Poetja Irma Kurti boton në Itali librin e 25-të në gjuhën shqipe
Titullohet “Ti je loti im” dhe mban logon e Shtëpisë Botuese Youcanprint
Poetja Irma Kurti boton në Itali librin e 25-të në gjuhën shqipe me titull “Ti je loti im”. Përmbledhja poetike mban logon e Shtëpisë Botuese Youcanprint.
“Ti je loti im”, siç thuhet në parathënien e shkruar nga autorja, përmban shtatëdhjetë poezi të pabotuara më parë. Në të gjen vargje kushtuar dashurisë, ndjesive dhe emocioneve të autores në muajt e vështirë të sëmundjes së babait të saj deri në ditën e fundit të jetës, deshpërimit për ikjen pa kthim të tij, brishtësisë gjatë asaj periudhe të vështirë dhe përpjekjeve për të qëndruar pozitive e për të gjetur rrezet e diellit në mjegull. Ka dhimbje, zhgënjim dhe qiell gri, por edhe dëshirë për të takuar dritën, qetësinë shpirtërore e lumturinë.
Irma Kurti lidhur me këtë thotë: “Ky libër është i rëndësishëm për mua sepse shënon numrin 25 të veprave në gjuhën shqipe; një objektiv i rëndësishëm dhe tregues i rrugëtimit tim të gjatë letrar. Megjithë kalimin e vitevedhe të jetuarit në Itali, gjuha shqipe mbetet fillesa e çdo projekti letrar: të gjitha veprat e mia, edhe ato në italisht dhe anglisht janë përkthime nga gjuha shqipe”.
Irma Kurti ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Në vitin 1980 u nderua me çmimin e parë në konkursin kombëtar me rastin e 35-vjetorit të revistës “Pionieri”, ndërsa në 1989 fitoi çmimin e dytë në konkursin e organizuar nga Radio-Tirana, me rastin e 45-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë.
Për poezinë dhe prozën i janë akorduar 70 çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali e Zvicër, shumë prej të cilave kanë qenë çmime të para. Ka shkruar rreth 150 tekste këngësh dhe është pjesëmarrëse në festivale të muzikës së lehtë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.
Ka botuar shtatëmbëdhjetë vepra në italisht dhe gjashtë në anglisht. Po ashtu, është përkthyese e 10 librave të autorëve të ndryshëm, si dhe e të gjitha veprave të saj në italisht dhe anglisht.