Albspirit

Media/News/Publishing

Festë mbarëkombëtare në Frashër të Përmetit

Festë mbarëkombëtare në Frashër të Përmetit, në 176-vjetorine ditëlindjes së Poetit Kombëtar Naim Frashëri

Nga Kujtim Mateli
Përmetarët, njërën nga festat e tyre më të dashura, kanë 25 majin, ditën kur ka lindur Poeti ynë Kombëtar Naim Frashëri. Ata e kanë Naimin poet dhe shenjtor ashtu siç e ka e gjithë Shqipëria, sepse Naimi e kapërceu kohën e vet dhe vjen deri në ditët e sotme si krijues i niveleve të larta artistike, si mendimtar dhe atdhetar i palodhur për Shqpërinë. Përmeti ia feston ditëlindjen bashkë me atë të dy vëllezërve të tij: Abdylit dhe Saimiut. Të tre këta vëllezër, që u ngjitën në pikën më kulmore të mendimit të kohës që jetuan, formojnë një vargmal nga më të bukurit dhe madhështorët duke qëndruar përballë vargmalit natyror të Përmetit: Trebeshinë-Dhëmbel-Nemërçkë. Përmeti gëzon dhe feston, ndihet krenar se i ka dhënë kombit dritën e diturisë që përcollën këta tre dijetarë dhe, që bashkë me dijetarët e tjerë të asaj kohe, krijuan një epokë madhështore që do të mbetet në historinë shqiptare si epoka e Rilindjes sonë Kombëtare.

Nga tri epoka që njeh historia e shqiptarëve, dy i përkasin mijëvjeçarit të dytë të erës sonë: epoka e Skënderbeut dhe ajo e Rilindjes Kombëtare ku në epiqendër të kësaj epoke janë Vëllezërit Frashëri: Abdyli-Naimi-Samiu. Epoka e Rilindjes sonë Kombëtare bëri shkëputjen e madhe duke i nxjerrë shqiptarët nga errësira otomane drejt dritës dhe lirisë dhe që shenjoi dy objektiva të rëndësishme: Shpalljen e Pavarësisë dhe futjen e Shqipërisë në rrjedhat e qytetërimit evropian. Fatmirësisht, objektivi i parë: Shpallja e Pavarësisë u realizua shpejt, me ngritjen e Flamurit në Vlorë nga Ismail Qemali, por fqinjët e Shqipërisë në bashkëpunim me Evropën politike i copëtuan trojet shqiptare, çka bëri që shqiptari të ishte mosbesues ndaj vetë vendeve evropiane. Objektivi i dytë: që qytetërimi evropian të bëhej dhe qytetërim për trojet shqiptare, vazhdoi në një proces të gjatë, por përmes vështirësish të shumta u arrit që në ditët e sotme të jemi shumë afër këtij objektivi të Rilindjes Kombëtare.

Jo rastësisht qeverisja e vitit 2013 u emërtua “Rilindje” për të shenjuar vazhdimësinë e Rilindjes sonë Kombëtare, e cila i orientonte shqiptarët ta ndërtonin shtetin dhe shoqërinë në modelin evropian. Periudha e Rilindjes sonë Kombëtare përfundon me futjen zyrtarisht të Shqipërisë në bashkësinë evropiane apo BE. Kjo tashmë duket një realitet. Ajo që kërkohet nga ne shqiptarët është që brenda kësaj bashkësie evropiane, ne të shënojmë një Epokë të re Historike me historinë tonë disa mijëravjeçare dhe jo të mbetemi vetëm numër brenda saj. Shpresoj se brezat që vijnë do ta realizojnë këtë objektiv.

Ka arsye që Përmeti, më shumë se çdo trevë tjetër shqiptare, ta mbajë të ndezur zjarrin e Rilindjes sonë kombëtare, të krenohet me madhështinë e asaj epoke të ndritur. Organizatori i kësaj veprimtarie është kryetari iShoqatës Atdhetare Kulturore Mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri”, z. Tomor Kotori. Fillesat kjo veprimtari i ka patur 20 vjet mëpare, kur z. Tomor Kotori ishte kryetar i Komunës Frashër. Çdo vit, ditëlindja e Naimit festohet atje në Frashër, mes frashërllinjve trima e duarartë, qënë këtë ditë gjenden aty për të nderuar Vëllezërit Frashëri dhe mysafirët që kanë ardhur nga larg.

Sivjet kjo festë mblodhi në Përmet dashamirësit e Shoqatës Atdhetare Kulturore Mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri”nga të gjitha trevat shqiptare, nga Kosova e Maqedonia e Veriut.

Në mbrëmjen e 24 majit u shtrua një darkë për mysafirët ku dhe u mbajt konferenca shkencore me temë: “Rilindja Kombëtare dhe kontributi i Vëllezërve Frashëri”.

Fjalën e hapjes e bëri z. Tomor Kotori i cili i falënderoi të pranishmit dhe kontributin e tyre ku midis të tjerash tha:

“Është nder dhe kënaqësi e veçantë për mua që në cilësinë e Kryetarit të Shoqatës Atdhetare Kulturore Mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri” t’ju falënderoj dhe t’ju uroj mirëseardhjen në këtë 176-vjetor të poetit tonë kombëtar Naim Frashëri. Pa dyshim që veprimtari dhe konferenca të tilla mbartin vlera të mëdha kulturore dhe shkencore. Ato pasurojnë kulturën e shoqërisë dhe i njohin drejt për drejt brezat e ardhshëm me historinë e ndritur të kombit tonë. Gjatë gjithë historisë së kulturës shqiptare, ne jemi dëshmitarë të lindjes së personaliteteve dhe intelektualëve  të shquar, të cilët kanë shërbyer si orientues  për brezat e mëvonshëm  dhe janë bërë shembulli  krenarisë  kombëtare. Të tillë janë vëllezërit Frasheri: Abdyli, Naimi dhe Samiu”.

Në vijim përshëndeti Kryegjyshi Botëror Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili vlerësoi lart kontributin e Naimit në ringritjen e bektashizmit duke i dhënë vlera qëe bënë fe të dashur për shqiptarët.

Pastaj përshëndeti znj. Alma Hoxha, kryetare e Bashkisë Përmet, e cila falënderoi pjesëmarrësit në këtë veprimtari duke vënë në dukje kontributet dhe vlerat që krijuan Vëllezërit Frashëri. Kryetarit të komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi, iu dha titulli “Qytetar Nderi i Përmetit” nga kryetarja e bashkisësë Përmetit znj. Alma Hoxha. Në vijim z. Smajl Latifi falënderoi të pranishmit dhe Bashkinë e Përmetit për titullin e dhënë duke u përcjellë të pranishmve dhe banorëve të qytetit të Përmetittë fala vëllazërore prej banorëve të Komunës së Rahovecit.

Në këtë mbrëmje u mbajtën kumtesat që u kushtoheshin Vëllezërvë Frashëri dhe kontributit të çmuar tyre:

1-Akademik Marenglen Verli: “Vëllezërit Frashëri dhe Rilindja kombëtare”.

2-Akademik Beqir Meta: “Diplomat dhe çështja Çame”.

3-Shkrimtari Lumo Kolleshi: “Personalitetet e kulturës shqiptare për Vëllezëri Frashëri”.

4- Historiani Kastriot Bezati: “Vëllezëri Frashëri pishtarë dhe shenjtorë të mëdhenj”.

5- Studiuesi i bektashizmit Nuri Çuni: “Kontributi i klerikëve bektashinj në periudhën e Rilindjes Kombëtare”. Në fund konkluzionet e Konferencës shkencore i bëri akademik Marenglen Verli, i cili vlerësoi kontributin e autorëve për prurjet e reja shkencore që sollën me kumtesat e tyre.

Në mëngjes herët, të datës 25 maj, mysafirët dhe përmetarët e shumtë i ngjiten të përpjetës së Bredhit të Hotovës, një nga vendet mëpiktoresketë trojeve shqiptare. Kësaj bukurie të pashoqe i bën kontrast rruga, jo vetëm e paasfaltuar, por edhe e pamirëmbajtur. U deshën dy orë e gjysmë për ta bërë këtë rrugë: nga rruga nacionale (Piskovë) deri në Frashër qëështë vetëm 30 km. Edhe në kohën, kur kjo bëhej me kuaj, një kalorës po në këtë njësi kohe e përshkonte këtë rrugë. Pra, krahina e Frashërit, ka mbetur në të njëjtat nivele si shekuj më parë. Frashëri, për kontributin që dhanë Vëllezërit Frashëri, konsiderohet kryeqendra e Rilindjes Kombëtare, shumë të tjerë e  konsiderojnë si Meka e Shqiptarëve. Asfalt për 30 km rrugë nuk është se ka ndonjë kosto për shtetin shqiptar. Kjo vjen se nuk është braktisur Frashëri vetëm si njësi gjeografike, por është braktisur historia e tij dhe Rilindja Kombëtare. Megjithatë vargu i makinave që shkonin në Frashër ishte i gjatë dhe njerëzit nuk e ndjenin lodhjen që shkaktohej nga rruga e pashtruar.

Mbritëm në Frashër aty nga ora dhjetë e paradites. Sheshi para Shtëpisë Muze ishte stolisur si për ditë feste. Z. Tomor Kotori përshëndeti të sapoardhurit dhe banorët e trevës së Frashërit që formonin më parë Komunën Frashër. Midis të tjerash ai tha:
“Naimi na ka mbledhur e do të na mbledhë vazhdimisht, duke na frymëzuar e duke na  ushqyer me shqiptarizëm, me  mirësi e përparim, duke na uruar e bekuar  për përparimin e shkëlqimin e kombit tonë. Për të gjithë ne, vëllezërit Frashëri kanë qenë e do të mbeten simbol i dashurisë e krenarisë kombëtare, por në mënyrë të veçantë Naimi krijon në vetëdijen tonë portretin e një poeti mendimtar, një nga mendjet më të ndritura dhe talentet më të fuqishme të gjithë kulturës shqiptare. Në fjalën dhe veprën e tij, poezia shqipe gjeti shkëlqimin e saj, gjuha shqipe bukurinë e saj, atdhedashuria shqiptare lulëzimin e saj. Ai i këndoi aq bukur Shqipërisë, ëndërroi aq fuqishëm për lirinë dhe të ardhmen e saj, sa që emri dhe vepra e tij u lidhen ngushtë me fatet e Shqipërisë, të cilit populli i dha si mbiemër emrin e Shqipërisë dhe e quan Naim Shqipëria”.

Menjëherë, pas fjalës së z. Tomor Kotori, gjitet në skenë grupi muzikor i qytetit të Përmetit. Vargjet e Naimit, të kthyera në këngë, e ndezën më tepër atmosferën. Ndihesh krenarë për Frashërin, vendlindjen e Rilindjes Kombëtare, ndihesh krenarë për këta instrumentistë dhe këngëtarë që s`pushojnë së krijuari dhe së kënduari. Këngëtarë dhe dëgjues ndihen krenarë që aty në Frashër, i ngrejnë çdo vit, në ditëlindjen e Naimit, një monument përjetësie, veprës së tyre të përjetshme, një monument i ndërtuar me këngë e valle, me recitime e duartrokitje, me sy që shkëlqejnë e zemra që rrahin fort për atë epokë të përjetësuar me emrin Rilindje.

Me duartrokitje pritet edhe moderatorja e këtij manifestimi, Kozeta Jashari Thanasi, kur ngjitet në skenë. Ajo nuk ka mbaruar ndonjë shkollë aktrimi, por përvoja e saj mbi 20-vjeçare, në prezantimin e të gjitha veprimtarive që zhvillohen në Përmet, e ka bërë atë një aktore të vërtetë. Manifestimi letrar hapet me vargje nga poezitë e Naimit. E interpretuar me dashuri dhe ngrohtësi, me zërin e ëmbël plot ngjyra si lëndinat luleshumë të Frashërit, melodioz si  ujëvarat që bien nga lartësitë, aktorja përmetare Kozeta Jashari Thanasi e ndezi fort atmosferën.

Ngjiten në skenë të tjerë grupe folklorike të shoqëruar nga instrumentat muzikorë. Morën pjesë nxënësit e disa shkollave me këngë, valle e recitime, deri nga shkollat e Komunës së Rahovecit nga Kosova,që u dalluan me këngët dhe recitimet e tyre, të cilët u pritën me duartrokitje. Më pas poetët e ardhur nga të gjitha trevat shqiptare: nga Kumanova dhe Tetova, nga Gjakova dhe shumë qytete të Kosovës, për gati dy orë,i dhanë Frashërit jetë dhe gjallëri. Gjatë këtij manifestimi, akademikëve të ardhur nga Tirana z. Beqir Meta dhe Marenglen Verli iu dha titulli: “Anëtar Nderi i Shoqatës Atdhetare Kulturore Mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri”. Po me këtë titull u nderua dhe shkrimtari dhe studiuesi përmetar Kujtim Mateli.

Në fund ky manifestim u mbyll nga Kryetarja e Bashkisë së Përmetit znj. Alma Hoxha dhe kryetari i Shoqatës Atdhetare Kulturore Mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri”, z. Tomor Kotori. Në fjalën e saj, kryetarja e Bashkisë Përmet falënderoi pjesëmarrësit dhe në veçanti miqtë e adhur nga Kosova dhe Maqedonia si dhe emigratët që kishin bërë deri nëmijëra kilometra për të qenë të pranishëm në këtë veprimtari mbarëkombëtare.

Një falënderim të veçantë z. Tomor Kotori pati për ata që e mbështetën këtë veprimtari: Bashkinë Përmet, Ministrinë e Kulturës, Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, Këshillin e Qarkut Gjirokastër, Komunën Rahovec, si dhe shoqatën “Zëri Dardan” në Rahovec të Kosovës. U uroi mirëseardhjen për vitin që vjen dhe u premtoi që kërkesën e tyre për asfaltimin e rrugës dhe rregullimin e qendrës së Frashërit, do t`ua përcillte institucioneve të qeverisjes qendrore që edhe Frashëri të priste vizitorë në çdo ditë të vitit. Me bukurinë natyrore që ka Frashëri, me figurat e shquara që ka nxjerrë, mbetet tërheqës jo vetëm për turistët, por për gjithë shqiptarët që gjejnë te Rilindja Kombëtare forcën për bashkim dhe dritën për të ecur në udhën e duhur.

Pas ceremonisë festive, të pranishmit shkuan të vizitojnë Shtëpinë Muze të Vëllezërve Frashëri. Aty na pret historian Kastriot Bezati, i cili ka punuar si ciceron për Muzeun e qytetit të Përmetit dhe atë të Frashërit. Një jetë të tërë i përkushtuar ndaj historisë së trevës së Përmetit; edhe tani që ka disa vite që ka dalë në pension, ai pret çdo vit vizitorët atje në Frashër, me dashuri dhe përkushtim si në vitet e rinisë, kur filloi punë. Njohës i mirë i veprës së Vëllezërve Frashëri dhe i historisë së rrethit të Përmetit, u përcjell të pranishme atdhedashurinë e të parëve tanë që jetën e dhanë për lirinë e trojeve shqiptare, që nuk kursyen asgjë dhe që pasurinë e tyre e shitën për Çështjen Shqiptare, e përjetësuar nga populli në vargjet: “Abdyl shite pasurinë/një barrë flori” me të cilën luftoi për lirinë dhe Pavarësinë e trojeve shqiptare edhe në kancelaritë evropiane.

Vizitën e dytë të pranishmit e bënë në Teqenë e Frashërit. Në këtë Teqe, Vëllezërit Frashëri mësuan turqishten osmanearabishten dhe persishten. Ishte Babai i kësaj Teqeje, Baba Alushi, që iu bë mbështetje familjes së Vëllezërve Frashëri pas vdekjes së babait të tyre Halit bej Frashërit, duke i orientuar të studionin në gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Kjo teqe është drejtuar nga baballarë me emër, të njohur nëgjithë rrethin e Përmetit dhe më gjerë. Kjo traditë vazhdon edhe sot me Baba Hekuranin, që përveç kësaj teqeje, drejton edhe Teqenë e Përmetit dhe të Alipostivanit. Askush nuk u veçua nga të pranishmit në Frashër, edhe pse ndonjëri nuk ishte i besimit bektashi. Ngrohtësia e fjalës së Baba Hekuranit i bëri të pranishmit të ndjehen si në shtëpinë e tyre, si në shtëpinë e Zotit nga ku buron drita hyjnore. Largohemi nga Frashëri me besimin për t`u kthyer sa më shpejt, për t`i provuar përsëri bukuritë natyrore dhe bekimin hyjnor që jep për adhuruesit e saj Teqeja e Frashërit.

 

Please follow and like us: