Si e sulmonte regjimi komunist, Fondacionin Amerikan “Rockfeller”, në Shqipëri
Roli i SHBA-ve dhe Shqipëria, regjimi akuzon përfaqësuesit e fondacionit si agjentë amerikanë, jepnin bursa për arratisje
Eneida Jaçaj
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të jenë aleatët strategjikë kryesorë për Shqipërinë, që prej periudhës pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. SHBA-ja është vendi mik më i çmuar për Shqipërinë, pasi e ka mbështetur në shumë procese të rëndësishme jetësore dhe integruese, si: çështja kombëtare shqiptare, roli vendimtar i Presidentit Amerikan, Udrou Uillson, i cili nuk lejoi copëtimin e Shqipërisë në vitin 1919, në Konferencën e Paqes në Paris, nga Fuqitë e Mëdha Europiane. Uillson u bë zëri i të gjithë shqiptarëve, duke mos lejuar që kufijtë e Shqipërisë të tkurreshin akoma edhe më shumë pas vendimit jo të drejtë të Konferencës së Londrës në vitin 1913. Gjithashtu, në të gjithë veprat e mira të SHBA-ve, duhet të rreshtojmë edhe hapjen e shkollave teknike amerikane në vitet 1920, liberalizimin e vizave, pavarësia e Kosovës, një rast historik për kombin shqiptar, ku SHBA-ja ia mbylli shtigjet imperializmit serb në Ballkan; mbështetja me fonde në shumë procese të tjera, etj; anëtarësimi i Shqipërisë në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut, NATO, për “sigurimin në rajonin e Atlantikut të Veriut të stabilitetit e mirëqenies dhe ruajtja e lirisë, trashëgimisë së përbashkët dhe qytetërimit të vendeve anëtare”, është një tjetër pikë e rëndësishme që dëshmon miqësinë dhe partneritetin dypalësh strategjik mes dy vendeve.
Nga ana tjetër, SHBA-ja, si vendi më demokratik në botë, e ka vlerësuar Shqipërinë se ka bërë hapa të mëdha drejt zhvillimit që prej vitit 1991, dhe, gjithashtu, zyrtarë të lartë amerikanë i vlerësojnë shqiptarët si njerëz punëtorë dhe shumë të aftë për të ndërmarrë sipërmarrje të rëndësishme në fushën e biznesit.
Sulmi ndaj Fondacionit “Rockfeller”
Pavarësisht gatishmërisë së SHBA, për të mbështetur Shqipërinë në shumë drejtime dhe projekte zhvillimore, marrëdhëniet dypalëshe miqësore shënojnë një pikë të errët gjatë periudhës së komunizmit, ndonëse populli shqiptar në pjesën dërrmuese të tij ruante respektin dhe dashamirësinë për një vend aleat, të plotfuqishëm dhe mbështetës në politika zhvillimore dhe ruajtjen e territoreve. Propaganda e udhëheqësit famëkeq diktatorial ishte tepër e ashpër ndaj SHBA-ve, edhe pse këto të fundit sërish ishin në mbrojtje të Shqipërisë dhe shqiptarëve, kundër imperializmit jugosllav. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe vendosjes së regjimit komunist në vitin 1945, Shqipëria nuk kishte më marrëdhënie diplomatike me Uashingtonin. Diktatori Enver Hoxha e akuzonte SHBA-në, se pozicioni i saj dashamirës kundrejt Shqipërisë, ishte një qëndrim i kamufluar. Diktatori më gjakatar në gjithë Europën Juglindore e shihte SHBA-në si kërcënim për pushtetin e tij uzurpues, pasi, kjo e fundit mbështeste politikat demokratike të vendeve të Europës Perëndimore. Gjithashtu, Enver Hoxha e shikonte SHBA-në si një shtet, i cili kërkonte të sundojë botën. Madje, regjimi komunist pati zhvilluar luftë të ashpër ideologjike kundër “imperializmit amerikan”. Arsyet mund të jenë nga më të ndryshmet.
Një rast tipik që dua të sjell në vëmendje, ku dëshmohet qartë dashamirësia e SHBA-ve për të ndihmuar Shqipërinë dhe, nga ana tjetër, sulmi që zhvillohet në vitet 1945 ndaj saj, pas instalimit të regjimit komunist në Shqipëri. Në dosjen nr. 9 “Historiku i Shkollave Amerikane në Shqipëri” e vitit 1945, tregohet se si Fondacioni Amerikan “Rockfeller” aplikonte programe ndihme në Shqipëri, që prej vitit 1920, ndërsa regjimi më pas, përfaqësuesit e tij, i akuzoi si agjentë të amerikanëve. Sipas dokumentit, në vitin 1926, fondacioni e ndihmoi Shqipërinë të luftonte malarien, duke dërguar në Shqipëri në tetorin e vitit 1926, doktor Hacket, që të bënte studime paraprake mbi përhapjen e malarjes në vendin tonë dhe të caktonte metodat më të mira në luftimin e saj.
Në përfundim të kësaj vizite dhe me ndërhyrjet e vazhdueshme të ambasadorit amerikan dhe të një bamireseje amerikane, fondacioni autorizoi në vitin 1927 doktorin që të themelonte një Shërbim Antimalarik, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Shëndetësisë.
Kështu, në vitin 1929 u çelën stacionet e para antimalarike, një në Tiranë dhe tjetri në Durrës.
“Në drejtim të Shqipërisë, zbulimi amerikan për një kohë deri në vitin 1943-44 ka ndjekur taktikën e një vendi dashamirës për të maskuar qëllimin e tij kundrejt vendit tonë. Si i tillë nuk na fut vetëm në çështje kulture, por edhe shoqërore”, thuhet në dokument.
Sipas dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, Dr. Hacket, Drejtor i Përgjithshëm për Europën Qendrore dhe Ballkanin, ishte me origjinë latine, pasanik i madh, anëtar i Fondacionit Rockfeler, ka propaganduar shumë për Amerikën dhe ka qënë në kontakte të vazhdueshme me legatën amerikane dhe me Harry Fultzin. Pra, regjimi e akuzon si të infiltruar të shtetit amerikan, i cili fshihet pas këtij misioni, luftën kundër malaries.
Sipas dokumentit të ish-Sigurimit, Hacket adopton vajzen e Neki Radovickës, ish-maturant i shkollës teknike, i cili, me çlirimin e Shqipërisë fillon aktivitetin si agjent i amerikanëve, agjent me shumë rëndësi dhe në lidhje me Fultzin. Më pas kapet e vdes në burg. “Hacket ushtronte kontroll mbi personelin e huaj. Doktor Kenedi paraqitej me tendencë të majta dhe kur e ka kuptuar se i vinin letra marksise nga PK e Anglisë e ka pushuar nga puna. Hacket simpatizonte fashizmin, ka qenë italofil i kërkuar dhe të shumtën e kohës e kalonte në Romë”, thuhet në dokument. Ndërkaq, sipas dokumentit të regjimit, i gjithë personeli ishin agjentë amerikanë, duke i shërbyer zbulimit amerikan. Madje, thuhet se u jepnin bursa për t’u arratisur, dhe, një ndër të arratisurit ishte inxhinier Zini Buzo. Marrëdhëniet Shqipëri-SHBA shënuan sërish një pikë kthese me rrëzimin e regjimit komunist. Periudha e komunizmit mbeti thjesht një ëndërr e keqe. U rivendosën marrëdhëniet diplomatike më 15 mars të vitit 1991. Gjatë gjithë periudhës së tranzicionit dhe në shumë procese të tjera historike e gjeopolitike, shteti amerikan ka luajtur një rol kyç dhe vendimtar, duke e mbështetur vendin tonë. Aleanca dypalëshe mbetet një aleancë e çmuar, shumë jetike dhe shumë e nevojshme për Shqipërinë.