Ilir Levonja: Luftë të ashpër dhe pa kompromis karshi kulakëve
1) Me që jemi në kohë luftrash, pandemitë, pushtimi i Ukrainës nga Rusia për shkak se Putinit nuk i pëlqen që ukrainasit të bëjnë si duan në shtëpinë e tyre. Se kështu i bie, je në shtëpinë tënde vërtet, por do bësh si them unë etj. Dhe po ta vësh re plot vende janë penduar nga që nuk janë pjesë e aleancës së atlantikut apo Natos, si Suedia apo Finlanda, vende që po nxitojnë të futen. Ne fatmirësisht jemi, kjo për shkak të ”lebrozit” Saliut. Pasi këto vende po e shohin me sytë e tyre se me çfarë brutaliteti po i futen ukrainasve në oborr tanket ruse. Vetëm pse kanë atë superioritetin e të madhit, liritë dhe të drejtat civile të kombeve nuk janë asgjë tjetër vetëm ca kunja shkrepse. Madje në këtë brutalitet të vitit 2022, epoka e lojrave elektronike është një realitet faqe botës, ku shumica dërrmuese veç deklaratave dhe ca armatimeve janë ca sehirxhinjë të shpifur deri sa nuk e ndalin dot Carin dhe Rusinë. Varre masive po shohim, por prapë askush nuk guxon ta ndali. Nga ana tjetër ka edhe liderë të tillë si, mjafton shtëpia e tyre të mos preket, pa le të përvëlohen fqinjët. Ky është rasti i ”konservatorit” Victor Orban në Hungari, të cilin nuk e di se përse e evokojnë të djathtët në Shqipëri.
2) Pra me që jemi në kohë të tillë i bie se nëse kërkohet të firmoset një vendim për mbrojtjen e vendit, për riorganizimin e ushtrisë, që nuk e dimë e kemi apo ajo më? Dhe ku të gjithë deputetët duhet të firmosin. Ku pa diskutim edhe Saliu…, se, për karakteristikat që ka në raport me moshatarët e vet që bëjnë reklama fenaskoshësh a aspirinash, që ankohen nga gjunjët etj. Apo në raport me Edi Ramën që më shumë se për Shqipërinë e ka mendjen tek mjekra pasi i kanë thënë se ngjan me Ismail Bej Vlorën, ka hallin e Open Ballkan, kufijve me Greqinë etj. Saliu është gati të dali vet aty në front. Kësisoj do jetë i pari që do firmosi. Tani si i bie me këta të tjerët që deklarojnë se, çdo dokument që firmos Saliu nuk njihet. Do e grisin? Dhe këta e bëjnë se e kanë në gjak. Se ndryshe nuk ka si shpjegohet ky lançim kundër Kushtetutës, kundër vullnetit të votuesve etj. Edhe lançimin e kanë në gjak këta. Kësisoj nuk ishte e rastësishme që edhe dje e lançuan një ish të përndjekur politik apo një ish kulak. Në një farë mënyre edhe Sali Berisha sot, pavarsisht të gjithave, është një kulak tipik i viteve 1944-1990. Ndaj nëse firmos ndonjë dokument për mbrojtjen e vendit, në të sëmës shkoftë edhe Shqipëria. Arsyeja e ka firmosur Saliu.
3) Kulakët janë metoda më efikase për të zgjatur pushtetin. Ne shqiptarët sado të përdridhemi ua ndjejmë akoma erën. I gruponim në fshatrat më periferikë, i mbanin në baraka, nuk denjonim të bënim krushqi. Madje nëse ndokush nga bijtë, djemtë a vajzat do të dashuroheshin, prindërve do u binte o damllaja, o ataku kardiak. Kjo fal vigjilencës dhe punës së pa lodhur të propagandës. Madje edhe ne të rinjtë të lindurit nën ”dritën e partisë” i shikonim kulakët sikur të ishin lebrozë. Megjithëse në shumicë kishin inteligjencë e vajza të bukura, prapë ne stepeshim. Këtë temë e kam trajtuar në romanin tim ”Zemra nuk e njeh armikun” 2014. Janë problemet tona, por sot politikat kulturale apo dimensionet e ekraneve gjoja kombëtare janë të fokusuar në subjektet e jetës së Stambollit, pasi jemi akoma nën Perandorinë Otomane, jo në demokraci. Këtë startegji po e aplikon edhe sot Edi Rama ndaj është plot ”sukses” kurse Shqipëria dhe shqiptarët akoma në vitin 1913-të.
4) Në vitin 1990 shqiptarët menduan se e mundën lançimin publik. Dhe i dhanë udhë shtetit të së drejtave të njeriut, ligjit, Kushtetutës etj. Kishin kaluar plot 45 vjet luftë klasash aq sa një Zot e di se sa kohë rekuperimi do të duhej për të tharë një plagë të tillë. Ndaj mendje mbushur nuk bën asnjë gjykim për të nxjerrë fajtorët. Nuk hapën asnjë dosje në lidhje makinerinë e Sigurimit të Shtetit. Iu futën rrugës së gjoja pluralizmit kur ndërkohë pjesa më vitale merrte malet drejt Greqisë. Dhe detin drejt Perëndimit. Përpos kësaj mbetën në kufirin e lançimit publik, aq sa kjo vazhdon edhe sot. Madje të militosh në një forcë politike është kulturë e tillë që, jo për ide në shërbim të vendit, por si e si të vësh poshtë atë që ke përballë. Dhe si e si të vësh sa më shumë pasuri. Pastaj të bësh ligje vetëm për të dërrmuar kundërshtarin dhe këto ligje kurrë të mos prekin aurorën tënde prej pashai oriental. Kësisoj nga kjo kulturë perverse janë sot edhe brezat pasues sa me plot gojën mund të thuash që i keni me shumicë, si ata që shani, deri në drejtoritë e shkollave apo zyrat të tjera të shtetit. Dhe këtë e pohoni me mburrje. Ndaj nuk e keni problem që për inat të Saliut të digjni, jo një kulakë, këtë e bëni me qejf biles, por edhe Shqipërinë.