Artan Kajtazi: “PRISHTINA”, NJË SAGË ROMANORE TRADICIONALE
KONCEPTI I ZHANRIT ROMANESK
(Një hyrje e shkurtër teorike)
Pa dyshim, romanin e shoh si zhanrin më të vështirë për t’u shkruar për disa arsye: se pari, ka edhe nën-zhanre të tjera që përafrohen me romanin, por pa u futur në këtë procesi të krijimit është e vështirë të pasqyrosh një rreth të gjerë ngjarjesh nga jeta dhe karaktere të ndryshme të lidhura më kohën, me jetën dhe me shoqërinë, se dyti, është e mundimshme të përfshish një gamë të gjerë ngjarjesh, si: historinë, gjeografinë, kulturën, politikën, artin, fenë, e kështu me radhë, dhe se treti, të jesh vërtetë origjinal në këtë zhanër është gjithashtu shumë, shumë e ndërlikuar.
Filozofi, kritiku letrar dhe studiuesi i njohur rus, Mikhail Bakhtin, është marrë gjatë me teoritë dhe zhanret letrare, ku nder të tjera thekson se: “të gjitha zhanret, deri diku, e plotësojnë njëri-tjetrin, duke paraqitur një tërësi organike të rangut të lartë” (Grup autorësh, 1980: 21).
Pra, zhanret e plotësojnë njëri-tjetrin, dhe gjithashtu japim e marrin nga njëri-tjetri. Varësisht nga shumëllojshmëria ato (zhanret) paraqiten të nën-ndara si gjini artistike. Në tërësi, një përshkrim modest i origjinës dhe karakteristikave të zhanrit përfshinë atë: narrativ, lirik dhe dramatik. Duke kombinuar këto karakteristika, një prozë e mirë gjithmonë synon të gjenerojë kënaqësi estetike të lexuesi.
Madje, sipas teoricienëve, zhanret letrare mbulojnë shumë nga fushat kryesore filozofike: epistemologjinë (çfarë mund të dimë), metafizikën (natyrën e realitetit), etikën (si duhet të jetojmë), estetikën (artin dhe çfarë është e bukur), filozofinë politike (si e organizojmë shoqërinë), dhe filozofia e fesë (besimi, ekzistenca e Zotit, problemi i së keqes) etj.
Gjëja më e mrekullueshme e një romansieri është se si ai i mbulon të gjitha këto fusha, por që njëherësh këtë e bënë edhe përmes ngjeshjeve të fiksionit: pra përmes personazheve të ilustruar në mjedisin ku jeton dhe vepron.
Tzvetan Todorov, historian, filozof, kritik letrar, strukturalist, sociolog dhe eseist bullgaro-francez, në tekstin e tij “Origjina e zhanreve” nder të tjera thotë se: “zhanri, pavarësisht se a është letrar apo jo, nuk është asgjë më shumë se sa kodifikim i veçantive diskursive” (Todorov, 2008: 322). Pikërisht, nisur nga ky kodifikim diskursiv i Todorov-it, mund të themi se, në kuptimin e përgjithshëm, analiza diskurseve është hulumtim strukturor.
Northrop Fraj, në librin e tij “Anatomia e kritikës” thotë se: “kritika mund të flasë, kurse artet janë memece” (Fraji, 1990: 13). Sidoqoftë, kritika letrare, pohon Zherar Zhenet, “nuk ka asnjë arsye ta refuzojë audiencën e saj në shenjëzimet e reja” (Zhenet, 1985: 22).
Veçantinë e këtij modelimi e shohim edhe të Roland Barthes, ku mes tjerash thekson se: “kritika nuk hyn në shkencë, sepse shkenca i hulumton kuptimet, e kritika i prodhon ato. Ajo zë vendin e ndërmjetësuesit midis shkencës dhe leximit. Midis kritikës e veprës gjendet i njëjti relacion si midis kuptimit dhe formës… Ajo nuk e “përkthen” veprën, po mund të “krijojë” njëfarë kuptimi, të cilin e nxjerr nga forma që paraqet veprën” (Barthes, 1971: 237).
Kritika, në kuptimin klasik, shpesh definohet si ndërmjetësuese midis veprës letrare dhe lexuesit. Prandaj, kritika letrare ndikon mbi autorët, mbi lexuesit edhe në formimin e opinioneve.
“PRISHTINA” / NJË SAGË ROMANORE TRADICIONALE
Romani është një zhanër letrar i karakterizuar në thelb nga një narracion imagjinar dhe shfaqja e parë e tij daton qysh në shekullin e XII-të. Romani mund të përkufizohet si art i mjeshtërisë se sajimit nëpërmjet fjalës së shkruar.
Këtë e ka arrit ta bëjë me mjeshtri filozofike dhe njëherësh të arritshme shkrimtari i njohur i letrave shqipe, Mehmet Kraja, të romani “Prishtina”. Një vepër prej 335 faqesh, i ndarë në njëzet e katër kapituj, që ngërthen brenda harkut kohor plotë 18 muaj ecejake (qershor 1999 – dhjetor 2000), botuar në vitin 2018 nga “Onufri” në Tiranë.
I lindur më 27 qershor të vitit 1952 në Kështenjë të Krajës, fshat afër Liqenit të Shkodrës, në Mal të Zi, Mehmet Kraja në industrinë e madhe romanore, temë për bazë ka palcën shqiptare.
Kraja është një autor që shkruan në më shumë se një zhanër letrar. Ai deri më tani ka botuar katërmbëdhjetë romane, katër vëllime me tregime, dhjetë drama dhe pesë libra nga fusha e publicistikës.
Trajtimi i temave në librat e shkrimtarit Mehmet Kraja, të bën zemrën mal dhe ndjen njëfarë lloji drithërime të jashtëzakonshme me rrëfimet historike, ku nuk e anashkalon as romancën, dhe padyshim që shumëllojshmëria e tematikave do të thotë se ka diçka për të gjithë.
Mehmet Kraja në romanin “Prishtina” sjellë fillimin e historisë së një kryeqendre, të një kryeqyteti të lirë për herë të parë. Qershori i vitit 1999 shënon pikërisht këtë nisje të fillimit të kësaj historie. Eseisti i njohur argjentinas Jorge Luis Borges thotë se: “vetëm vendet e reja kanë historinë e vet, në kuptimin e një autobiografie si kujtim historik”.
Ngjarja e romanit “Prishtina” zhvillohet në Prishtinë (kryeqendra e Kosovës). Liria në esencën e saj, sipas shkrimtarit Kraja, krijon predispozita për të zgjidhë problemet, por ajo vetë nuk zgjidh asnjë problem. Pra, këta njerëz gjendet në një Prishtinë të këtillë me shumë probleme dhe me shumë dëshira, me shumë ëndrra, por me mundësi të kufizuara. Ky ballafaqim i personazheve me ketë realitet është subjekti kryesor i romanit “Prishtina”.
Në vazhdim e sipër po shkëpusim një paragraf nga romani “Prishtina”, ku pothuajse çdo lexues i “stërvitur” e kupton korporatën krijuese të shkrimtarit Mehmet Kraja dhe mjeshtërinë e fjalëve të tij.
“Në Prishtinë u ktheva më 18 qershor 1999, gjashtë ditë pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë. Në pragun e derës së apartamentit tim gjeta një mut të mbuluar nga mizat me krahë të shndritshëm, të cilat zukatnin hareshëm në ajrin kundërmues të korridorit. Një pikturë abstrakte, e cila dikur rrinte varur në murin kundruall derës së apartamentit, kishte shkarë në një krah, vijat dhe ngjyrat kishin dalë nga ideja e autorit, kishin shpërthyer kornizën dhe kishin krijuar një pamje apokaliptike, që mbushte dhomën me një masë të shpërbërë. U ula në kanape dhe për një kohë shikova pikturën, pastaj nxora nga valixhja tre libra të mi dhe i vendosa sipër librave të tjerë, në një cep të dollapit me xhama të thyer. Kostumet, këmishët dhe kollaret i vura në dollapin e dhomës së gjumit. Aty errësirës së kalamendur i vinte erë vjetërsie, qendra e rëndesës kishte ikur që andej dhe nëpër ajrin e dhomës shëtitnin ca hije të pluhurosura. Më pas u ktheva sërish në kanape dhe për më shumë se dy orë mendova për ca rreze dielli të lumtura që hynin nga dritarja e madhe dhe e kthenin dhomën në oazë qetësie” (Kraja, 2018: 7-8).
Është një rrëfim që shtrihet në vijë të drejtë, që përllogaritet në rrafshin horizontal, tronditës për qytetin e palumtur dhe njerëzit e tij, të cilët për një kohë aq të gjatë e pritën lirinë. Një libër me rrëfime që ka të bëjë me vuajtjet shpirtërore, që kanë shkaktuar një të keqe të madhe që kërkon kohë për riparim.
Një narrativë e prozës së ngjeshur, që zakonisht është e gjatë dhe e ndërlikuar, dhe merret sidomos me përvojën njerëzore përmes një rendi të ngjarjeve të lidhura zakonisht me truallin, ndjehet haptazi në tërë veprën “Prishtina”.
Kraja sodit filozofinë bashkëkohore shqiptare, por, në përgjithësi, ai shkruan për vuajtjet dhe dhimbjen, lirinë dhe idenë e një shoqërie utopike, duke pas për bazë lëndën imagjinative. Tani, është e mundur të argumentohet se çdo pjesë e fiksionit i përshtatet këtij përkufizimi, pasi çdo pjesë e shkrimit përmban ide. Duke lexuar këtë lloj fiksioni filozofik, ne përjetojmë idetë ose këndvështrimin, ndërsa thithim lëndën e historisë.
Ai është pasionant dhe i “zemëruar” që përmes rrëfimit ofron një mënyrë të shkëlqyer për të menduar për natyrën njerëzore dhe shoqërinë. Shkrimtari Kraja shquhet me mjeshtërinë e një rrëfimi të thellë dhe filozofik.
Çështjen e objektivitetit të veprës artistike e shpjegon bindshëm Ibrahim Rugova, në librin “Kah teoria”. Ai vjen në përfundim se, “pa kurrfarë paragjykimi veprën mund ta analizojmë nga pikëvështrimi social, ideologjik apo didaktik, e njëkohësisht edhe nga pikëvështrimi poetik, estetik e filozofik” (Rugova, 1978: 42).
Ne, në këtë përthyerje, jemi përpjekur t’i japim disa vlerësime të veprës nga pikëvështrime të ndryshme, duke pas për bazë tekstet teorike / letrare.
Sipas Mikhail Bakhtin, teksti dhe vepra në përgjithësi, sidomos në raportin krijuesi-teksti, përbëhet nga dy zëre: “zëri i parë që paraqet thënien tonë dhe zëri i dytë që paraqet thënësin të materializuar, vërtet të objektivuar në thënien e tij” (Rugova, 1978: 47).
Të shkojmë me afër problemit. Në konstituimin e vet, “vepra del objekt, kurse në modalitet del qenie” (Rugova, 1978: 48).
E, Roland Barthes thoshte se: “Leximi i veprës duhet të bëhet në rrafsh të veprës” (Barthes, 1987: 209). Këtë model e kemi ndjekur gjatë gjithë rrugës. Pa bërë “zhurmë” më shumë, në vazhdim po i shkëpusim disa paragrafë të shkurtër nga romani “Prishtina”.
***
Ishte bërë gjuhë e zhurmshme dhe euforike, që sorollatej poshtë e lartë, duke ulëritur dhe duke brohoritur broçkulla.
– Jam shumë i zhgënjyer.
– Të gjithë jemi.
– Kush e ka mendu se liria vjen kështu! (Kraja, 2018: 34-35)
***
– E kuptove çka t’thash?! Askush s’e ka mendu se liria vjen kështu!
– Pse ma thua mua këtë?
– Sepse je shkrimtar!
– Por unë nuk jam fajtor…
– Je, edhe fort bile! (Kraja, 2018: 35-36)
***
– Djalosh, lëreni atë ëndërr të merret me qentë e saj.
– Edhe lirinë?
– Edhe lirinë!
Përkthyesi u duk i zhgënjyer. Mërmëriti.
– Zot i madh, nuk e kuptoj si i duroni të jeni tërë jetën kaq të lumtur! (Kraja, 2018: 50)
***
– Hajt, gëzuar, shkrimtarë të mallkuar! Unë u plaka tue pritë që ju t’ju ngehet! (Kraja, 2018: 65)
***
– Ne jemi këtu që t’i pallojmë gratë tuaja, ja, për këtë kemi ardhur! Ky është çmimi që duhet të paguani për lirinë tuaj të dhjerë! (Kraja, 2018: 77)
***
– Ne jemi këtu, që t’u bëjmë strehë të gjithë shpirtrave të humbur. (Kraja, 2018: 111)
***
– Pas luftës një numër i banorëve nuk u kthyen kurrë më në lagjen tonë (…)
Në lagjen tonë nuk u pa më as Kadria i marrë, që rrinte natën pas dritareve dhe përgjonte, kur zhvisheshin burra e gra në dhomat e tyre të fjetjes. (Kraja, 2018: 210)
***
– Tani nuk e di çfarë të bëj.
– Askush nuk e di.
– Ndjej një trishtim që më vjen nga braktisja.
– Pse, kush nuk e ndjen?
– Edhe nga kotësia. Edhe nga vulgariteti i lirisë.
– Edhe nga materia që nuk transformohet në një rend më të përsosur gjerash.
– Ah, mik, revolucionet nuk ishin kaq abstraktë, prandaj njerëzit bëheshin të lumtur aq lehtë! (Kraja, 2018: 322-323)
***
Interpretimi i analizës së veprës, sipas Ibrahim Rugovës, “ka për qëllim kryesor t’i njohë regjionet e dhëna artistikisht të veprës, t’i nxjerrë ato në rrafshin e kuptimit, të vetëkuptimit dhe të shpjegimi të argumentuar” (Rugova, 1978: 74).
Tematika specifike e shkrimtarit Kraja u jep një kod të veçantë variacioneve që ndryshojnë aspektin, por jo edhe mesazhin, që dirigjojnë situatën (periudhën e pasluftës 1999), për të folur e argumentuar në një formë filozofike për kuptimin e jetës, lirisë se shumëpritur dhe keqpërdorimin e saj. Këta paragrafë argumentojnë dhe konfirmojnë korrektësinë e prozës së tij (ku në një mënyrë ose tjetër të gjithë jemi përgjegjës).
Sipas filozofit dhe kritikut të njohur bashkëkohës francez, Roland Barthes, “ligjërimi është një legjislacion, e gjuha kod brenda tij” (Rugova, 1978: 125).
Prandaj, në tërësi, të shkrimtari Mehmet Kraja janë të ngjizura rrëfimet dhe simbolizojnë një kod romanesk që vetëm një lexues i pjekur artistikisht mund ta kap thelbin dhe të zbërthejë natyrshëm narrativen e trajtuar nga ai.
Në këtë mënyrë Barthes, duke vërejtur se, sociabilikisht, gjuha është e alienuar, pohon se “shkrimtarit nuk i mbetet tjetër pos të mashtrohet me gjuhën dhe ta mashtrojë gjuhën”. Këtë mjeshtri pothuajse në çdo roman e ka praktikuar shkrimtari Kraja.
Ndërsa, shkrimtari Zija Çela shprehej se: “ky roman vjen nga vetë zemra e letërsisë kombëtare, por edhe letërsisë universale, vlera e së cilës është e gjithëkohëshme”. Ai e quajti roman të guximshëm, duke nisur së pari që nga titulli: “Prishtina”, që të duket sikur do të ofrojë një guidë turistike nëpër qytet. Dhe jo se kjo nuk ndodh, sepse nuk mungojnë rrugët e Prishtinës, ndërtesat me gjithë historitë e tyre para e paslufte, as monumente kulture, por më së shumti aty gjen “urbanistikën” apo strukturën letrare. Çela vëren se: “Kraja nuk merr mbi vete vetëm përgjegjësinë për ato çka thuhen në roman, por edhe si personalitet, duke u identifikuar me protagonistin e romanit. Dhe kjo e bën një nga shembujt e rrallë të letërsisë sonë. Ai e krahason realitetin e përshkruar në roman si ajo vatra e mbuluar në hi, por që poshtë fsheh gaca zjarri që të përvëlojnë duart. Fatkeqësisht, edhe pas 20 vitesh situata është po ajo”.
E, studiuesi Ali Aliu e cilëson si një nga shkrimtarët më të rëndësishëm bashkëkohorë, që, sipas tij, “pak njihet në këtë pjesë të Arbërisë”. Si autor të katërmbëdhjetë romaneve dhe shumë të tjerë me karakter eseistik, kritik, publicistik, akademik Aliu e konsideron atë si intelektual të formatit të rëndësishëm. Duke u ndalur në tri faza të krijimtarisë së tij, prej kohërave të gjimnazit kur u shfaq me krijimtarinë e tij e deri më sot, Ali Aliu shprehet se: “Kraja është i vetmi që lëviz në hapësirën shqiptare njëlloj si në oborrin e vet. Nga Shkodra, në Tiranë në Prishtinë. Një veçanti e poetikës së tij”. “Prishtinën” ai e konsideron si pjesë të sagës së tij romanore, e cila mbetet e hapur.
Në këtë vijë lineare, shkrimtari Mehmet Kraja është një tregimtar, një udhërrëfyes i zhytur në mendime, me njohuri magjepsëse për botën dhe historitë e ndërthurura që reflektojnë në temat kryesore të romanit në mënyrë mjaft interesante.
Romani “Prishtina” është një mënyrë e shkëlqyer për të menduar rreth çështjeve të realitetit, kujtesës, autenticitetit dhe identitetit. Andaj, fryti kësaj proze është gërshetimi i kërkimit të qenies shqiptare si individ e si shoqëri kolektive.
Personazhet në këtë libër luftojnë me mënyrën se si duhet të jetojmë tani me lirinë e shumëpritur (të gjendur para një katrahure të madhe). Një lexim filozofik që shikon nga afër se si ne e kuptojmë jetën dhe sjelljen tonë në liri.
Nga ana tjetër, shkrimtari Mehmet Kraja përmes punës së tij intelektuale, përpiqet të ngre të mirën mbi të keqën, përpiqet të mbisundojë mirësia mbi ligësinë, dashuria mbi urrejtjen dhe përpiqet të orientoj lexuesin kah letërsia e mirë.