Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Prifti: Aty jam gjithnjë!

Rehova është “fshati im”, sepse ai imi ka qënë gjithmonë, i imi edhe kur ika për studime në Tiranë. Imi mbeti për jetë. Mbeti imi, sepse atje mbeti fëmijëria dhe rinia ime, mbetën kujtimet e atyre kohëve të bukura, kur ndiqnim harabelat, kur ndiqnim fluturimin e laureshave, kur dilte dielli mbi Gramoz. Përjetësisht imi.

Dashuria për atë copë tokë për atë qoshe atje në rrëzë të Gramozit lindi bashkë me mua. Lindi, sepse nuk mund të ishte ndryshe. Unë i njoh atij fshati çdo qoshe, i njoh jo vetëm ato që shikoja rrotull shtëpisë apo lagjes, i njoh edhe gurët edhe drurët, i njoh sokakët, portat,kaçkat, lisat e dikurshëm të mëdhenj, i njoh kishat, shkollat dhe gjithçka. Përmbi të gjitha i njoh ata  që kanë jetuar dhe punuar në atë copë tokë që quhet Rehovë! Thonë: kam mall! Joooo… Kam shumë mall e dashuri për atë fshat, sepse aty kam shkelur për herë të parë tokën, aty kam belbëzuar fjalën e parë shqip, aty kam marrë dhe kam dhënë puthjen e parë, aty jam pagëzuar, aty jam mrekulluar nga bukuria e lindjes së diellit, nga shkëlqimi i pastër i hënës dhe yjeve, që duken sikur do të zbresin në tokë nga madhështia e Gramozit.

Ai fshat është dashuria dhe dhimbja ime. Është dashuri, sepse aty më kanë përkëdhelur dhe më kanë rritur me shumë dashuri  prindrit, gjyshi e gjyshja, të afërmit. Aty kanë mbetur kujtimet më të bukura të asaj kohe kur nuk kisha asnjë shqetësim, kur loznja i shkujdesur te Sheshi i Tëplakut, kur bridhja sokakëve, kur hipja me zbritja mureve e gardheve, kur zvarritesha nëpër degët e vishnjeve dhe bajameve të Shën Gjergjit, kur ngjitesha lart te Manastiri i Shën Pjetrit, kur pija ujë te kroi, që kishte rregulluar At Illarioni. Por, ajo qoshja atje në  rrëzë të kodrës së Shën Pjetrit me emrin Gradinisht ?! Sa shumë kemi luajtur në ata luadhe, sa shumë jemi gëzuar, sa herë kemi rënë dhe i kemi bërë gjunjët copë… Sa jemi shkarrazittur në dëborë dhe akull… Ja…atje e kam mendjen. Atë vend e kujtoj. Por, mos mendoni se nuk kujtoj luadhin e Papa Naumit, kur i bënim këmbët copë me një top lecke apo prej leshi lope !Ama, Zalli i Ramjes nuk kishte kufi. Atje ishim të lirë të luanim me gurë, të flaknim tej në Glladishtovë gurë të vegjël dhe të bënim garë se kush do ta hidhte më larg. Por, atje kam një dhimbje të madhe, shumë të madhe të vegjëlisë. Atje diku në mes të zallit u vra ne një bombë nga ato të grekut shoku im më i mirë i fëmijërisë, Lipja… Sa më ka dhimbur ajo vrasje… Si mund të harrojë njeriu ato pllaja të Razdollit të mbuluara me bar jeshil e lule? Ngjitesh në mal dhe nuk ndjen lodhje, mbledh këtu atje një dorë çaj, pi ujë te Kroi i Dafinës dhe hedh shikimin tej në horoznt. Kolonja të duket pa fund, e shtrirë si një virgjëreshë, e bukur si një nuse. Po kurrë, kurrë, ama nuk mund ta heq mendjen nga ana e Cuculit me atë kukumal në krye, me ato pemë që duken sikur nuk rriten, kurse ti dëshiron që Gramozi të mbulohet i gjithi me pemë, me pishe bredha me ah e lisa. Nuk të lë pa të marrë sytë edhe katarakti. T’i shkosh në buzë të tremb dhe të duket sikur thellësia e tij do të të thithë poshtë. Ai të tremb, por edhe të kënaq… E mbi një gur shikon një zog të madh, i thoshim dikur gjerak. Gjeraku ndiqte thëllëzat, lepurat dhe ne e ndiqnim fluturimin e tij deri sa gjeraku të na zhdukej nga sytë.. Ulesh mbi Gurët e Bardhë dhe sodit poshtë Rehovën, atë fole dallëndysheje që të parët tanë e kanë ndërtuar me shumë art e dashuri, me dëshirën e madhe për ta shijuar jetën, për ta gëzuar atë me të gjitha të mirat.

Mendoni se mund të harrohen shokët e fëmijërisë ? Jooo, more, nuk harrohen. Dhe tani në moshë të thyer ze dhe i kujton me radhë, që nga kushërinjtë dhe deri te shtëpia e fundit e mëhallës Poshtë. Disa nuk jetojnë.. Ndjej shumë dhimbje dhe më duket sikur kam humbur një pjesë timen. Mungojnë Lazi i Koles, Toli i Kices, Loni i Minait, Toli i Petit, Gaqua i Andresë, Piro Qipoja, Roberti, Dhori dhe shumë të tjerë që janë dikur nëpër botë. Dhe rri e i sjell para syve ashtu si i ke parë me vite të tërë, ndonjërin e kujton për ndonjë bisedë, dike se jeni zënë, dikë se luante mirë futboll… Lazi luante tavëll, Gaqua luante të gjitha lodrat, Arqilea dhe Gavrili luanin mirë futboll, Toli rrinte e priste tël luanim bedenat, unë pëlqeja cinglat, Qiriakoja luante porren me fiç, Kozmaj dhe Sterjoja luanin me detka. Ama. Lazi i Xekes kishte një fugaç të madh dhe kur luante fitonte gjithnjë. Dhe  thuaj pastaj se mund ta harrohsh atë kohë, atë fshat, ata shokë, ata miq… Po, ata burra të mirë kur luanin domino te klubi i fshatit, mund të harrohen? Ata ishin gjyshërit dhe baballarët tanë. Nuk janë më.. janë atje te Shën Gjergji, te Ara e  Zogës… janë atje, po gjurmët i kanë lënë në muret dhe portat e shtëpive, në kujtimet tona, i kanë skalitur në pamjen e ëngjëjve, të zogjve, në fryta e kafshë. Një luan është te qemerët e një porte, një thëllëzë duke fluturuar është te qoshja e portës së “skolosë”… Eh, sa shumë gjëra të bukura ka kudo në Rehovë.

Më vjen shumë keq që jam larguar, por koha dhe fëmijët bëjnë të vetën. Jam larguar fizikisht, po kurrë me shpirt e me mendje. Jam atje. Jam, por kur shkoj më rrallë e ndjej se sa shumë ka kaluar koha, aq më shumë më largohet fshati. Tani njoh pak njerëz, bile edhe ata që njoh janë të moshës time. Më të shumtët kur i takoj i pyes: Po ti i kujt je? Ai më shikon dhe ma kthen me ndrojtje: -Jam i Koces… Ku e njeh babanë tim ?- më pyet. Unë zë dhe i përshkruaj të atin që nuk jeton më, i tregoj ku kam luajtur me të, i them cili jam dhe pse e pyes. Përpiqem të kujtoj të gjithë emrat e fisit të djalit dhe atij i mbushet mendja se edhe unë jam si ai rehovar me rrënjë e me degë. Por, e ndjej veten pak si të huaj. Pak veta njoh, disa si fytyrë, disa nuk i njoh fare dhe përpiqem t’i sjell ndër mendje sipas fizionomisë se më cilët më ngjet.

Hyj në fshat dhe ndonjëherë ndjej frikë. Ka pak, shumë pak njerëz sokakëve. Nuk shikoj asnjë fëmijë të vrapojë, të qeshë e të luajë. Tëplaku hesht, Mani hesht, depo e centralit është e mbushur me zhavor lumi, kishat mbyllur, nuk dëgjohet asnjë lehje qeni, bile duket sikur nuk ka as harabela. Heshtje… Shkoj te varret… Heshtje… Afrohem me mall te varri i nëne Mitros dhe allo Eftalisë, puth fotografitë e tyre, ndez qirinj dhe mbushem për të qarë. Hedh sytë dhe shikoj varrin e Lonit. Më duket sikur lëviz, afrohem dhe ndez qiriun e gëlltitem thellë dhe me radhë shkoj te Rrafaili, Leloja, Leksi,.. nuk harroj Xhako Kiçonin, Papa Andrenë, Paskalin e tetes dhe me radhë… Mbushem për të qarë dhe ikij ikij ikij sikur më ndjek dikush. Nuk harroj asgjë… Largohem i mbushur me mall, me shumë mall, bëj kryqin para konizmës së Shën Gjergjit dhe mbyll portën e hekurt.

Iki i trishtuar dhe nuk i hedh sytë gjëkundi. Ul kokën dhe marr rugën për në Ersekë.

Edhe sa herë do të kthehem ta shikoj Rehovën? Edhe sa njerëz do të takoj herën tjetër? Edhe sa shtëpi do të shikoj me kyçe varur?  Unë nuk kam ikur kurrë dhe jetoj akoma në Rehovë, jetoj dhe mendoj për shokët dhe miqtë e mij. Nuk mundem të harroj asgjë dhe askënd. E dua shumë Rehovën, se ai është caku im i përjetshëm!

Please follow and like us: