Albspirit

Media/News/Publishing

Çelësi në det, çfarë e bën të çuditshëm propozimin e Presidentit të KiE, bërë Shqipërisë, që të marrë statusin e shtetit të asociuar me BE

Nga Shaban Murati

 

 

Nuk ka ndodhur gjatë 30 viteve, që kur Shqipëria aplikoi si shteti i parë ish-komunist për anëtarësim në BE, që një nga krerët më të lartë të BE të vijë në Tiranë dhe të ofrojë një propozim të çuditshëm antiintegrim. Ndodhi në 20 maj me vizitën e presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel, i cili i propozoi Shqipërisë uljen e gradës zyrtare të integrimit europian nga statusi i shtetit kandidat të BE, të marrë qysh në vitin 2014, në statusin e “shtetit të asociuar” me BE.

Në fjalën e tij në konferencën e përbashkët të shtypit me kryeministrin e Shqipërisë, Michel deklaroi se “vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin e tyre drejt BE mund të marrin statusin e vendit të asociuar me BE si një status i ndërmjemë deri në anëtarësimin e plotë”. Është hera e parë që në marrëdhëniet e krerëve të BE me shtetet kandiate të BE del novacioni politik apo diplomatik se statusi i shtetit të asociuar qenka statusi i ndërmjetëm deri në anëtarësimin e plotë. Deri tani në të gjitha dokumentat zyrtare të institucioneve dhe të samiteve të BE lidhur me marrëdhëniet kontratuale të BE me shtetet e procesit të integrimit në BE, ka qenë statusi i shtetit kandidat, që hapte bisedimet e pranimit me BE dhe pas përfundimit të atyre bisedimeve anëtarësohej në BE. Kjo ka qenë rruga ligjore e ndjekur nga BE me të gjitha shtetet e Ballkanit, që janë anëtarësuar në BE.

Çfarë e bën të çuditshëm propozimin e presidentit të Këshillit Europian bërë Shqipërisë, që nga shtet kandidat në BE të marrë tani statusin e shtetit të asociuar me BE? Së pari, nuk ekziston në asnjë dokument zyrtar të BE se statusi i shtetit të asociuar qenka faza e re apo rruga për t’u ndjekur pas marrjes së statusit të shtetit kandidat të BE. Së dyti, statusi i shtetit të asociuar me BE është një status, që u akordohet shteteve të kontinenteve të tjera për marrëdhënie më të afërta me BE, por që as ato shtete dhe as BE nuk kanë ndërmend për integrim të tyre në BE. Statusi i shtetit të asociuar me BE, jo vetëm nuk ka lidhje, por është shumë më i ulët se sa statusi i shtetit kandidat i BE. Statusin e shtetit të asociuar e kanë tre shtete ish-republika sovjetike si Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia, të cilat i kanë nënshkruar marrëveshjet e asocimit me BE që në vitin 2014 dhe tani po luftojnë të marrin statusin e shtetit kandidat.

Tani Mishel në vitin 2022 propozon që ta kthejë Shqipërinë te statusi, që kanë sot Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia. Së treti, statusin e shtetit të asociuar me BE e kanë shtete si Izraelit, (që në vitin 1995), dhe Armenia, të cilat as kanë kërkuar dhe as kanë ndërmend të hyjnë në BE. Së katërti, dhe tepër interesante, është që presidenti Këshillit Europian Michel, një ditë më parë se të vinte në Tiranë ishte për vizitë në shtetin tjetër kandidat të BE, Serbi. Ndonëse atje ndejti më gjatë dhe kaloi natën duke bërë grill në oxhakun e presidentit serb Vuçiç dhe ndonëse Serbisë i dhuroi 84,5 milion euro donacione për kërkime shkencore kur në Tiranë nuk dha asnjë euro, presidenti Michel në Beograd nuk e zuri me gojë statusin e shtetit të asociuar si ofertë për Serbinë. Madje edhe kur brenda ditës shkoi nga Tirana për vizitë në Bosnje-Hercegovinë, që nuk është shtet kandidat i BE, ai nuk ua zuri me gojë dhe as ua propozoi në Sarajevë statusin e shtetit të asociuar në BE. Sepse askujt në BE deri tani nuk i ka shkuar në mend të shpikë statusin e shtetit të asociuar për shtetet kandidate të BE.

Është vërtetë absurde se si një shteti kandidat të BE si Shqipëria, e cila po pret datën e hapjes së bisedimeve të pranimit me BE dhe për të cilën ka edhe miratimin e Komisionit Europian, i ofrohet befas nga presidenti i Këshillit Europian një ulje në gradën e integrimit me statusin e shtetit të asociuar. Një status, i cili nuk ka lidhje me anëtarësimin në BE dhe të cilin e kanë shtetet ish-republika sovjetike, që kanë trupa ruse në territoret e tyre dhe që kanë pjesë të territoreve të tyre të pushtuara nga Rusia si Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia. Është vërtetë një rebus interesant politik dhe diplomatik se si mendon presidenti i Këshillit Europian se mund të realizohet kjo ulje e gradës së integrimit të Shqipërisë nga shtet kandidat i BE në një shtet të asociuar me BE, kur asnjë dokument, asnjë procedure zyrtare integrimi dhe asnjë praktikë e mëparshme e BE, nuk përmban një veprim të tillë. Jemi para një eksperimenti të ri absurd diplomatik, që i ofrohet dhe i kërkohet Shqipërisë dhe integrimit të saj europian të therorizohen si kavie në laboratorët e bllokimit të dyerve të BE. Nuk mund të mos lindë pyetja përse Michel zgjodhi që t’ia paraqesë këtë propozim çgradimi integrues vetëm Tiranës? A vjen kjo nga fakti se krerët e BE e dinë që Tirana pa u menduar dy herë pranon çdo propozim, që vjen nga krerët e lartë filofrancezë të BE? A vjen kjo nga fakti se Tirana nuk ka fituar ende integritetin e duhur diplomatik dhe personal që të kundërshtojë këdo qoftë dhe çfarëdo qoftë, që nuk përputhet me interesat kombëtare dhe ato të integrimit europian të Shqipërisë? Janë drejtime, që duhen hulumtuar, por fakti i ftohë është se kryeministri i Shqipërisë në konferencën e shtypit me Michel në 20 maj, pa u menduar dy herë shprehu mbështetjen e tij, duke deklaruar se “idea e shtetit të asociuar është një ide që po merr mbështetje gjithnjë e më shumë”.

Nuk e di se ku e ka parë kryeministri këtë mbështetje për statusin e shtetit të asociuar, në një kohë që ky propozim nuk iu bë nga Michel as Serbisë dhe as Bosnje-Hercegovinës, ku ai ishte për vizitë, dhe nuk i është bërë as Malit të Zi dhe as Maqedonisë së Veriut, dy shtete kandidatë të BE në Ballkanin Perëndimor. Kaq pa baza është propozimi i presidentit Michel për statusin e asociuar të Shqipërisë sa që ai me një fjalor tautologjik i premtoi Shqipërisë se me këtë status ajo “do të marrë rol më të madh politik, që do t’i lejojë pjesëmarrjen në tryezat e mëdha të Bruk[1]selit dhe se ky është formati i duhur për të njohur më mirë njeri-tjetrin”. Natyrisht dikush mund t’ia kishte kujtuar presidentit të Këshillit të Europës se zulutë e Shqipërisë kanë marrë pjesë që nga viti 2000 në samitet e përbashkëta të rregullta njëherë apo dy herë në vit të organizuara nga BE me vendet e Ballkanit Perëndimor. Se ata janë shtet kandidat i BE prej tetë vitesh, dhe se qysh nga viti 2014 i “nisjes së Procesit të Berlinit” janë sanksionuar samitet BE-Ballkani Perëndimor për zbatimin e programit të kësaj nisme integruese. Se Shqipëria është anëtare e NATO-s qysh në vitin 2009, etj. etj.

Nuk është e qartë nëse Shqipërinë nuk e ka njohur ende mirë BE apo presidenti Michel. Presidenti i Këshillit Europian synon që eksperimentin e tij origjinal të uljes së gradës së integrimit apo të ecjes mbrapsht drejt çintegrimit ta nisë me Shqipërinë. E vërteta është se strategjia e re e kthimit mbrapa nga statusi i shtetit kandidat të BE në statusin shumë më të ulët të shtetit të asociuar me BE, përtej eufemizmit apo trukut terminologjik fsheh objektivin e mbylljes së derës së anëtarësimit në BE. Ka lindur një rrymë e re mendimi në Francë dhe në qarqet filofranceze të BE, që po ofrojnë projekte e propozime të reja bashkësish paneuropiane si alternativa të integrimit në BE. Kjo formë epidemie diplomatike lindi pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe pas aplikimit të Ukrainës në 1 mars 2022 për anëtarësim në BE. Theksojmë që Ukraina, e cila e ka statusin e shtetit të asociuar kërkon statusin më të lartë të shtetit kandidat, që çon te bisedimet e pranimit dhe te anëtarësimi në BE, dhe jo absurditetin e kundërt që Michel i rekomandoi Tiranës.

Në 9 maj doli presidenti i Francës Makron me propozimin e krijimit të një “komuniteti politik europian” si alternativë e anëtarësimit në BE, sepse sipas tij anëtarësimi në BE nuk mund të jetë e vet[1]mja strukturë e organizimit të shteteve në Europë. (Për më gjërë për propozimin e presidentit francez shih gazeta “Dita”, 12 maj 2022, “Efektet negative ballkanike të nismës së Makronit për “Komunitetin Politik Europian”).

Në datën 18 maj presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, e rimerr propozimin presidencial francez dhe i bën një redaktim terminologjik dhe propozon “komunitetin gjeopolitik europian”. Në një fjalim të mbajtur në 18 maj në Komitetin Ekonomik dhe Social Europian Mishel parashtroi propozimin e tij: “Unë bëj thirrje për krijimin e një komuniteti gjeopolitik europian”. Këtë propozim presidenti i Këshillit Europian ia paraqiti edhe Serbisë, Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës, në turneun e tij të 19-20 majit në Ballkanin Perëndimor.

“Komuniteti gjeopolitik europian” paraqitet si alternativë e integrimit në BE dhe i jepet nga propozuesit një dimension gjeografik dhe gjeopolitik, që nuk shpreh lidhje as me integrimin europian dhe as me interesat gjeopolitike atlantike dhe perëndimore. Mishel e përcaktoi këtë komunitet gjeopolitik si një hapësirë, që shtrihet nga Rejkjaviku në Erevan dhe nga Oslo në Ankara. Me një fjalë kemi një përzierje alogjike shtetesh dhe interesash të kundërta, ku disa shtete janë anëtarë të BE dhe të NATO-s dhe disa shtete janë anëtarë të organizatës ushtarake ruse “CSTO” dhe të “Unionit Ekonomik Euroaziatik” të drejtuar nga Rusia. Në këtë sallatë gjeopolitike maqedonase planifikohen sëbashku edhe shtetet e BallkanIt Perëndimor, edhe shtetet ish-republika sovjetike të nismës europiane “Partneriteti Lindor”. Në fakt propozimi i “komunitetit gjeopolitik europian” duket si një reminishencë e projekteve të vjetra presidenciale franceze, që nga presidenti De Gol në vitet 60’ për “Europën nga Atlantiku në Uralet” e deri te presidenti Miterran në vitin 1989 për “konfederatën europiane”. Të dy ato projekte franceze parashikonin edhe pjesëmarrjen e Rusisë. Tani riformulimi me termat e “komunitetit politik apo gjeopolitik europian” ka një qëllim të ri: Të bllokojë dhe të ndalojë anëtarësimin në BE të shteteve ish republika sovjetike, që duan të hyjnë në BE si Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia, duke plotësuar kështu një dëshirë dhe interes gjeopolitik të Moskës.

Rusia i konsideron shtetet ish-republika sovjetike si sferë e saj e influencës. Projektet e reja të “komunitetit politik europian” apo të “komunitetit gjeopolitik europian”, që po u ofrohen tani shteteve aspirante për në BE, në thelbin e vet janë lëshime gjeopolitike ndaj Rusisë. Ato u mbyllin dyert e integrimit europian shteteve si Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia, që kanë kërkuar zyrtarisht të jenë anëtarë të BE. Ukraina po pret që në samitin e qershorit të BE t’i akordohet statusi i shtetit kandidat të BE. Por me projekte e reja “të komunitetit politik dhe gjeopolitik” kjo perspektivë duket e zymtë. Rusia po përpiqet me të gjitha mjetet e mënyrat të pengojë aderimin e ish-republikave sovjetike në BE. Një nga objektivat e shumta të agresionit ushtarak të tanishëm rus në Ukrainë është edhe që të ndalojë Ukrainën të bëhet anëtare e BE. Projekti francez i “komunitetit politik apo gjeopolitik europian” ngren barrikadën, që ato shtete të mos bëhen anëtare të BE, por të joshen pas projekteve futuristike të parealizueshme. Pra projekti i “komunitetit politik apo gjeopolitik europian” është mbyllje e dyerve të BE për shtetet aspirante. Charles Michel e tha qartë në 18 maj se “nisma e komunitetit gjeopolitik europian”nuk është një garanci për pjesëmarrësit që një ditë ata do të bëhen anëtarë të BE”.

Në Beograd dhe në Tiranë e duartrokitën. Mbyllja e dyerve të BE me këto propozime e projekte të reja franceze e filofranceze është kaq e lexueshme, sa që presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, më datën 21 maj e hodhi poshtë publikisht projektin e “komunitetit politik europian” të propozuar nga presidenti francez: “Ukraina ka nevojë të bëhet kandidat me të drejta të plota për t’u bashkuar me BE, dhe jo të nënshkruajë ndonjë lloj më të gjërë “komuniteti politik europian”. Presidenti i Ukrainës madje tërhoqi vëmendjen se nëse nuk do të ketë kompromis për Ukrainën në Europë, “ahere do të ketë kompromis tjetër midis Europës dhe Rusisë”. Qendrimi i presidentit ukrainas Zelenski merr permbajtjen e një burri shteti, që ndjek interesat strategjike dhe jetike të vendit të tij. Ndonëse në një pozitë jashtëzakonisht të vështirë, kur Ukraina po përballet me një agresion të egër ushtarak rus dhe vendi varet nga ndihmat e SHBA dhe të BE, presidenti ukrainas guxon të thotë të vërtetat edhe para Francës, edhe para BE. Krahasojeni me qendrimin e mjerë të krerëve të Shqipërisë dhe të Serbisë, ku presidenti filofrancez serb dhe kryeministri filofrancez shqiptar, me një servilizëm dëmprurës për vendet e tyre i thurën hosanara projektit francez të “komunitetit politik dhe gjeopolitik”.

Si udhëheqësi i Serbisë, ashtu dhe ai i Shqipërisë, nuk i bënë vetes pyetjen se çfarë duan në një thes gjeopolitik sëbashku shtetet kandidate të BE në Ballkanin Perëndimor me ish-republikat sovjetike të pretenduara nga Moska. Nëse Franca tërthorazi njeh si sfera influence të Rusisë ish-republikat sovjetike, nuk është e qartë përse ka interes ta kthejë Ballka[1]nin Perëndimor në një zonë gri, jashtë BE. Është i kuptueshëm qendrimi i presidentit serb, i cili nuk ka interes real që Serbia të anëtarësohet në BE dhe mbyllja e dyerve të BE i intereson për shumë arsye, që lidhen me aleancën strategjike me Rusinë dhe me pretendimet kolonialiste për Kosovën.

E pakuptueshme dhe e papranueshme është sjellja e kryeministrit të Shqipërisë, i cili nuk arrin të kuptojë se statusi i shtetit të asociuar, që iu propozua nga Michel, është jo vetëm mbyllje e dyerve të anëtarësimit në BE, por është edhe një trajtim fyes ndaj Shqipërisë. Shqipëria vërtet është shtet i vogël, që nuk mund të ndryshojë rrjedhën e qendrimeve dhe të vendimeve të BE, por ka të drejtën dhe detyrën të shprehet në mbrojtje të interesave të saj. Mund të marrë shembull nga presidenti dinjitoz i Ukrainës. Sepse udhëheqja e Shqipërisë duhet ta shohë realitetin në sy. Presidenti francez Makron i mbylli dyert e BE, ndërsa presidenti i Këshillit Europian Michel i hodhi çelësat në det./gazeta dita

Please follow and like us: