Ergia Neza: Ai zgjodhi të thyente kufijë e botës së vogël
Si fillim dua të falenderoj nga familja Nezaj Presidentin e Republikës Shkëlqesinë e Tij, zotin Ilir Meta për njohjen dhe nderimin e kontributeve të babait tim. Gjithashtu falenderojmë iniciatorët për propozimin e dekorimit.
Thuhet që duhet të imagjinosh Sisyphusin të lumtur. Miti nga Albert Camus përshkruan absurditetin e betejës së pakuptimtë me të cilën njerëzit përballen gjatë jetës së tyre. Sisyphus njeh këtë realitet ndërsa përpiqet të lëvizë një shkëmb në majën e një mali të pamundur e sërish është i kënaqur sepse ka aftësinë të kuptojë që është në rrethana të pamundura. Ai është i kënaqur me pushtetin që ka në zgjedhjen e tij për të kryer këtë veprim edhe kur e di se shkëmbi do të rrotullohet dhe bjerë sërish poshtë malit. Unë e shoh jetën në të njëjtën mënyrë.
Gjithsesi një karakter mitologjik nuk është i mjaftueshëm të përmbushë kuriozitetin tim në atë që: “Ku e gjejnë forcën njerëzit të bëjnë këtë zgjedhje?” Pse të mos dorëzohen? Pse të vrasin mendjen? Cili është qëllimi? Shkëmbi do të bjerë sërish poshtë, apo jo?
Një njeri i vërtetë dhe jeta që ai jetoi më dha përgjigjen e këtyre pyetjeve: Babi Gimi. Megjithëse ai ishte lindur në një vend të izoluar dhe të varfër, ai zgjodhi të lëvizte në ngjitje të malit. Ai zgjodhi të shoqëronte turistë dhe të tregonte bukuritë e Shqipërisë. Ai zgjodhi të thyente kufijtë e botës së vogël ku jetonte që të mësonte rreth kulturave të tjera me një mendje të hapur. Ai zgjodhi të shkruante për vendin që donte duke i zbuluar botës bukuritë që ka pavarësisht të metave, me shpresë që të tërheqë më shumë njerëz për ta vizituar atë. Ai zgjodhi të ishte pioner në studimin e Marrëdhënieve Publike që të ekspozonte studentët në artin e komunikimit në një vend që vetëm njihte monolog pas izolimit me dekada. Ai vendosi të mbajë anën e të vërtetës dhe çfarë mendonte se ishte e drejta, në vend që të binte pre e favorizimit të një krahu të caktuar politik.
Ai zgjodhi të shfaqte mirësi dhe kujdes ndaj gjithkujt që takonte, pavarësisht prejardhjes apo të shkuarës së tyre. Ai nuk zgjodhi t’i mësonte bijave te tij si të “silleshin,” “flisnin” apo “ëndërronin” në mënyrë që ato t’i përshtateshin modelit të pranueshëm të femrës shqiptare, por i mësoi atyre që kurrë të mos dorëzoheshin në përpjekjet e tyre. Never give up. Never give up. Never give up.
Ai përsëriste me atë buzëqeshjen e tij të ndritshme dhe zërin e butë, por të vendosur. Ne gjithmonë tundnim kokën në shenjë pranimi. Ai ishte i lumtur. Ai jetonte në një botë që bënte cdo gjë të dukej e pakuptimtë, por ai ishte i lumtur edhe kur ngjitej malit papushim. Jeta e tij më mësoi që lumturia që gjen në një veprimtari të tillë është vetë qëllimi i jetës. Lumturia që ndjen duke ditur që je i fuqishëm dhe i fortë që të vazhdosh të ndjekësh gjërat që do, duke u përpjekur për ndryshim, ndërkohë që zgjeron limitet e tua me bindjen që ti mund të vazhdosh në përpjekjet e tuaja është e mjaftueshme. Unë mendoj që vendosmëria për të bërë këtë është e rrallë. Unë vetëm shpresoj që mund të jem një përjashtim siç ishte babi Gimi.