Miho Gjini: NJË “PENG” PËR LEKO LAZËRIN
E pata një “peng” për këtë aktor piqerasiot që nuk shkrova asnjë portret për të, sa ai ishte në kulmin energjive të tij krijuse, duke u ngritur, nga tornua në skenën e Teatrit Dramatik e të Estradës Profesioniste të Durrësit, përbri artistëve të shquar Nikolin Xhoja, Gjergj Vlashi, Vangjel Heba, Teodor Rupi, Aishe Stari e Spiro Strati. Ndërkohë që “më punonte lapsi” e më “lejonte pozicioni i punës” në krye të një Institucioni Kulture e Arti, duke më krijuar edhe këtë “peng” real, që më duhet ta realizoj pikërisht tani, pas gjashtë vitesh nga largimi i tij në “jetën e përtejme”!…
Ca më teper koma se në shtëpinë e Lazëre në Durrës, veja si në shtëpinë time e kur e ëma, Malia e Lazëre më ulte në tryzë bashkë me fëmijët e saj, si moshatarë 10 vjeçar, me Alekon e Pilon, që e thërriste me nofkën “Kuto” , kur ende nuk kishin ardhur në këtë botë të trishtuar edhe tetë fëmijët e tjerë të Grigor Lazërit, Komandantit të Marinës, që kishte mbaruar edhe të lartën Navale në Bari të Italisë. Si rrjedhë jete, edhe Kutoja do të mbetej detrave, si i ati. Po Hallë Malia, si e quaja unë, më donte aq shume, ndofta edhe nga që unë isha i nipi i këngëtarit me nam Vangjel Qendrothanasit, që ishte martur me të motrën e saj, Persifonin e Lazëre. Dhe akoma, nga që me Lekon, dhjetë vite më mbrapa, më kishte afruar edhe “Hëna që është në qiell!”, si njerëz të arteve të bukura! I ati i këtij djali simpatik, që lindi në kohë të vështira, në vitin 1935, dy javë para Vitit të Ri, po në Durrës kishte një jetë si nëpër filma, më shumë në dete se sa mbi tokë, që kishte vuajtur edhe ndonjë vit nëpër burgjet e diktaturës, mbi ca dyshime që ishin krijuar, gjoja për arratisjen e tij, që s’ishte gjë tjetër veçse një sajesë, që gjithsesi nuk do ta pengonin arsimimin e Alekos në një shkollë industriale e as të ngjitej në skenë, si një talent.
Dhe aktori Leko Lazëri, në arshivën që administrohet mrekullisht nga veterani Luan Jaupi, njihet si një nga themeluesit e Teatrit e të Estradës së këtij qyteti, duke i vën përpara dilemën”Tornon apo Teatrin”(?!) dhe ai do të zgjidhte artin e skenës, që do të përbënte gjithë rrugëtimin e jetës së tij të mëtejshme, me ato afro 30 premiera drame, komedie, estrade e operete, që unë do të kisha fatin, kohën e duhur e predispozitën që t’i ndiqja në pjesën më të rëndësishme të tyre, sikundër ishin spektaklet e teatrit “Prefekti”, “Votra e Huaj”, “Rrënjët janë të thella”, “Bileta e Llotarisë”, “Njerëz mbi shkëmb”, “Dashuri e këtillë”, “Marifetet e teto Sherifesë”, “Gjyshet dhe Turistët”… shfaqjet e Estradës “Vizitoni ekspozitën tonë”,”Të ka dalur emri”, “Albumi”, “Në majë të Hostenit” si edhe operetat “Një këngë për detin” e “Dallgët”. Po përse nuk bëra për kushëriun tim as edhe një shkrim të plotë? Ngaqë prisja gjithmonë nga ai “rolin e madh”, atë që e ngrë artistin në lartësinë e suksesit e të triumfit, që ai nuk e pati, kur përbri tij qenë si partnerë artistë të “kalibrit të madh”, sikundër qe Xhoja e Heba, Urumi e Rupi, Strati e Pela, Stari e Burda, Hoxha e Likmeta, po edhe nga që nuk mundej ta kryente Shkollën e Lartë të Aktorëve. Ndofta edhe ngaqë i jepnin vazhdimisht artistit tonë role të dyta e të treta… Ama, edhe me të tilla role Alekon tonë e njihte dhe a admironte i gjithë publiku i Durrëst me rolin e një gagareli, me pantallona “tub” e me flokët e gjata, duke kërcyer “Çarlestonin” përsosmërisht, si një denoncim kundër “shfaqjeve të huaja negative”, sipas sloganeve partiake të asaj kohe… Bile, duke e thirrur edhe në rrugë, tek ecte, me buzëqeshjen e tij në buzë e me shtatin e hedhur të një djaloshi me flokët e verdha, si të kishte zbritur aty nga vendet nordike!.. .Apo,-në të kundërtën,- si me atë rolin e mësuesit tutkun të fshatit që kryesonte kurset kundër analfabetizmit, kur ishte vetë analfabet! Me një interpretim plotë natyrësi, pa gjestikulime të tepërta, që ndriste në skenë, duke qenë edhe vetë ai i pashëm si djalë, me lëvizje përherë të pranueshme e plotë humor e vërtetësi… Mase, edhe duke harruar që, nganjëherë “rolet e vogla, evidentojnë edhe artistin e madh”,-mision ky, që më ngarkonte me një përgjegjësi morale si kritik arti që isha e jam, si edhe me atë që e thashë në fillim, duke më krijuar atë “peng” që më duhet ta shlyej pikërisht tani…
Ndërkohë që, edhe kur atij i besuan një rol kryesor në dramën e Minush Jeros “Jashtë bie shi”, shfaqjen e anullon Sekretari i Partisë i asaj kohe P.M, i cili tha se “shfaqja qe e errët, ngaqë gjithmonë jashtë bie shi(!), duke krijur vazhdimisht një “muzg”! Por ky “muzg” ishte krijuar për partiakun e Durrësit, që nga shfaqja e parë e këtij autori, me titullin “Njollat e murme” që prishi qetësinë e udhëheqësit e që e dërgoi Minushin, bashkë me regjisorin Luarasi dhe me autorin e këtyre radhëve në dyert e burgut!… Duke i urdhëruar artistët, paskëtaj,- që në fundin e çdo shfaqjeje të këndonin së bashku hymnin e asaj kohe “Në njerën dorë kazmën, në tjetrën pushkën”! Medeet, ç’kohëra paskemi jetuar! Të pabesueshme për brezin e sotshëm, si në një akt tragjedie të pashembullt mesjetare!
Gjithsesi Aleks Llazari, sikundër shënohej në posterat e reklamat e teatrit, ishte e mbeti një aktor simpatik, interpretues i mirë i roleve të ashtuquajtura “të vogla”, me një lirshmëri skenike, përherë i këndshëm edhe për estradën, ca më tepër për komedinë, po edhe me një vokal tërheqës për operetën. Ashtu sikundër ishte edhe një njeri social, i këndshëm për shoqërinë e tij. Bashkëshort e baba i mirë edhe për tre vajzat e tij, Ledianën, Riverën e Anën, njera pej të cilava, Rivera, u bë një violiniste rrallë, e diplomuar ne Konservatorin e Firences, bile e njohur edhe në skenat e Europës, të Amerikës e të Japonisë, duke krijuar kështu edhe një si trashëgimni të artit ndër breza…
Athinë, 30 maj 2022.
Please follow and like us: