frymëzuar “shijonte” fjalën dhe porosinë e bukur dhe aktuale.

Ishte dalluar tejet shumë me organizimin e 100 – vjetorit të “Vatrës”, ku ndër të tjera me thoshte: “Tashmë jemi të ndarë anekënd botës. Ti thua që feja dhe Dashuria na afrojnë dhe bashkojnë, së pari me Zotin, pastaj edhe me njëri-tjetrin. Edhe unë mendoj si Ti, por do ta shtoja që kultura, gjuha shqipe, krijimtaria, historia, mbi të gjitha e tashmja dhe e ardhmja e përbashkët, duhet të na bashkojnë…” 

Sa herë vinte në Kosovë, kurrë nuk e harronte Imzot Dodë Gjergjin dhe neve bashkëpunëtorët e tij, Katedralen dhe Shenjtëroren Nëna Tereze në Prishtinë. Në çdo takim kishte edhe afrim dhe bashkim, vrull dhe vullnet “për ta shërbyer Popullin tonë të braktisur dhe të harruar, por prej Zotit të bekuar… Po vijnë së fundi ditë të mira edhe për ne. Nëpërmjet Nënës Tereze vërtet Zoti na ka bekuar dhe na ka bërë të njohur në mbarë botën. Tashmë edhe ne me Atë jemi të lumtur dhe shumë krenar…” 

Shpirtin, zemrën, brendinë, thellësinë dhe pasurinë e tij shpirtërore dhe kulturore e kam njohur dhe shijuar për së afërmi gjatë disa ditëve në Washington, kur Libraria e Kongresit Amerikan, Sektori Evropian, më kishte ftuar për ta paraqitur dhe dhuruar librin tim më të njohur kushtuar Nënës Tereze: Mother of Charity, Mother Teresa, Vepar – Drita, 2015, f. 240.

Kjo ndodhi më 14 tetor 2016, në bashkëpunim me Dr. Gjon Buçaj, Merita Bajraktari Mc Cormak  dhe shumë të tjerë. Dr. Gjon Buçaj më priti në aeroportin e Washingtonit, me buzëqeshje karakteristike dhe me fjalë: “Mirë se të ka prue Zoti!” 

Pas përshëndetjes fill më pyeti: “Ku do të jesh këto ditë, në ndonjë hotel me pesë yj, apo tek unë, ku jam unë dhe gruaja, me djalin tim dhe pesë nipa…” 

Unë pa kurrfarë hamendje i thashë; “Te pesë yjtë e tu…” 

Ishin ditët më të bukura të takimeve, bisedimeve, përmalljes, shëtitjeve, vizitave të dy ambasadat tona, të Shqipërisë dhe Kosovës, në State Departpartment, nëpër kisha, monumente, përmendore, kudo…

Ishim së bashku – një në ndjenja, përjetime, ngazëllime. Më 14 tetor 2016, përpos librit tim të lartpërmendur, unë Bibliotekës së Kongresit Amerikan, i dhurova edhe tri libra – vëllime tjera kushtuar Nënës Tereze, kuptohe  që i kam shkruar unë dhe që janë botuara në gjuhën anglishte. Aty pata rastin edhe për një fjalë rasti.

Bashkëkombasit tanë, të ardhur edhe nga viset tjera të Amerikës, me prejardhje nga trojet tona stërgjyshore, sidomos i nderi Lekë Gojçaj, së bashku me Marjan Cubin, ishim të lumtur për këtë ndodhi, unë do të them edhe “mrekulli” të rendit të parë, që një figurë shqiptare, Nëna Tereze, një autor shqiptar, unë, një botim kaq i bukur dhe tejet luksoz, tash e tutje do ta ketë një vend të lartë të nderit në Bibliotekën më të madhe të botës,  që  amerikanët e quajnë Librari.

Hyrja dhe dalja në këtë Bibliotekë ishte tejet i rreptë, me shumë kontrollime. Drejtori i Sektorit Amerikan më përcillte gjithkund dhe ishte shumë mirënjohës për këtë ngjarje të rrallë dhe të bukur. Në dalje, për të krijuar pak atmosferë festive, unë ndër të tjera thashë kështu: “Ju garantoj me krye se Shqiptarë mund të vjedhin gjithçka, por kurrë e për këtë jetë,  nuk do të vjedhin libra!” 

Fjala ime i pëlqeu shumë Drejtorit, Dr. Gjonit dhe përcjellësve të mi aq të përkushtuar dhe të dashur, ndër të cilët enkas kishte ardhur  prej Detroitit edhe vëllai im meshtar Don Ndue Gjergji dhe shumë të tjerë.

Deshi Zoti, dikush ndoshta do të thotë fati, që prapë isha në Amerikë afro një muaj, me vizita, takime, ligjërata, meshë në tri qendra të mëdha: Në Detroit, New York dhe në Washington (8 dhe 9 maj 2022), me dëshirë të madhe që të shiheshim. Ishte e pamundur.

Dr. Gjon Buçaj, nuk ishte mirë. Ndër të tjera ai më shkruante kështu me 9 maj 2022: “Faleminderes, i dashtun Di=on Lush… Jemi aq afër por nuk mund të takohemi…Nejse, virusi corona  asht sabotuesi kryesor që të mos shihemi tue qenë kaq afër, por bekimet për të cilat jam mirënjohës, nuk mundet me i ndalë Të shkoftë puna mirë e mbarë gjithmonë! Me përzemërsi,  Gjon Buçaj.” 

I dashuri Dr. Gjon Buçaj, tash je “liruar” prej Corona Virusit, edhe prej trupit, kësaj jete tokësore, që aq shumë e ke dashur dhe jetuar… Tash e tutje do të jemi së bashku në uratë, në Zotin, e një ditë do të shihemi dhe do të jemi së bashku në amshimin e lumtur.

Jepja, o Zot, pushimin e pasosur. I shndritë Drita e pambaruar. Pushoftë në paqe! Amen.

Familjes, bashkëshortes, fëmijëve, nipave dhe mbesave, miqve të shumtë në Amerikë dhe kudo gjetiu: Ngushëllime!

 

Please follow and like us: