Albspirit

Media/News/Publishing

Aleanca ballkanike që punon kundër interesve të shqiptarëve

Emin AZEMI

Shqiptarët, edhe në kontestin me Greqinë, ashtu si edhe në mosmarrëveshjet me Bullgarinë, kanë dëshmuar mirëkuptimin për bashkëqytetarët maqedonas, por kostoja e këtij mirëkuptimi ka përfunduar në kavanozët e mosmirënohjes maqedonase

 

Ka ende forca politike në rajon që koketojnë në mes veti (si në kohën e Aleancës Ballkanike) për të frenuar proceset euro-integruese. Kjo tendencë shpërfaqet edhe në rastin e Maqedonisë së Veriut, bllokimi i së cilës po ndodh, jo për ndonjë betejë identitare, por për shkaqe të një gjeopolitike të re rajonale që po duan ta imponojnë qarqe të caktuara politike, duke frenuar dhe, mundësisht, ngadalësuar procesin euro-integrues të disa vendeve të Ballkanit Perendimor. Përfituese më e madhe e këtij aksioni euro-skeptik sigurisht që është Rusia, ndonëse ajo nuk po duket të veprojë në sipërfaqe, përderisa ka eksponentë që e bëjnë punën e saj në hapësirën politike të Ballkanit Perendimor, sidomos në Beograd, Sofje e, pse jo, edhe në Shkup, ku muaj më parë e dëgjuam këtë parullë: “E duam Evropën, por më shumë e duam veten tonë”.

Serbia, frenuese e proceseve euro-integruese në Ballkan

Si është e mundur të integrohen në BE para Serbisë, Shqipëria e Maqedonia?! Është kjo një pyetje thelbësore që përbën lajtmotivin e gjeopolitikës së re rajonale, e cila është e prirur ta shohë Ballkanin Perendimor si një zonë me korsi të veçantë ku janë të kufizuara shpejtësitë e lëvizjes europiane. Këtu, mbase, mund ta ketë burimin edhe ideja për “Ballkanin e Hapur ” që favorizohet kaq shumë nga Beogradi dhe mbështetet qorrazi nga Tirana dhe nga Shkupi. Ndryshe s’mund të kuptohen edhe obstruksionet e Beogradit që i bëhen procesit negocues me Kosovën, ku kjo e fundit duhet me patjetër të përmbushë të gjitha kërkesat e Serbisë nëse dëshiron të duket konstruktive në sytë e bashkësisë ndërkombëtare.

Maqedonia e Veriut, bashkë me Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi, duhet të thellojë bashkëpunimin reciprok në kuadër të Procesit të Berlinit, dhe në asnjë mënyrë në projekte ballkanike si monopol i shteteve sllave. Jo ratsësisht vëzhgues të paanshëm me të drejtë kanë konstatuar se “Ballkani i  Hapur” është dublim i procesit të Berlinit dhe, si i tillë, e ka zëvendësuar Gjermaninë me Serbinë.

Fakti që në “Ballkan të hapur” tri shtetet –  Shqipëria, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Serbia i kanë përjashtuar vendet e BE-së, tregon se rolin udhëheqës, natyrshëm, do ta ketë Serbia, si shteti më i madh dhe më i fuqishëm në rajon. Prandaj Kosova nuk ka pse e zëvendëson Berlinin me një forum ku fjalën kryesore e ka Serbia, pasi që Procesi i Berlinit ka siguruar mekanizma të nevojshëm ku asnjë shtet nuk do të ndjehej inferior. Me ‘Ballkanin e hapur” disa shtete bëhen superior, kurse disa të tjerë duhet t’iu nënshtrohen  rregullave të Serbisë. Në “Ballkanin e hapur” Kosova nuk llogaritet si shtet, por vetëm si hapësirë gjeografike e kalimeve tranzit të mallrave…

Marrëdhëniet maqedono-bullgare dhe shqiptarët

As bullgarët e as maqedonasit nuk janë korrektë me shqiptarët. Përderisa përfaqësues të ndryshëm publikë e institucionalë bullgarë japin deklarata “xigluese” për veshin e shqiptarëve, duke i përdorur ata si pykë në “pyllin e dendur” të mosmarrëveshjeve identitare me maqedonasit, këta të fundit tani janë kujtuar të kërkojnë solidarizimin e shqiptarëve lidhur me vijat e kuqe të bullgarëve.

Nëse i referohemi historisë, Bullgaria ishte pjesë e Aleancës Ballkanike që synonte të jetësonte në praktikë vendimet e Shën Stefanit për gllabërimin e trojeve shqiptare. Por, në anën tjetër, Bullgaria luante në dy karta ndaj faktorit shqiptar, duke toleruar veprimtarinë anti-osmane të shoqatave shqiptare në Sofje. Bullagarisë i konvenonin shqiptarët si “element destabilizues” në Perandorinë Osmane, sepse vetëm në këtë mënyrë ajo i realizonte qëllimet e saj kundër Portës së Lartë.

Divergjencat bullgaro-maqedonase kanë qenë të shumta, por, jo rrallë, është dëshmuar se këto dievergjenca janë shndërruar në një qëndrim të përbashkët sa i përket elementit shqiptar ortodoks. Në lëvizjen revolucionare maqedonase, të përkrahur nga bullgarët, ka pasur mjaft eksponentë shqiptarë ortodoksë, në mesin e të cilëve kanë qenë edhe Petar Çaulevi (në vitin 1913 vihet në shërbim të Qeverisë së Ismail Qemalit  në Vlorë), Kristo Bageri (i biri i Josif Bagerit) etj. dhe kjo ishte arsyeja se pse Bullgaria ishte kundër autonomisë maqedonase, sepse në themel të saj qëndronin shqiptarët ortodoksë. Ky ishte edhe shkaku që elementi shqiptar ortodoks u ndoq me të madhe nga autoritet bullgare. Për pasojë, Petar Çaulevi gjeti strehim në Shqipëri, kurse Kristo Bagerin e helmuan. Babait të këtij të fundit, Josif Bagerit, madje, në dokementa, ia falsifikuan edhe përkatësinë fetare, duke e “kryqëzuar” në protestant. Si duket, shqiptarët ortodoksë paraqitnin pengesën kryesore për Bullgarinë që t’i shtrijë pretendimet historike ndaj Maqedonisë.

Por, hiq më korrekt me shqiptarët nuk ishin as maqedonasit. Përveç faktit që ata vazhdojnë të shprehin animozitet të pafshehur kundër gjuhës shqipe dhe karakterit autokon të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke refuzuar kategorikisht që ata t’i trajtiojnë si element shteformues në Kushtetutë, maqedonasit po mundohen që, edhe në raporet me Bullgarinë, t’i përdorin shqiptarët si gomë rezervë që do t’i shpëtonin në ujërat e trazuar të  gjeopolitikës rajonale.

Shqiptarët, nga ana e tyre, gjithmonë patën ndjeshmëri civilizuese ndaj problemeve identitare të maqedonasve, duke mos u solidarizuar me fqinjët në mohimin e gjuhës, emrit, kishës, historisë maqedonase. Por, kjo nuk ka mjaftuar që lojaliteti dhe mirëkuptimi i shqiptarëve të mos ketë kurrfarë vlere në kandarin e prishur të matjeve ‘ala maqedonqe’. Kjo u pa edhe me rastin e përfshirjes së një shqiptari në  Komsionin e Historisë, atëherë kur procesi veç kishte përfunduar, me çka synohej të legjitimohej ky proces i dështuar përmes një shqiptari. Çudirisht, faktori politik shqiptar nuk  e pati të zhvilluar sensin e reagimit ndaj kësaj çoroditjeje, sepse ashiqare shihej se roli i një histroiani në atë Komision ishte vetëm sa për kozmetikë dhe për të pjestuar artifiacilaisht përgjegjësinë për dështimet eventiuale në bisedimet me Bullgarinë.

Shqiptarët ishin dhe duhet të ngelin konsekuentë në mbështetjen e frymës euro-atlantike në Maqedoninë e Veriut. Ata edhe tani duhet të tregojnë kosekuencë, duke e kundërshtuar bllokadat që vijnë nga Sofja dhe Shkupi e që e dëmton këtë frymë. Fundja, kontesti maqedono-bullgar nuk është konekst në mes dy kombeve, por në mes dy shteteve dhe, për rrjedhojë, shqiptarët, si pjesëtarë të barabartë të shtetit të Maqedonis së Veriut, duhet të distancohen nga formulat etnike të shekullit të 19-të, atëherë kur bashkë me formimin e kombeve,  formohej edhe ndërgjegja historike për avancimin e tyre.

Shqiptarët, edhe në kontestin me Greqinë, ashtu si edhe në mosmarrëveshjet me Bullgarinë, kanë dëshmuar mirëkuptimin për bashkëqytetarët maqedonas, por kostoja e këtij mirëkuptimi ka përfunduar në kavanozët e mosmirënohjes maqedonase.

Shkup, 31 maj 2022

Please follow and like us: