Ceferin dhe Boban mbërrijnë në Shqipëri, Duka: Organizimi do jetë perfekt
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin dhe legjenda e Kroacisë, Zvonimir Boban, kanë mbërritur në Shqipëri për finalen e ditës së nesërme të UEFA Conference League mes Romës dhe Feyenoord.
Ata janë pritur nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili i garantoi se do të kalojnë një kohë fantastike në Shqipëri dhe se organizimi do të jetë perfekt.
“Mirëprita pak minuta më parë Presidenti Ceferin dhe legjendën Zvonimir Boban. I garantova se do kalojnë një kohë fantastike në Shqipëri dhe organizimi jonë do të jetë perfekt!”, u shpreh Duka në një postim në rrjetet sociale.
Nesër në orën 21:00 Tiranë do të zhvillohet finalja e madhe e Conference League, ku Roma dhe Feynoord do të ndeshen për kupën e kësaj ngjarje të rëndësishme sportive.
Ky është viti i parë që UEFA organizon Conference League, një kompeticion krejtësisht i ri evropian mes klubeve.
Gjithashtu është hera e parë që Tirana dhe Shqipëria presin një finale të një kompeticioni evropian./atsh