Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Go on!

 

 

 

 

Kuptimi i deklaratës së ambasadores Kim për zgjedhjet e 25 prillit 2021 është i thjeshtë. Është ai që zgjedhjet nuk ishin të rregullta, por ju vazhdoni. Ose, e dimë që Edi Rama i manipuloi, i bleu, por ju vazhdoni. Ose ose akoma më thjeshtë, bjeri me top Edi Rama dhe ju ecni, shtyhuni etj. Ose, go on albanian people siç i themi ne këtej nga Amerika. A i ka vjedhur zgjedhjet ky Edi Rama? pyesin njerëzit! Po, përgjigjet ambasadorja, por ju, vazhdoni… Ose go on! Po a dënohet vjedhja e votës, zonja ambasadore? Për më tepër ti duhet të kesh fakte? Se besoj një ambasadore e rangut tuaj nuk ia këput kot? Po, por ju go on albanian people, go on. Nga kjo vjedhje a është deformuar vullneti politik i qytetarit? pyesin prapë njerëzit. Po, përgjigjet ambasadorja, por ju vazhdoni. Apo go on. Po mirë atëhere, ne nuk paskemi qeverinë që duam?, pyesin qytetarët me habi. E di, thotë ambasadorja, por ju vazhdoni, ecni, shtyhuni. Me një fjalë go on! Ju kujtohet ai filmi me Mike Korleonen, Kumbari? Ai momenti kur Mike Korleone kishte nevojë të rrëfehej. Dhe në atë aferën financiare mes Vatikanit dhe atij vet, u bë ai rrëfim epokal i krimeve më monstruze të kastës njerëzore. Mike Korleone i thoshte klerikut se, kam bërë krime. Kam vrarë vëllain tim. Kam bërë këtë e atë. Dhe kleriku, go on my son. Kështu dhe puna e ambasadores me shqiptarët që nuk di se çfarë të thuash. Me shqiptarët muhaxhirë nëpër botë. Me shqiptarët që po u bien dhëmbët dhe akoma nuk dinë se çfarë është e drejta e votës. Madje e këmbëjnë atë me një pako miell. Dhe ambasadorja u thotë go on people. Me shqiptarët që e kanë model Amerikën dhe që janë dënuar në masën 10% të popullsisë me burg, pikërisht për Amerikën. Me masën 30% me internim dhe punë të pa paguar, pikërisht për Amerikën. Me masën 70% me gishtin kërcënues gati të t’ju nxjerrin sytë po ta mendonin Amerikën. Në masën 90% për bluxhinset a modën kauboj të Amerikës. Dhe bash këta pinjollët e tutorëve të kolonisë ndëshkimore, sot i konsideron aleatë dhe ua mbulon krimin elektoral. Madje plot hipokrizi i rekomandon hajdutëve se si të vjedhin edhe votën e emigrantëve. Bash edhe atij 40%-shi që ka marrë rrugën, jo vetëm për punë dhe jetë më te mirë. Apo paga të larta siç thotë idioti që sot po qeveris shqiptarët. Bullisti apo masivi i pa rruar etj. Jo, or jo! Edhe për dinjitet se dinjiteti peshon më shumë se paga. Se në fund të fundit, qofsh miliarder apo endacak, një copë varr merr. Dhe më e poshtira, sojsëzët zunë nga yçklat se sa të pa mundur e kanë të realizojnë një palo votim për emigrantët e tyre. Shumë e thjeshtë, shikoni se si votojnë shqiptarët emigrantë të Kosovës.

Please follow and like us: