Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: In memoriam, Don Anton Muzaj!

 

 

DON ANTON MUZAJ, (1921 – 1948)

 

Ishte nga Kosova, djali i Dedës dhe i Diljes dhe, asht le me 15 Maji 1921. Ata prind kishin edhe kater djelm e një vajzë. Antoni shkollen fillore e ka krye në Prizren, ndersa shkollen e mesme në Jezuitët e Shkodrës. Jetonte pranë Argjipeshkvisë së Shkodres. Argjipeshkvi i Shkodres Imz. Gasper Thaçi tue pa thirrjen e Tij shpirtnore, e dergon per studime teologjike në Romë Itali. Urdhnat e Meshtarisë i merr në Propaganda Fide në Romë në vitin 1945.

Në vitin 1946 kthehet në Shqipni, dhe zevendson Don Tomë Lacaj që ishte në burg i dënuem 101 vjet heqje lirije. Aso kohe Imzot Thaçi ishte arrest në shtëpi, nen kontroll të fortë të Sigurimit komunist. Vdiq krejtë papritmas.

Don Anton Muzaj porsa u emnue pranë Argjipeshkvisë së Shkodres, u pat dyshue nga Sigurimi i shtetit si “Agjent i Vatikanit”, sigurisht pa asnjë fakt.

Per natyrë Don Antoni ishte jo vetem i kulturuem po, dhe shumë i zellshem në kryemjen e detyrave fetare. Aktiviteti i Tij pranë Argjipeshkvisë u mbyll shumë shpejtë edhe pse Sigurimi nuk kishte asnjë fakt, me 2 Maji 1947 tue u nisë vetem nga pervujtnia e Tij dhe zelli meshtarak e arrestojnë, dhe hetimi i bahet në hetuesinë e mnershme të burgut të Kishës së Fretenve Shkoder.

Kujtohet nga bashkvuejtësit e asaj kohë per tortura të tmershme ndaj Tij.

Nuk kam kenë ma shumë se 16 vjeç kur kam pasë rasen me ndigjue nga një grue bashkvuejtëse e Tij, me emnin Ana Daja, që edhe Ajo ka kalue sa muej në heuesinë ma të mnershme të Lindjes komuniste, që ishte kuvendi i madh i Fretenve në Shkoder, e ku nuk ka mbetë asnjë torturë pa u ba mbi njerzit, që kanë pasë rrezikun e zi me hy në duert’ e atyne barbarve të Sigurimit.

Edhe Ajo ishte kenë krejt e re, kur Dulaqet e Asllan Licat e kanë torturue, po në kujtesen e Saj nuk shlyhej kurr shoferi i atij Sigurimi vrasësi Ahmet Suji.

Ky kriminel merrej me intelektualët shkodranë, klerin dhe vajzat e reja.Kur

Klerikët e të gjitha besimeve hynin nder duert e tija, në mos vdisnin në ato tortura që ky ju bante atyne, do të vdisnin mbas pak muejsh që dënoheshin.

Ana tregonte se kishte pa me sytë e vet njëditë Don Antonin, të zhytun deri në fyt në ujin e një shatrivani që ishte në oborrin e kuvendit Fretenve, bash aty ku siper tek muri i kuvendit ishte ora diellore. Nuk i kishte besue syve se atëditë ishte shumë të ftohët dhe, rreth Don Antonit lundronin copa akulli.

Aq i ishin terratisë Anës sytë kur e ka pa Don Antonin, që i dukej sikur nuk ishte i gjallë, mbasi e njifte qyshë perpara si Meshtar i persosun në sherbim të Fesë dhe të Popullit në të gjitha drejtimet. I kishte thanë një rojes: Të lus me shkue e me pa Don Antonin tek shatrivani, se më duket se nuk asht i gjallë! Roja kishte shkue dhe e ka gjetë tue dhanë Shpirtë. Bashkë me një roje tjeter e kanë nxjerrë, e kishin mështjellë me një batani dhe e kanë çue rrëshanë tek dhoma e Tij, mbasi nga të ftohtit nuk i komandonte kambët.

Mbas asaj ditë Ana, nuk e kishte pa ma. Don Antoni ishte keqsue ma shumë dhe nga mungesa e ushqimit. Mosha e re 26 vjeçare ishte thye pergjithmonë nga smundja e randë e tuberkulozit, e Don Antoni vetem i lutej Zotit…

Dosja 1203 (“Tragjedia e Klerit Katolik Vol I , nga Dr. Pjeter Pepa, 2007”)

Në  dukje kjo Dosje ka kryesisht hetimet e At Donat Kurtit eDon Mark Hasit. Po, në permbajtjen e saj ajo shpjegon mjaft detaje pse u arrestue dhe si u ba akuza ndaj Don Anton Muzaj, prej hetuesit njoftun të atij sigurimi terrorist, kriminelit Pjerin Kçira. Gjithshka fillon pak kohë para vdekjes së papritun të Imz. Gasper Thaçit dhe, vazhdon me shpikjet e kota të Sigurimit shtetit per Don Anton Muzaj, Don Mark Hasin, At Donat Kurtin dhe të tjerë, që nuk kanë fare lidhje me Don Antonin, po të montuem nga Pjerin Kçira.

Don Anton Muzaj i arrestuem prej datës 2 Maji 1947, në procesin e hetuesit Pjerin Kçira, me daten 27 Nandor 1947 akuzohet: Sikur Don Antoni asht kenë antar i Organizatës “Bashkimi Shqiptar”, dhe ka punue per me rrëzue pushtetin popullor nepërmjet rinisë shkodrane. Asht organizator kryesor i funeralit Imz. Gasper Thaçit në Shkoder.

Akuza e fundit lidhet edhe me kohen kur Don Antoni asht kenë në Shqipni, ndersa akuzat tjera nuk janë të verteta se Don Antoni, deri në 1946 asht kenë n’ Itali. Don Antoni akuzohet edhe per Letrat e Papës, kohë në të cilen as atëherë nuk ishte fare në Shqipni. Don Antoni nuk pranon as akuzen që i ban hetuesi Pjerin Kçira, se gjoja Ky klerik ka shty rininë shkodrane me ikë prej shkollave, per me marrë pjesë në funeralin e madh të Argjipeshkvit.

Në fund Dosja mbyllet me akuzen fallco se: “Çlirimin e vendit e ka pritë keq. Ka derdhur vrerë kunder reformave të pushtetit popullor dhe, se ka punuar gjithnjë sipas udhëzimeve që i jepte Ipeshkvi Thaçi. Në hetuesi ka rezistuar.

Mundohet të largojë veten nga përgjegjësia. Dosja mbyllet me ketë fund:

“ELEMENT BESNIK I VIJËS SË TRADHËTISË”! (Hetuesi Pjerin Kçira).

Hetimet e grupit kanë vazhdue edhe perdisa muej të tjera, mbasi sejcili nuk binte dakord me shpifjet që Sigurimi i shtetit u mundonte me i ngarkue të gjithë grupit klerikëve, edhe pse vetë hetuesit ishin të bindun në pafajsi.

Edhe pse gjendja shndetsore e Don Anton Muzaj tashti ishte randue shumë kryesisht nga mosmjekimi i tuberkulozit dhe mungesa e ushqimit, hetuesia vazhdonte me kambngulje me gjetë rrethana të reja per me e akuzue Ate.

Njëditë, gjoja se po e ndihmojmë Don Antonin, tue i dhane mundësinë që me shkue me jetue “i lirë”, i krijuene kushte jetese në një dhomë që ishte pa dysheme dhe pertokë pranë Kishës Kathedrale, mbasi Argjipeshkvija ishte e zanun me disa familje oficerash sigurimi. Aty qendroi derisa njëditë vdiq.

Don Anton Muzaj vdiq në vetmi në vitin 1948. Policia e Sigurimit shtetit e mori dhe e vorrosi në një Gropë paemen dhe në një vend të mësheftë.

Askush nuk u lejue me marrë pjesë në vorrimin e Atij Kleriku të pafajshem.

E ndoshta, sot që unë po e kujtoj per vdekjen e Tij jo vetem të vetmueme, po edhe në mjerim të plotë, pa pasë pranë një njeri me i dhanë një gotë ujë, jam i sigurt se pak kush beson se,“shka ka ba antishqiptari mbi Shqiptarin”!

E pra, edhe i Pafajshem po, por edhe i smurë e pa ushqim dhe as mjekime…

E i shtrimë pertokë, me sy kah qielli vetem thonte: “Zot bane mirë!”.

Në kujtimet e Saja Ana Daja shkruen: “Me Don Anton Muzaj, vetem një mur tullash na i ndante qelitë tona. Ndigjojshe me tmerr britmate Tij. E lenin me orë të tana në kambë derisa i binte të fikët. Mandej e lagshin me ujë. Dhe prap tortura. Shpeshë herë më thonte: “Unë nuk dal gjallë, po t’ jeshë ti Ana dishmitare, se po vdes vetem per Fenë e Krishtit!”

Vdiq si rrjedhojë e torturave mbas pak javësh në moshen 28 vjeçar.”

Vdiq 28 vjeç! Ishte në moshen ma të bukur të jetës…

Po, po, me bindje të plotë se po vdiste per Idealin e Tij të Shenjtë: “Per Fenë e Krishtit!”. E pra, pa e fillue mirë detyren që i kishte vue Vedit,mbylli jeten.

Sa larg asht sot Rinia Shqiptare, prej Atyne Shkambijve të Pathyeshem!

E perditë e ma larg po shkon, per mos me u kthye kurrma!

Vuejtjet dhe sakrificat e Klerikve katolik të kalueme në Sigurimin e shtetit komunist, duhet t’ Ju rikujtohen kur bahet fjalë per “rilindjen komuniste”.

Mos harroni asnjëherë se aty ku, nuk janë prekë as me pupul diktatorët dhe terroristat e pashpirtë të atij pushteti kriminal, bijt’ e tyne sot janë gati me persëritë historinë e tmershme që ka kalue Populli Shqiptar per 47 vjet!

Diktatorët lindin dhe vdesin tue pi Gjakun e Popullit të vet të Pafajshem!

Po, as bijtë e tyne nuk i lanë asgja mangut, e mos harroni se shpesh këta, ua kalojnë dhe sterkalojnë edhe krimeve të prindve të tyne të shemtueme.

***

Sot perkujtojmë me dhimbje të madhe një vdekje shumë të randë!

Një djalë i rij dhe i pafajshem, masakrohet nga Sigurimi shtetit komunist.

Rreshtohet me Martirët e Pavdekshem të Popullit Shqiptar.

Po, njëditë, Mikun e vet Rinia Shqiptare, do ta rreshtojnë me dhimbje me

Zamakët e freskët të Flamurit të Gjergj Kastriotit Skenderbeut.

Melbourne, 27 Maji 2022. 

Please follow and like us: