Albspirit

Media/News/Publishing

Lija e majmunit rrezikon seriozisht konspiracionistët

E ndërsa shumë vende janë përfshirë në një tjetër alarm shëndetësor për shkak të shpërthimeve të lisë së majmunit, autoritetet mjekësore tek ne vlerësojnë se risku i përhapjes së kësaj sëmundjeje aktualisht është i ulët. Por pavarësisht kësaj, edhe Shqipëria ka nisur të marrë masat paraprake në përgjigje të situatës nëse do të ketë raportim të rasteve të lisë së majmunit.

Për këtë gjatë ditës së djeshme është mbledhur Komiteti Kombëtar Teknik- Këshillues i Imunizimit në Institutin e Shëndetit Publik, ku dhe janë diskutuar hapat që do të ndërmarrë Shqipëria nëse do të zbulohen raste të kësaj sëmundjeje. Deri më tani nuk ka ende asnjë rast të identifikuar zyrtarisht, edhe pse shumë mostra të dyshuara janë dërguar në laboratorët e referencës jashtë vendit për analiza. Pas diskutimeve të zhvilluara në nivel ekspertësh të fushës, Komiteti ka vendosur që nëse do të raportohen raste të kësaj sëmundjeje krahas izolimit do të aplikohet edhe vaksina e lisë. Këtë vaksinë do të duhet ta kryejnë të jo vetëm të infektuarit, por edhe të gjithë personat që kanë pasur kontakte të afërta me të.

“Komiteti i Ekspertëve të Vaksinimit ka marrë vendim, në trajtën e një rekomandimi, për të mundësuar që përsa i përket kontakteve të afërta të rasteve, të cilat mund të diagnostikohen me linë e majmunit, të mundet të përdoret vaksina e lisë. Një vaksinë, e cila ka një efikasitet, sikurse edhe studimet tregojnë, rreth 85 për qind përsa i përket mbrojtjes nga lia e majmunëve. Vlerësohet nga ekspertët tanë që do të jetë një sasi, e cila për këtë fazë do t’i dedikohet kontakteve shumë të afërta, apo edhe personelit mjekësor, që mund të jenë në përballje këtë sëmundje”, ka deklaruar gjatë mbledhjes së Komitetit, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirli.

Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, prof. Silva Bino, nënvizoi se sëmundja e lisë së majmunit ka një risk të ulët për popullatën e përgjithshme dhe vaksinimi ka efikasitet për grupet në risk. Ndërkohë që sipas saj mbeten shumë të rëndësishme edhe zbatimi i masave të izolimit dhe reduktimit të kontakteve me personat e infektuar.

“Për çështjen e lisë së majmunit, Komiteti Ekspertëve për vaksinimin është mbledhur, ka shqyrtuar situatën aktuale në botë, riskun për popullatën, normalisht risku për popullatën e përgjithshme është i ulët, jo vetëm tek ne po në gjithë vendet e Bashkimit Europian. Përveç masave të tjera si izolimi dhe masave të tjera për një sëmundje të transmetohet nëpërmjet kontaktit apo spërklave të mëdha, Komiteti ka vendosur masën e përdorimit të vaksinës. Lija e majmunit nuk ka një vaksinë specifike, por mendohet që vaksina, e cila është përdorur për variolën apo lijën e zezë siç edhe njihet në popullatë, është një vaksinë e cila ka 85 për qind efikasitet në parandalimin e sëmundjes, ose në parandalimin e formave të rënda të sëmundjes. Për këtë arsye u diskutua që për grupet në risk të kemi mundësi vaksinimin”, theksoi Bino.

Deri më tani mostrat e rasteve të dyshuara për këtë sëmundje janë dërguar për analiza jashtë vendit, ndërkohë që strukturat në vend po bëjnë edhe përgatitjet për diagnostikimin e lisë së majmunit në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik. “Ne jemi duke u përgatitur me Institutin e Shëndetit Publik që, nëpërmjet metodës PCR, të mund të kemi edhe në Shqipëri pikërisht mostrat primer, të cilat mund të evidentojnë edhe në vendin tonë, në këtë laborator të ISHP-së, diagnostikimin e lisë së majmunit. Aktualisht ne jemi duke bashkëpunuar me laboratorët e referencës në Londër dhe në Hollandë, për të patur mundësinë që mostrat të cilat mund të jenë të dyshuara, të mundet të referohen menjëherë, ashtu sikurse bëjmë edhe me rastet e ndryshme të varianteve të Covid-19”, shtoi më tej ministrja Manastirliu.

Edhe pse Shqipëria raportohet si një vend me risk të ulët sa i përket lisë së majmunit, ministrja Manastirliu theksoi se ka një survejancë të shtuar aktive. “Ashtu siç ekspertët referojnë, jemi një vend që ka një risk të ulët. Por ne, ashtu sikurse kemi vendosur në dispozicion për të gjithë sëmundjet infektive, survejancën aktive në të gjithë vendin, edhe për sa i përket lisë së majmunit ne kemi vendosur një survejancë të shtuar aktive, përsa i përket gjithë rrjetit sentinel. Janë kryer të gjithë trajnimet e nevojshme në personelin mjekësor në kujdesin parësor, në Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, për të mundësuar evidentimin në kohë të rasteve, të cilat më pas, nëpërmjet laboratorëve të referencës, vlerësohen dhe shihen nëse do të ketë raste me linë e majmunit” vuri në dukje Manastirliu. Komiteti Kombëtar Teknik -Këshillues i Imunizimit përbëhet nga ekspertë të fushës, drejtohet nga prof. Eduard Kakarriqi, me përbërje anëtarë prof. Gjeorgina Kuli-Lito, prof. Najada Çomo, prof. Genc Sulcebe, prof. Aida Bushati.

Simptomat si shfaqet sëmundja

Lidhur me shfaqjen e kësaj sëmundjeje, autoritetet e shëndetit tregojnë se virusi ka një periudhë inkubimi prej 14 ditësh. Simptomat e para që shfaq një person i infektuar më linë e majmunit ngjajnë me ato të një gripi të zakonshëm, si temperaturë, të dridhura, lodhje, dhimbje e kokës dhe e muskujve, fryrje të nyejve limfatike, të cilat ndihmojnë trupin të luftojë virusin dhe sëmundjen. Me kalimin e ditëve, i infektuar përjeton daljen e njollave të ashpra në fytyrë, trup dhe brenda gojës. Puçrrat janë të mbushura me lëng dhe shpesh të kuqe. Ato zhduken pas një periudhë prej dy ose tre javësh. Për përhapjen e këtij virusi shërben kontakti i afërt me një person të infektuar. Në këto kushte, transmetimi mes njerëzve ndodh kryesisht përmes spërklave respiratore, por duke qenë se ato qëndrojnë në ajër vetëm për disa centimetra, kontakti i afërt duhet edhe të zgjasë disa minuta.

Please follow and like us: