Ta mbrojmë Dibrën siç mbrojtëm Radikën
Halil RAMA – Mjeshtër i Madh
Në takimin që Ministri për Diasporën në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Xhemail Çupi, zhvilloi të hënën më 30 maj 2022, me Shoqatën Bashkësia Dibrane, pjesë e komunitetit dibran tradicional të Tiranës, veç të tjerash u ngrit shqetësimi për dëmin e madh që i sjell Dibrës realizimi i projektit të Skavicës. Prof. Dr.Adem Bunguri, një ndër arkeologët më në zë të vendit, argumentoi bindshëm se Skavica përbën një kërcënim real për banorët e pellgut të Drinit, duke përmbytur thuajse gjithë luginën (ose “Myzeqenë e Dibrës” siç krahasohet kjo luginë për nga pjelloria e saj), nga Reçi, Zalldardha, Fushë Alie, Muhurri, Katundi i Ri e deri në Gjoricë.
“Për pasojat e rënda që do të ketë për Dibrën, ndërtimi i HC të Skavicës, ky problem nuk mund dhe nuk duhet të kalohet në heshtje. Për hirë të së vërtetës, një projekt për ndërtimin e një HC mbi Skavicë, ka qenë hartuar edhe në kohën e komunizmit, përkatësisht në vitet 1983-1984. Sipas ekspertëve të hidrologjisë së asaj periudhe, qeveria Çarçani u tërhoq nga ndërtimi i këtij HC, përballë kostës së madhe të humbjes së tokave më të mira dhe më pjellore të këtij rajoni. Se Dibra është konsideruar gjithnjë si Myzeqeja e Shqipërisë Lindore!
Kjo çështje qe rihapur në shkurt 2010 nga qeveria Berisha, dhe shihej në atë kohë si zgjidhje e problemit të përmbytjeve në zonën Shkodër-Lezhë, edhe pse më vonë u gjetën zgjidhje të tjera shumë më racionale. Banorët e Dibrës e kundërshtuan këtë projekt, kundërshti që e kanë shprehur prej kohësh në shtypin periodik disa nga përfaqësuesit e spikatur të publicistikës dibrane si A. Hoxha, B. Karoshi, A. Ashiku, V. Hoxha, M. Koltraka, Sh. Skara etj. Për fat të mirë, qeveria demokratike e asaj periudhe u tërhoq nga kjo ndërmarrje me pasoja të padëshirueshme për Dibrën”, theksoi prof. Bunguri. Ky reagim i një prej zërave më elitarë të Dibrës në metropolin shqiptar vjen pasi Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) nënshkroi në muajin korrik të vitit të kaluar kontratën me kompaninë amerikane “Bechtel” për të filluar punimet e para për ndërtimin e hidrocentralit të Skavica në lumen Drin, me kapacitet 210 megavat. Kjo marrëveshje dhe insisitimi qeveritar për t’i shkuar deri në fund asgjësimit të luginës së Drinit, ka shkaktuar reagimin e ashpër të shoqatave dibrane në Dibër dhe në Tiranë e diasporë. Gjithsesi, ministri shqiptar për diasporën në Qeverinë e RMV, duke konfirmuar mbështetjen ndaj reaguesve kundër këtij projekti, i konsideron jo në nivelin e duhur protestat e zhvilluara deri kohët e fundit. Sipas tij është koha që të reagohet me forcë, ashtu siç reaguan dibranët e dy Dibrave para tetë viteve kundër projektit të qeverisë së athershme maqedonase për devijimin e lumit Radika.
Para tetë vitesh, ashtu si edhe pjesa më elitare e shoqërisë shqiptare, Z.Çupi tha se iu bashkua protestës së banorëve të dy Dibrave dhe të shoqatave mjedisore kundër devijimit të Radikës në lumin Vardar. Madje edhe për këtë fakt ai u ndje u ngazëllyer kur Sekretari i Shoqatës “Bashkësia Dibrane”, Dr.Saimir Shatku – Mjeshtër i Madh i dhuroi veprën e tij “Dibra e Madhe dhe Radika”, me bashkautorët: Tofik Jegeni e Molnar Kolaneci. Mirënjohje shprehu Z.Çupi edhe për librat “Burri i odës dibrane”, “Historia e Dibrës dhe “Magjia e fjalës” që i dhuruan autorët dibranë Prof.Dr.Bujar Kapexhiu – Nderi i Kombit”, Prof.dr.Bajram Xhafa dhe Halil Rama – Mjeshtër i Madh.
Gjithsesi në këtë takim ku ministri shqiptar për diasporën në Qeverinë e RMV, Z.Çupi prezantoi disa projekte të qeverisë së tij, në ndihmë të komunitetit dibran të Tiranës, lidhur me trashëgiminë kulturore, historinë, botimet, promovimin e librave me karakter historik, kulturor etj, vëmendja u spostua tek domosdoshmëria e një reagimi më të ashpër kundër projektit për ndërtimin e HC të Skavicës që i sjell dëme të konsiderueshme Dibrës. Nëse gjatë gjithë vitit 2014, personalitete të elitës intelektuale shqiptare, iniciuan dhe drejtuan protesta masive në Tiranë, në Dibër të Madhe, por edhe në Peshkopi, për të mos pranuar projektin e qeverisë maqedonase për të ndryshuar rrjedhën e lumit Radika, pasi kjo ndërhyrje do të ishte me pasoja katastrofike për ekosistemin dhe burimet ujore të zonës, në këtë takim u evidentua domosdoshmëria që po me atë forcë e shpirt proteste të veprohet edhe për
mbrojtjen e Dibrës. Nëse i referohemi studimit të Dr. Adriatik Balla, gjeograf studjues dhe gazetar i njohur, lartësia e madhe e digës së HC të Skavicës prej më shumë se 400 metrash, përveç përmbytjes së 35 fshatrave do të izolojë po ashtu mbi 100 fshatra të tjerë të Dibrës. Kjo digë kaq e lartë do të ndajë luginën e Drinit të Zi në dy pjesë; në lindje dhe në perëndim, duke vështirësuar lidhjen mes tyre. “Ose do të bësh shumë ura, një investim katastrofik, shumë i madh ose do të ndërtosh tragete të vegjël, pra humbje kohe, shpenzime, ndërtime në infrastrukturë, krijohet ajo që quhet denatyralizim i Drinit të Zi”, – thotë Balla. Ai shpjegon se ky projekt do të ndryshojë strukturën e përdorimit të tokës, duke nxjerrë jashtë loje me qindra hektarë pyje shumë të vlefshëm. Pikërisht, për këto dëme kolosale, banorët e Dibrës dhe disa përfaqësues të Shoqatës për mbrojtjen e Luginës së Drinit të Zi, kanë protestuar në vijimësi kundër projektit të qeverisë për ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës. Ata gjithashtu, kanë kërkuar dhe kërkojnë transparencë për këtë, ndërsa nuk pranojnë ndërtimin e basenit, që sipas tyre përmbyt gjithë fushën e Dibrës.
Asgjësimi përfundimtar i pjesës më pjellore të tokës së Dibrës, do t’i hiqte asaj bazën e nevojshme ekonomike që e ka mbajtur popullsinë dibrane aty prej më shumë se 8000 vjetësh. Fusha e Dibrës historikisht ka qenë hambar për Malet e Dibrës, dhe të dy këto njësi të saj kanë qenë përherë në mardhënje komplementësie ekonomike njera me tjetrën. Zëri të tyre iu bashkua të hënën gjatë takimit me Shoqatën Bashkësia Dibrane, pjesë e komunitetit dibran tradicional të Tiranës, edhe Ministri për Diasporën në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Xhemail Çupi, i cili kërkoi që reagimi të jetë njësoj si ai i para tetë viteve kundër projektit të devijimit të lumit Radika. Në këtë takim, kreu i Shoqatës “Bashkësia Dibrane”, prof.Bujar Kapexhiu – Nderi i Kombit dhe Sekretari i Përgjithshëm i saj, Dr.Saimir Shatku – Mjeshtër i Madh, pasi prezantuan arritjet mbresëlënëse të komunitetit dibran përgjatë një shekulli shprehën angazhimin për realizimin e disa projekteve në dobi të këtij komuniteti si dhe mbështetjen për protestat kundër projektit të HC të Skavicës.