Albspirit

Media/News/Publishing

I Lumi dom Luigj Prendushi, në përvjetorin e martirizimit

Më 24 janar kujtojmë të Lumin dom Luigj Prendushin, njërin nga martirët shqiptarë që u shpallën të Lumë në Shkodër, më 5 nëntor 2016, të cilët flijuan jetën për Krishtin e për Atdheun, gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. E arrestuan, akuzat e vetme “Prift katolik” e “spiun i Vatikanit”, pastaj dënimi, me vdekje. Pushkatimi, më 24 janar 1947. I vetmi shpërblim i jetës së tij, shkrirë për Ungjillin e Krishtit dhe njerëzit e kombit të vet, gjetja e eshtrave.

Më 24 janar kujtojmë të Lumin dom Luigj Prendushin, njërin nga martirët shqiptarë që u shpallën të Lumë në Shkodër, më 5 nëntor 2016, që flijuan jetën për Krishtin e për Atdheun, gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri.

Dom Luigj Prendushi (Shkodër, 24. 01. 1896 – Shelqet, 24. 01. 1947) u arrestua, u torturua dhe u pushkatua nga regjimi komunist si spiun i Vatikanit më 24 janar 1947.  

Dom Luigj Prendushi lindi në Shkodër, më 24 janar 1896. U nis krejt i mitur për në Piemont të Italisë, ku i kreu të gjitha shkollat: nga fillorja, në kolegjet më të mira të Skarnafacios e të Sarvanos. Gjatë shkollimit, zgjodhi edhe rrugën e jetës: atë të përkushtimit ndaj Zotit e të afërmit. Pas shumë motesh në dhe të huaj, ai mund të vijonte qetësisht udhën e zgjedhur, aty ku e kishte nisur. Në vise të begata, të përparuara.

Tregohet se motit qe mbytur një varkë, ku kishte shumë tregtarë, me shumë mallra, Njerëzit shpëtuan, po mallrat u mbytën. Si kaloi droja e rreziku, tregtarët nisën të qanin me lot për mallrat e humbura. Ndërmjet tyre, vetëm njëri nuk ankohej. Ishte meshtar. Kur e pyetën si mund të rrinte aq i qetë, u përgjigj: – Nuk kam asnjë arsye për t’u qarë. Kapitali im është Ungjilli. Ai nuk mund të mbytet në det!

Me këtë kapital kthehej Dom Luigj Prendushi, në një vend ku të shkelshe i ngarkuar vetëm me dije, nuk ishte ndonjë nder i madh.

E kështu, nga drita e dijes evropiane, në terrin e shpeshtë të padijes së vendit, prej të cilit qe larguar fare i vogël. Mes njerëzve, që i gjeti, si i kishte lënë. Prandaj erdhi, për t’i çliruar shqiptarët nga mendësia e kërkimit të një kafshate buke, një zheleje në shtat, dy tjegullave mbi kokë, një grazhdi për shtroje e një pushke në gozhdë, për t’u ruajtur nga bishat e egra e nga armiku.

Erdhi të banonte pranë tyre, në shtëpitë, që ishin më shumë shpella, të ndriçuara nga zjarri i vatrës, në Mazrek, Nënshat, Shllak, Dardhë (Pukë), Koman, Kaçë, Naraç, Shelqet.

Erdhi në viset e veta, nga viset me pallate të larta, kisha madhështore, hotele vezulluese, rrugë, që zienin nga njerëzit, gjithë gjallëri. Erdhi, duke sjellë me vete një pasuri të pallogaritshme, një pikë takimi me viset më të përparuara të botës perëndimore. Ungjillin!

Pa i shkuar për asnjë çast në mendje të dredhonte rrugë, të rikthehej në vendet e lulëzuara, ku mund ta vijonte qetësisht jetën meshtarake. E aq më pak, t’ia mbathte  këmbëve, nga një vend që kishte nisur të ushqehej me bijtë e vet.

Për këto krime, e arrestuan. Akuzat e vetme “Prift katolik” e “spiun i Vatikanit”.

Dënimi, me vdekje. Pushkatimi, më 24 janar 1947. I vetmi shpërblim i jetës së tij, shkrirë për Ungjillin dhe njerëzit e kombit të vet, gjetja e eshtrave. Që nga maji i vitit 1992 pushon në Tënzonë, duke pritur zgjimin e madh, në varrezën e Rrëmajit, pranë njerëzve të familjes, të cilët i pati lënë ende i njomë, për t’i shërbyer Zotit e shqiptarit!

Janar 2020.

Please follow and like us: