Albspirit

Media/News/Publishing

Mihal Gjergji: HOMAZH, CANE ÇAKOS

(Shokut tim të gjimnazit)

 

S’të erdha dot në çastin tënd të mbramë

Asnjë grusht dheu s’munda të ta hedh

Më kot në horizontin e paanë

Kërkoj për shpirtin tënd, që s’di ku bredh

 

Ta ngjyej pak penelin e trishtimit

Te gri-ja jote derdhur thellë në sy

Sa rrallë, sa rrallë në prangat e mohimit

Provuam qeshje, ëndrra, lumturi…

 

Të rëndë e kishte hijen Bohotina

Katili fat s’këmbehet, as ndryshon

S’u plake dot, s’u mbushe dot me thinja

Po nuk më thua, prehesh a lëngon?!

 

Te cilat mure fryma jote mbeti

Në ç’prag e ç’portë u shfaqe buzagaz?

Pa merr dy meridiane nga planeti

Ndërto një urë dhe ktheu për një cast

 

Harliset prilli, tufat bëjnë tutje

E ndjen pranverën, dimrit i bën gjyq

Ne s’dinim cilit Krisht t’i bënim lutje

Se ishim vetë mbërthyer mbi një kryq!

 

Prill 2022.

Please follow and like us: