Albspirit

Media/News/Publishing

Lija e majmunit prek edhe konspiracionistët

Autoritetet e shëndetësisë në Evropë, Amerikën e Veriut, Izrael dhe Australi kanë identifikuar gjatë ditëve të fundit mbi 100 raste të infektuarish me linë e majmunit, të rrezikuar janë edhe konspiracionistët që shpërndajnë lajme të rreme.

ÇFARË ËSHTË LIJA E MAJMUNIT?

Lija e majmunit është një virus që e ka prejardhjen nga kafshët e egra, si brejtësit dhe primatët, dhe që ndonjëherë kalon tek njerëzit. I përket të njëjtës familje virusesh si sëmundja e lisë. Shumica e rasteve të identifikuara tek njerëzit ka qenë në Afrikën qendrore dhe perëndimore, dhe përhapja ka qenë relativisht e kufizuar. Sëmundja u identifikua fillimisht nga shkencëtarët në vitin 1958, kur pati dy valë përhapjeje të një sëmundjeje që i ngjasonte lisë në radhët e majmunëve që përdoreshin për punë kërkimore – që atëherë mori emrin lija e majmunit. Infektimi i parë i një njeriu ndodhi në vitin 1970 – një djalë në një zonë të largët të Kongos.

ÇFARË E SHKAKTOI PËRHAPJEN E TANISHME?

Zyrtarët e shëndetësisë janë ende duke hetuar, por një këshilltar i lartë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë tha këtë javë se teoria që mbizotëron është se lija e majmunit ndoshta u përhap pas aktivitetit seksual gjatë dy festave të zhvilluara në Evropë. Dr. David Heymann, i cili drejton grupin këshillimor të OBSH-së për rreziqet infektive, tha se lija e majmunit mund të përhapet nga kontakti i afërt me dikë që është infektuar me sëmundjen, dhe se “me sa duket kontakti seksual e ka shtuar tashmë transmetimin” e sëmundjes. Autoritetet në vende si Britania, Spanja, Gjermania dhe Portugalia thonë se rastet që njihen më shumë në Evropë kanë qenë në radhët e burrave që kanë kryer marrëdhënie seksuale me burra, por ekspertët theksojnë se çdokush mund të infektohet nga kontakti i afërt me një person të sëmurë, rrobat e tij, apo edhe çarçafët. Shkencëtarët thonë se do të jetë e vështirë të përcaktohet nëse përhapja është nxitur nga marrëdhëniet seksuale apo thjesht kontakti i afërt.

PËRSE INFEKTIMET E TANISHME JANË KRYESISHT NË RADHËT E BURRAVE QË KANË KRYER MARRËDHËNIE SEKSUALE ME BURRA?

Nuk është e qartë, por sëmundja nuk ka gjasa të infektojë më shumë burrat homoseksualë apo biseksualë, krahasuar me të gjithë njerëzit e tjerë. “Mund të jenë thjesht të pafat që (lija e majmunit) ndodhi fillimisht në këtë komunitet të caktuar”, tha Dr. Jake Dunning, studiues i sëmundjeve infektive në Universitetin e Oksfordit, i cili është angazhuar edhe me kurimin e rasteve të shfaqura në Londër. “Ata thjesht janë një komunitet dhe duke kryer marrëdhënie seksuale me njëri-tjetrin, e përhapin atë”, tha ai. Ekspertë të tjerë paralajmërojnë se sëmundja mund të përhapet më shumë nëse nuk merren masa për ta ndaluar. “Sëmundjet infektive nuk duan t’ja dinë për kufijtë apo rrjetet shoqërore. Disa grupe mund të kenë një shans më të madh ekspozimi në këto momente, por kurrsesi rreziku i ekspozimit me linë e majmunit nuk është” vetëm për burrat që kryejnë marrëdhënie seksuale me burra, tha Dr. John Brooks, nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, CDC.

CILAT JANË SIMPTOMAT DHE SI KUROHET?

Shumica e pacientëve me linë e majmunit përjetojnë vetëm temperaturë, dhimbje në trup, ethe dhe lodhje. Njerëzve që sëmuren më rëndë mund t’iu shfaqen puçrra dhe të çara në lëkurën e fytyrës dhe duarve, të cilat mund të përhapen në pjesë të tjera të trupit. Shumica e njerëzve e kalojnë në dy deri në katër javë pa patur nevojë të shtrohen në spital, ndërkohë që lija e majmunit mund të rezultojë fatale në 6% të rasteve dhe mendohet se është më e rëndë tek fëmijët. Vaksina e lisë është efikase edhe kundër lisë së majmunit dhe ilaçet anti-virale janë gjithashtu duke u prodhuar. Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve rekomandoi që të izolohen të gjithë personat e dyshuar dhe t’u bëhet vaksina e lisë personave me rrezik të lartë që mund t’i kenë kontaktuar. Britania po ua ofron vaksinën personave që kanë patur kontakt me të infektuarit dhe që mund të rrezikohen, ndërsa rekomandon që kushdo që mund të jetë infektuar të izolohet derisa të jetë shëruar. Zyrtarët thanë se në rezervat e Shteteve të Bashkuara gjenden 1 mijë doza të një vaksine të miratuar nga autoritetet për parandalimin e lisë së majmunit dhe të lisë, plus mbi 100 milionë doza të një vaksine të lisë të brezit më të vjetër.

SA SHQETËSUESE ËSHTË KJO PËRHAPJE?

Çdo vatër përhapjeje e një virusi të ri është shqetësuese, por shumica e rasteve kanë qenë të lehta dhe deri më tani nuk ka patur raste vdekjesh. Gjithashtu, për përhapjen e lisë së majmunit duhet kontakt shumë i afërt. Nuk ka pra shumë gjasa të shkaktojë valët e mëdha të sëmundjes si COVID-19, që mund të transmetohet nga ajri edhe nga njerëz pa asnjë simptomë. Sidoqoftë, Agjensia Britanike e Sigurisë Shëndetësore ka thënë se parashikon të ketë infektime të reja “çdo ditë” dhe drejtori i OBSH-së për Evropën tha se sezoni i festivaleve dhe festave mund ta përhapë më tej sëmundjen. Shumë nga personat e identifikuar nuk kanë patur lidhje me infektimet e mëparshme, gjë që sugjeron se virusi po përhapet tashmë gjerësisht. Të martën, Ministri gjerman i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, tha se përhapja “nuk është fillimi i një pandemie të re”, por se duhet të përmbahet me shpejtësi.

SA RASTE ME LINË E MAJMUNIT SHFAQEN ZAKONISHT?

Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se ka mijëra raste në vit me linë e majmunit në rreth dymbëdhjetë vende afrikane. Shumica janë në Kongo, e cila raporton 6 mijë raste në vit, si dhe në Nigeri, me rreth 3 mijë raste në vit. Në të kaluarën, raste të izoluara me linë e majmunit janë pikasur jashtë Afrikës, përfshirë në Shtetet e Bashkuara dhe në Britani. Rastet ishin përgjithësisht të lidhura me udhëtime në Afrikë, apo me kontaktin me kafshët në zonat ku sëmundja është më e pranishme. Në vitin 2003, 47 persona në Shtetet e Bashkuara ishin raste të konfirmuara apo të mundshme. Ata e morën virusin nga qentë e egër që ishin mbajtur pranë disa gjitarëve të vegjël të sjellë nga Gana.

Please follow and like us: