Vargje poetike nga Emine S. HOTI
Peizazh
Jam këtu në kopsht me mbesën dhe me nipat,
Si lule me shumë ngjyra ata natyrën zbukurojnë,
Kur andej – këndej luajnë, qeshin dhe gëzojnë,
Ylberi pikturon qiellin, bilbilat nisin e këndojnë.
Atje
Kudo që të jem sigurisht do të jetoj,
Fëmijërinë, si kohën më të bukur kujtoj,
Fëmijërinë time në Çikatovë nuk e harroj,
Atje nëna ime ninulla të ëmbla më këndoi.
Atje mësova të ecë,t`shkruaj gjuhën shqipe,
Atje mësova fjalët nënë, baba, atdhe,flamur,
Atje mësova legjendat më t`bukura shqiptare,
Atje mësova që dëshmorët s`vdesin kurrë!
Jam vazhdimi juaj
Nisën buzëqeshjet e mia,
Me ledhatimet e prindërve,
Me cicërimat e zogjve,
Me tingujt e çiftelive.
Gjyshja qeshte dhe thoshte:
“Je bebja më e shtrenjtë n`botë,
Edhe kur qaje, edhe kur qeshje.
Të gjithë ne të donim fort!”
Gjyshër, prindër ju kam pasur pranë,
M`edukuat t`bëhesha zonjë e vërtetë,
Donit të rritesha e ditur dhe e lumtur,
Jam vazhdimi juaj,nuk ju harroj përjetë!
Flamuri
Shikoj sot fëmijët dhe brezin e ri,
Rriten në dhe` t`huaj me dy gjuhësi,
Gjuhën e nënës brenda në shtëpi,
Gjuhën e mërgimit në vendin e ri.
Kur ata shohin flamurin me shqiponjë,
Provojnë ta vizatojnë atë flamur kuqezi,
Me duart e vogla dhe me sy e ledhatojnë,
Se është flamuri i Nënës Shqipëri.
Te flamuri kuqezi ata përfytyrojnë mëmëdheun,
Përfytyrojnë historinë e kombit tonë shqiptar,
Përfytyrojnë heronjtë,Nënë Terezën,Skënderbeun,
I përmendin ata me nderim dhe ndihen krenarë.
Fotografia dhe qeni Balto
Fotografinë e bukur që bëmë,
Miqve me qejf po ua tregojmë,
Ata na dëgjojnë me vëmendje,
Me kureshtje foton shikojnë.
Thërresim edhe qenin pranë:
-Balto,pa shikoje këtë fotografi,
Këtu je ti edhe e gjithë familja,
Ti na falë miqësi dhe besnikëri.
Qeni na sheh me sytë plot dritë,
Sheh fotografinë dhe leh i gëzuar,
Do që t`a shoh foton pareshtur,
Edhe për Balton ajo është e çmuar…
Gjithmonë
Fëmijët,nipër e mbesa janë jeta,
Ata janë mes nesh, je edhe ti,
Ata janë e sotmja, e ardhmja,
Janë shpirti dhe zemra në liri.
Sa kohë zemra ime të punojë,
Sa kohë truri im të mendojë,
Do t`i dua më shumë se veten,
Sot e gjithmonë, sa kohë të jetojë…
Mos u pengoni ëndrrat
Mos i pengoni vajzat dhe djemtë tuaj,
Të ndjekin udhën,të dëgjojnë zemrat,
Që bota të lulëzojë në shpirtin e tyre,
U jepni guxim të ndjekin ëndrrat!
Të lirë
Nëse fëmijët tuaj s`ndihen të lumtur,
Edhe ju prindër s`ka sesi të ndiheni mirë,
Mendimet e mykura mos i ktheni n`“pranga”,
Mos pengoni fëmijët tuaj të jenë të lirë!
Fëmijët luajnë
Ylberi buzëqesh atje sipër,
Qielli stoliset me ngjyra,
Fëmijët luajnë si zogjtë,
Më shumë zbukurohet natyra.
Fëmijët vrapojnë, zhyten në det,
Luajnë si pulëbardhat mbi dallgë,
Ngrenë balona bishtkaltëra në qiell,
I dërgojnë në hapësirën e paanë.
Kanë qejf lojën me top:
Hidhe shpejt, ja, tek unë!
E hodha, prite, mos e lësho!
Eh! Ti ke një pikë më shumë!
Nesër do të luajmë përsëri,
Të dalë i pari ai që meriton,
Tani vrap, po presin n`shtëpi,
Gjyshja po thërret,ja e dëgjon:
Hajdeni brenda, o fëmijë,
Gjella e ngrohtë po ju pret,
Të bëheni të shkathët, të mençur,
Të rriteni plot bukuri e shëndet…!