Odise Kote: Ti zbret si lumë…
Ti zbret si lumë në rrëzë të malit,
duke vaditur ditët e mia të vjedhura.
Pret pas shkureve diçka të shkatërrohet,
për një sekondë fjalët të shndërrohen në tinguj.
Në vrullin që fsheh brenda vuajtjes,
është turpërim i virgjër
që ndahet padashur nga gjërat e vogla.
Ti zbret si lumë në rrëzë të malit,
të humbasësh tek një shpresë e egër
që të tjerët nuk e kanë.
Ti zbret si lumë në rrëzë të malit,
dhe i ngul sytë diellit që do lindë nesër.
Ëndërron si një zog që fle pezull mbi re,
Sepse unë e di që fsheh plot naze e hire,
dhe nuk ke vendosur ende të bëhesh e rritur.
Ti zbret si një lumë në rrëzë të malit…
Please follow and like us: